Connect with us

Lajme

AKI: Qeveria dhe MPB e kriminalizojnë thirrjen “UÇK”, paralajmërojnë ndjekje të qytetarëve që festuan

Published

on

Aleanca Kombëtare për Integrim ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme për ndjekje penale të qytetarëve që kanë festuar fitoren e Kombëtares së Shqipërisë, me arsyetimin se gjatë festimeve janë dëgjuar thirrje “UÇK”.
Në reagimin e AKI-së drejtuar mediabe theksohet se një veprim i tillë është “skandaloz dhe thellësisht i rrezikshëm për situatën në vend”, pasi përbën tentativë për të kriminalizuar ndjenjat kombëtare të shqiptarëve.

“Pyetja që lind natyrshëm është: prej kur thirrja ‘UÇK’ është bërë thirrje ofenduese dhe shoviniste? Prej kur simboli i lirisë, i paqes dhe i demokracisë është kthyer në arsye për ndëshkim dhe përndjekje?”, thuhet në deklaratën e kësaj partie.

Sipas AKI-së, në vend që institucionet shtetërore të promovojnë tolerancën, bashkëjetesën dhe respektin ndaj vlerave historike që kanë ndërtuar paqen dhe stabilitetin në vend, “Qeveria dhe MPB po përpiqen të kriminalizojnë krenarinë kombëtare të shqiptarëve”.

AKI kujton se Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK) është një realitet historik, që ka kontribuar në ndryshimet demokratike në Maqedoninë e Veriut, në Marrëveshjen e Ohrit, si dhe në orientimin e vendit drejt NATO-s dhe Perëndimit.

“UÇK solli lirinë, demokratizimin dhe bashkëjetesën. Të përpiqesh ta paraqesësh këtë simbol të sakrificës dhe të paqes si ‘kërcënim’ është ofendim për historinë dhe për të ardhmen e vendit”, thekson AKI.

Në fund të reagimit, Aleanca Kombëtare për Integrim i dërgon mesazh të drejtpërdrejtë Qeverisë dhe MPB-së:

“Leni të lirë qytetarët! Mos luani me ndjenjat dhe vlerat e kombit tonë, mos tentoni t’i frikësoni shqiptarët dhe t’ua prishni festën e tyre”. AKI paralajmëron se do të vazhdojë të reagojë ndaj çdo përpjekjeje për shtypje të shprehjes së lirë dhe për nxitje të tensioneve etnike në vend.

Continue Reading