Lajme
Presidenti Bajram Begaj pritet me nderime të larta në Gostivar, Valbon Limani i dhuron “Çelësin e Qytetit”
Në një ceremoni solemne me nderime të larta, Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, priti dje në takim zyrtar Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Në ambientet e Komunës së Gostivarit, në prani të deputetëve të zonës, këshilltarëve komunalë, përfaqësuesve të klerit fetar dhe personaliteteve të shquara të qytetit, kryetari Limani i dorëzoi Presidentit Begaj “Çelësin e Qytetit” – mirënjohjen më të lartë që ndan Komuna e Gostivarit për figura me kontribut dhe rëndësi të veçantë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari Limani e cilësoi vizitën si një moment me peshë të veçantë politike dhe emocionale për qytetin, duke theksuar simbolikën që mbart prania e Presidentit të Shqipërisë në një qytet të banuar kryesisht nga shqiptarë.
“Është nder i veçantë që në fillim të mandatit tim si kryetar i Komunës së Gostivarit, t’i them në emrin tuaj dhe timin personal: Mirë se vjen në Gostivar, President i Republikës së Shqipërisë. Ardhja juaj ka një simbolikë të veçantë për ne,” u shpreh Limani.
Ai vlerësoi rolin e Presidentit Begaj në përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë dhe të shqiptarëve kudo në botë, veçanërisht në një kohë sfidash dhe zhvillimesh të rëndësishme gjeopolitike, duke theksuar se lidershipi i tij përcjell qetësi, siguri dhe krenari kombëtare.
Në motivacionin e ndarjes së mirënjohjes thuhet:
“Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj, për përfaqësim dinjitoz dhe të mençur që ju bën të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm, në të gjithë botën.”
Duke i dorëzuar çelësin simbolik të qytetit, kryetari Limani theksoi se me këtë akt Presidenti Begaj ka të hapur çdo derë të Gostivarit, duke e konsideruar këtë moment si një ndër ngjarjet më të rëndësishme të mandatit të tij.
Vizita e Presidentit Begaj në Gostivar u vlerësua si një dëshmi e lidhjeve të forta mes shqiptarëve dhe një hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit dhe unitetit kombëtar.




