Connect with us

Lajme

Analisti Qenan Aliu: Qeveria ka cënuar ligjin dhe vetëqeverisjen lokale me emërimin e të besuarit në Gostivar

Published

on

Analisti juridiko-politik Qenan Aliu ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për emërimin e një të besuari si ushtrues detyre të kryetarit të Komunës së Gostivarit, duke e vlerësuar këtë veprim si shkelje të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe ndërhyrje në kompetencat e pushtetit lokal.

Sipas Aliut, me këtë vendim Qeveria ka cenuar parimin e sundimit të së drejtës dhe ka ndërhyrë drejtpërdrejt në kompetencat e Këshillit Komunal, organi më i lartë përfaqësues i qytetarëve të Gostivarit.

Ai kujton se Maqedonia e Veriut ka të ratifikuar Konventën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, e cila është pjesë e sistemit juridik dhe ndalon ndërhyrjet e nivelit qendror në pushtetin vendor. Sipas tij, ky rast mund të vihet në dukje edhe në Raportin e ardhshëm të Progresit të Komisionit Evropian si një formë e interferimit politik.

Aliu thekson se aktvendimi i Qeverisë është një akt individual, që nuk mund të jetë objekt i Gjykatës Kushtetuese si normë e përgjithshme, por se kjo gjykatë është kompetente të vendosë për konfliktet e kompetencave mes pushtetit qendror dhe atij lokal. Nga ana tjetër, Gjykata Administrative mbetet organi që trajton ankimimet në lidhje me emërimet dhe shkarkimet nga institucionet publike.

Megjithëse procedurat gjyqësore zakonisht marrin kohë, analisti vlerëson se duhet kërkuar verdikt institucional për të shmangur dilema të ngjashme në të ardhmen. “Demokracia është procedurë, jo vetëm politikë. Vetëqeverisja lokale nuk është vetëm kategori kushtetuese, por parim themelor i rendit kushtetues,” deklaron Aliu.

Ai njëkohësisht përshëndet qëndrimin e ushtruesit të deritanishëm të detyrës së kryetarit të Gostivarit, Valbon Limani, i cili ka theksuar se situata nuk duhet shndërruar në ‘shou’, por se duhen shfrytëzuar mjetet juridike për sqarimin e çështjes.

Në fund, Aliu kujton nenin 110 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili përcakton se Gjykata Kushtetuese vendos për konfliktet e kompetencave midis organeve të Republikës dhe njësive të vetadministrimit lokal.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *