Lajme
Taravari pas fitores në Gostivar: Do të jemi kryetarë për të gjithë qytetarët, pa dallime
Pas shpalljes së rezultateve zgjedhore, Arben Taravari ka dalë para mediave për të falënderuar qytetarët e Gostivarit dhe aktivistët e Aleancës Kombëtare për Integrim për fitoren e arritur në raundin e parë të zgjedhjeve lokale.shkruan Top24
Taravari theksoi se kandidatë të kësaj partie kanë shënuar rezultate bindëse, duke fituar me mbi 62 për qind të votave, ndërsa kundërshtarët kanë marrë rreth 44 për qind. Sipas tij, diferenca është e madhe, me një avantazh prej rreth 2.500 deri në 3.000 vota.
“Prej zemre falënderoj të gjithë gostivarasit dhe aktivistët tanë. Kjo fitore tregon se qytetarët kanë besim tek ne dhe tek programi ynë,” u shpreh Taravari.
Ai bëri të ditur se nga nesër, kryetarët e rinj të komunës do të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa asnjë dallim etnik, politik apo tjetër.
“Do të jemi kryetarë për të gjithë qytetarët e Gostivarit njësoj, pa dallim përkatësie etnike apo politike,” tha Taravari.
Taravari vlerësoi bashkëpunimin brenda Aleancës Kombëtare për Integrim, duke theksuar se kjo fitore dëshmon se kur partitë bashkohen, mund të arrijnë rezultate të jashtëzakonshme. Ai shprehu besimin se kjo frymë do të vazhdojë edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2026.
“Kjo është një fitore e madhe për Aleancën Kombëtare për Integrim dhe një sinjal i qartë se bashkimi sjell sukses,” theksoi ai. Në fund, Taravari uroi suksese për ekipet fituese dhe vlerësoi figurat e reja politike, duke i cilësuar si më të kualifikuar dhe të përgatitur për të udhëhequr komunën drejt zhvillimit.shkruan Top24
