Lajme
Ambasadori Meidani mirëpret Ministren Spiropali në Shkup: Dialog mbi rolin e grave dhe agjendën europiane me deputetet shqiptare
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka nisur një vizitë zyrtare dyditore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e cila do të zhvillohet më 22 dhe 23 dhjetor.
Me mbërritjen në Shkup, Spiropali është pritur nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani.
Në nisje të vizitës zyrtare, ambasadori Meidani ka shoqëruar ministren Spiropali në takimin e saj të parë me deputetet shqiptare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Ai ka theksuar se takimi u zhvillua në frymë dialogu dhe bashkëpunimi, përtej përkatësive politike, duke u fokusuar në rolin e faktorit shqiptar, pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje dhe përgjegjësinë e përbashkët për avancimin e agjendës evropiane të vendit.
“ Mirësevjen në Shkup, Elisa! 🇦🇱
Në nisje të vizitës zyrtare, pata kënaqësinë të shoqëroj Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme në takimin e parë me zonjat deputete shqiptare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Përtej përkatësive politike, një moment dialogu dhe reflektimi mbi rolin e faktorit shqiptar, pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje dhe përgjegjësinë e përbashkët për ta çuar përpara agjendën europiane të vendit.
Një fillim i mirë, me energji pozitive dhe fokus të qartë. 🤝✨”, ka shkruar Meidani.
