Lajme
Taravari: Politikat e përçarjes e rrezikojnë sigurinë dhe të ardhmen e shtetit
Në nivel global po flitet gjithnjë e më shumë për “ndryshimin e kufijve”, “rregullin e më të fortit”, “shkeljen e së drejtës ndërkombëtare”, madje edhe për debate mbi shpërbërjen e NATO-s, veçanërisht në kontekstin e krizës së Groenlandës. Në të njëjtën kohë, Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet pa nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian, kryesisht për shkak të tensioneve me Bullgarinë. Kjo ngre pyetjen nëse siguria, madje edhe ekzistenca e shtetit, është në rrezik për shkak të asaj që cilësohet si “politikë e provokimit dhe inatit” në marrëdhëniet ndërkombëtare, e cila aktualisht udhëhiqet nga qeveria në “Ilindenska nr. 2”.
Duke komentuar këtë situatë në një intervistë për portalin “Lokallno”, lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, paralajmëron se edhe pse skenari më i keq nuk është i dëshirueshëm, ai është më afër se kurrë më parë.
“Pyetja juaj ka një kontekst retorik. Po, situata mund të përshkallëzohet. Ky është skenari i fundit që do të doja të ndodhte dhe që besoj se do të ndodhë, por si mundësi është më afër se kurrë”, thekson Taravari.
Sipas tij, rrënjët e kësaj gjendjeje lidhen me politikat ultranacionaliste që kanë thelluar ndarjet etnike për qëllime pushteti, duke e lënë vendin pa kohezion të brendshëm dhe pa vizion të qartë shtetëror.
“Nën ndikimin e politikave ultranacionaliste, të cilat për të ardhur në pushtet i kanë thelluar edhe më shumë ndarjet etnike, Maqedonia dhe politikanët e saj nuk kanë ditur dhe ende nuk dinë të konsolidohen si shtet i qëndrueshëm”, shprehet ai.
Taravari vlerëson se kjo është arsyeja kryesore pse vendi nuk ecën përpara, mbetet i injoruar në arenën ndërkombëtare, nuk zhvillohet dhe, sipas tij, madje edhe rrezikohet.
“Kjo është arsyeja kryesore pse nuk po lëvizim përpara, pse po injorohemi, pse nuk po zhvillohemi dhe pse, në fund, po e rrezikojmë vetveten”, përfundon Taravari.
