Incidenti i ndodhur së fundmi në Kumanovë, ku një grup huliganësh të maskuar brohoritën thirrje makabre si “vdekje për shqiptarët”, “dhoma gazi për shqiptarët” dhe slogane të tjera të ngjashme, nuk është një akt i izoluar as i rastësishëm. Ky është një sinjal i fortë se ekstremizmi etnik në Maqedoninë e Veriut po gjen terren të ri në tribuna sportive, rrjete sociale dhe rrugë duke rrezikuar jo vetëm sigurinë e shqiptarëve si komunitet autokton, por edhe kohezionin e një shteti që synon të ndërtojë një demokraci shumetnike. Por, kush fshihet pas gjithë kësaj? A ekziston mundësia e ndikimit serb për të shkaktuar destabilizim të vendit? shkruan Zhurnal.
“Kush po i fryen zjarrit?”
Thirrjet për dhunë, vrasje dhe përkujtime të krimeve të gjenocidit si “dhomat e gazit” nuk janë vetëm fyerje, ato janë thirrje dhe nxitje për veprim. Janë shprehje të një ideologjie të rrënjosur thellë që sheh shqiptarët jo si bashkëqytetarë, por si armiq për t’u eliminuar. Dhe kur kjo gjuhë vjen nga turma të organizuara e të maskuara, në një ambient të mbrojtur si një sallë sportive, ajo nuk mund të trajtohet si incident spontan, por si një veprim i organizuar, i toleruar ose i inkurajuar nga struktura më të thella.
Kumanova nuk është qytet i zakonshëm në kontekstin e marrëdhënieve ndëretnike. Ajo është një pikë e ndjeshme, ku jetojnë shqiptarë, maqedonas dhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve me identitet serb. Pikërisht këtu lind dyshimi i arsyeshëm se kjo fushatë urrejtjeje mund të jetë nxitur ose frymëzuar nga qarqe ekstremiste serbe të njëjtat qarqe që tradicionalisht kanë përdorur tensionet ndëretnike për të paraqitur politikën rajonale.
Serbia, përmes elementeve të nacionalizmit agresiv ka një histori të gjatë të instrumentalizimit të konflikteve etnike në Maqedoninë e Veriut që nga përplasjet politike e deri te ndërhyrjet përmes mediave dhe rrjeteve informale. Një destabilizim i Maqedonisë së Veriut veçanërisht përmes tensioneve etnike i shërben strategjisë së saj për të mbajtur ndikimin në zonat ku shqiptarët janë faktor politik i rëndësishëm.
Ku janë institucionet?
Një shoqëri demokratike nuk mund të lejojë që slogane fashiste të bëhen normë në ambiente publike. Mungesa e një qëndrimi të prerë nga autoritetet e vendit jo vetëm që legjitimon aktet e tilla por i inkurajon ato të përsëriten me pasoja të paparashikueshme. Prandaj, pritet ditëve në vijim të merren masa në terren, të dalin zyrtarët nga fejsbuku dhe të ndërmarrin masat e duhura kundrejt atyre aktereve që bënë atë vepër qyqyare.
Normalizimi i fyerjeve raciste është faza e parë drejt dhunës reale. Kjo është një mësim që historia e Ballkanit e ka dhënë me çmim të lartë. Nëse thirrjet për “dhoma gazi” ndaj shqiptarëve nuk trajtohen si kërcënim real atëherë i gjithë projekti i bashkëjetesës ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është në rrezik.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë qytetarë të barabartë. Ata nuk janë “të toleruar”, por bashkëthemelues të shtetit. Të gjitha institucionet, përfshirë presidencën, qeverinë, federatat sportive dhe gjyqësorin, kanë detyrimin ligjor dhe moral që të ndërmarrin hapa konkretë për identifikimin, ndjekjen penale dhe dënimin e organizatorëve të këtyre akteve.
Nëse vendi jonë do të ecë drejt integrimit evropian duhet të kuptojë se tolerimi i urrejtjes etnike nuk është “liri fjale” është shkelje e rendit demokratik. Dhe kur rendi bie, të gjithë humbasin.
Nuk duhet të harrojmë se, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut përfaqësojnë një faktor politik gjithnjë e më të rëndësishëm. Rritja e ndërgjegjes kombëtare, pjesëmarrja aktive në institucione dhe kërkesat për barazi të plotë në të gjitha nivelet përbëjnë një sfidë reale për mentalitetet nacionaliste qofshin ato maqedonase apo serbe. Prandaj, çdo mundësi për t’i paraqitur shqiptarët si kërcënim, përmes inskenimeve të tilla si rasti i Kumanovës, është një mjet i përdorur me kujdes për të sabotuar avancimin e tyre në jetën politike dhe institucionale. /Zhurnal.mk