Connect with us

Lajme

Shumica pa Badenter, Kuvendi në ngërç

Published

on

Shumica parlamentare në Maqedoninë e Veriut rrezikon të ngecë në procesin e miratimit të reformave thelbësore për vendin, për shkak të mungesës së të ashtuquajturit Badenter – një mekanizëm kushtetues që garanton mbrojtjen e interesave të komuniteteve joshumicë përmes votës së veçantë të deputetëve të tyre. Ndarjet e fundit politike dhe pozicionimi i partive shqiptare në opozitë kanë thelluar edhe më shumë këtë krizë, duke rritur pasigurinë për të ardhmen e agjendës reformuese dhe të proceseve integruese të vendit, shkruan PressOnline.al

Çfarë është Badenteri dhe pse ka rëndësi?

Mekanizmi i Badenterit kërkon që për ligjet që prekin drejtpërdrejt të drejtat e komuniteteve joshumicë – si gjuha, arsimi, dokumentet personale, simbolet etnike apo organizimi lokal – përveç shumicës së thjeshtë, të sigurohet edhe shumica e votave nga deputetët e komuniteteve pakicë që janë të pranishëm në seancë (Badenteri i vogël) ose nga numri i përgjithshëm i tyre në Kuvend (Badenteri i madh).

Aktualisht, në Kuvendin e RMV-së ka 39 deputetë nga radhët e komuniteteve joshumicë, ndërsa për një shumicë komode qeverisë i duhen të paktën 20 prej tyre. Mirëpo, përplasjet politike në kampin shqiptar dhe lëvizjet e fundit brenda Kuvendit kanë bërë që shumica të jetë larg këtij numri.

Rrëshqitja e shumicës dhe llogaritë e reja politike

Vendimi i Arben Taravarit për t’u larguar nga mazhoranca dhe për të kaluar në opozitë bashkë me tre deputetë të Aleancës për Shqiptarët ka sjellë pasoja të menjëhershme. Grupi parlamentar i koalicionit VLEN, i përbërë nga katër parti shqiptare, ka mbetur me vetëm 11 deputetë, duke dobësuar kështu fuqinë e shumicës për të kaluar ligje që kërkojnë Badenterin, shkruan PressOnline.al

Edhe pse disa deputetë të komuniteteve joshumicë janë ende pjesë e partnerëve të VMRO-DPMNE-së, llogaritjet jozyrtare tregojnë se mazhorancës i mungojnë së paku edhe pesë deputetë për të siguruar një Badenter të madh. Megjithatë, kryeministri Hristijan Mickoski shprehet optimist, duke deklaruar se “janë më pak se sa përflitet” dhe se ka një “ndjenjë” që do të sigurohet shumica e nevojshme.

Opozita shqiptare: Skepticizëm, por jo përjashtim

Nga ana tjetër, opozita shqiptare, e përfaqësuar nga BDI dhe krahu i Taravarit, mbetet skeptike. Deputetët Blerim Bexheti dhe Halil Snopçe kanë dhënë sinjale se nuk do të japin mbështetje të lehtë për reformat qeveritare. Ata e shohin mazhorancën si të paqëndrueshme dhe akuzojnë për qasje hakmarrëse ndaj deputetëve që u larguan nga shumica.

Për më tepër, BDI ka paralajmëruar se nuk do të bashkëpunojë me një qeveri që – sipas tyre – mohon përdorimin e gjuhës shqipe dhe i bllokon proceset euro-integruese. Taravari ndërkohë është shprehur i zhgënjyer nga mungesa e përmbushjes së premtimeve dhe kërkon zgjedhje të parakohshme.

Rreziku për agjendën evropiane

Situata bëhet edhe më kritike po të kemi parasysh se deri në fund të muajit qershor duhet të miratohen një sërë ligjesh që janë pjesë e Planit për Rritje të dakorduar me Komisionin Evropian. Të paktën tre prej këtyre ligjeve – që lidhen me reformën në drejtësi – kërkojnë Badenterin. Nëse nuk kalojnë, kjo mund të ndikojë drejtpërdrejt në marrëdhëniet e RMV-së me BE-në dhe në disbursimin e fondeve për zhvillim.

Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, shpreson që opozita të tregojë përgjegjësi dhe të mos pengojë proceset që janë në interes të qytetarëve dhe integrimit evropian. Por llogaritjet politike dhe mungesa e një vullneti të përbashkët mes palëve lë pak vend për optimizëm.

Situata aktuale në Kuvend është pasqyrë e një krize më të thellë politike dhe institucionale. Mungesa e Badenterit nuk është thjesht një çështje teknike procedurale, por simptomë e mungesës së konsensusit politik për reformat që do ta çonin vendin përpara. Nëse palët nuk gjejnë gjuhën e përbashkët, shumë nga ligjet reformuese mund të mbeten të bllokuara në sirtarët e Kuvendit – një luks që Maqedonia e Veriut nuk mund ta përballojë në këtë fazë delikate drejt integrimit evropian.(PressOnline.al)

Continue Reading

Lajme

ASHSHAM reagon dhe dënon ashpër thirrjet antishqiptare në Kumanovë

Published

on

By

Akademia Shqiptare e Shkencave dhe Arteve në Maqedoni reagon dhe dënon ashpër thirrjet antishqiptare të shfaqura gjatë ndeshjes ndërkombëtare të basketbollit midis Maqedonisë dhe Rumanisë. Këto thirrje nuk përbëjnë një fenomen të ri, pasi ato janë përsëritur vazhdimisht që nga viti 1990.

Sipas mendimit tonë, përsëritja e këtyre thirrjeve në ngjarje sportive, madje edhe në momente kur shqiptarët japin një kontribut të madh në arritjet sportive,për shembull në përfaqësuesen e futbollit të Maqedonisë , është një shprehje e qartë e racizmit dhe nacionalizmit të rrënjosur në një pjesë të shoqërisë maqedonase. Ky disponim antishqiptar është i trashëguar dhe i nxitur prej kohësh nga qarqe fashiste serbe, komunistë dhe akademikë të strukturave të vjetra .

Akademia rithekson se këto ngjarje dhe kjo gjuhë e urrejtjes, në mënyrë indirekte, mbështeten nga shteti përmes mosndëshkueshmërisë. Praktika e deritanishme tregon se autorët shpesh paraqiten nga MPB me iniciale, si të mitur ose si të panjohur -një metodë e njohur që është përsëritur shumë herë.
Nacionalistëve maqedonas duam t’u kujtojmë një fakt të thjeshtë: gjatë komunizmit nuk kishte vend për kësi shfaqjesh publike, pasi shteti i përjashtonte nga puna, i burgoste dhe i diskriminonte Shqiptarët. Populli nuk kishte nevojë të shprehej në stadiume apo rrugë. Sot, kjo gjuhë urrejtjeje është vetëm një shprehje e frustrimit dhe dëshpërimit të atyre që kanë humbur mekanizmat e represionit shtetëror dhe nuk dinë si të përballen me realitetin demokratik.

Akademia Shqiptare apelon për qetësi, gjakftohtësi dhe përgjegjësi. Shoqëria e lirë dhe demokracia liberale kërkojnë respekt të ndërsjellë, mësimin e gjuhës së tjetrit dhe ndërtimin e një shteti ligjor. Shqiptarët e Maqedonisë sot përbëjnë një forcë progresive në Ballkanin Perëndimor, të njohur për vlerat e tyre, dhe nuk kanë nevojë të bien pre e provokimeve.
Gjuha e urrejtjes është armë e atyre që e kanë humbur rrugën dhe që, në thelb, urrejnë vetveten.

Continue Reading

Lajme

ASH: Përderisa e sulmon VMRO, e dimë që kryetari Arben Taravari është në rrugë të drejtë!

Published

on

By

VMRO-DPMNE, që sot mban pushtetin dhe vazhdon të thellojë diskriminimin ndaj shqiptarëve – nga administrata deri te sporti, ku dëgjuam thirrje raciste të tipit “Shqiptari i mirë – shqiptari i vdekur”, pa asnjë reagim serioz institucional – ka shpërndarë një komunikatë plot shpifje dhe fyerje ndaj kryetarit tonë, Arben Taravari.

“Арбен Таравари уште еднаш го покажа своето вистинско лице…”, shkruan VMRO-DPMNE, duke provuar ta paraqesë Taravarin si të “kapur” dhe të detyruar të flasë. Por e vërteta është krejt e kundërta: pikërisht sepse Taravari nuk është i kapur dhe nuk pranon të bëhet dekor, ai është sot problemi më i madh për agjendën e VMRO-së.

Ndryshe nga Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, të cilët sot i shërbejnë hapur Mickoskit dhe heshtin përballë diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve, Taravari vazhdon të qëndrojë krah qytetarëve dhe të thotë të vërtetën pa frikë.

Përpjekja për ta etiketuar si “të kapur” është qesharake: Taravari nuk ka ndryshuar dhe nuk e ka shitur kurrë dinjitetin për karrige apo privilegje. Ai mbetet një nga të paktët liderë shqiptarë që nuk e ul kokën dhe nuk i shërben asnjë pushteti që i mban shqiptarët qytetarë të dorës së dytë.

Në fund, qytetarët shohin qartë: kush hesht kur ofendohen shqiptarët dhe kush guxon të flasë.
Kjo është diferenca që nuk mbulohet dot me komunikata dhe shkrime në rrjete sociale.

E inkurajojmë VMRO-në të sulmojë sa më shumë kryetarin Arben Taravari, por njëkohësisht të jetë më e matur, për të mos i mbyllur të gjitha dyert e bashkëpunimit.

Aleanca për Shqiptarët

Continue Reading

Lajme

Taravari pret në takim Bruno Cekën: Diskutim për sfidat e shqiptarëve dhe fuqizimin e faktorit shqiptar

Published

on

By

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka zhvilluar sot një takim me z. Bruno Ceka, lobist dhe aktivist të njohur për çështjen shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në fokus të takimit ishin sfidat dhe të arriturat e Kongresit Panshqiptar, rëndësia e forcimit të faktorit shqiptar në SHBA si dhe çështjet që prekin interesat e shqiptarëve anembanë botës.

Një pjesë e veçantë e bisedës iu kushtua situatës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe rolit të mërgatës shqiptare në forcimin e bashkëpunimit me administratën amerikane, me synimin që zëri dhe të drejtat e shqiptarëve të jenë më të fuqishme dhe më të mbrojtura.

“Bashkëpunimi, uniteti dhe angazhimi janë çelësi për të çuar përpara çështjen shqiptare kudo”, theksoi Taravari pas takimit.

Continue Reading

TOP Lajme