Connect with us

Lajme

Ministri i Ekonomisë dikur protestonte kundër shkatërrimit të Kodrës së Diellit, nga pushteti nuk jep detaje për investimet e paralajmëruara

Published

on

Përfaqësuesit e pushtetit qendror dhe atij lokal, ngjashëm si qeverisja e kaluar qendrore dhe lokale vijojnë të premtojnë investime milionëshe për Kodrën e Diellit, por pa rezultat konkret në terren. Ministri i Ekonomisë dhe Punës derisa ishte në opozitë, protestonte kundër shkatërrimit të Kodrës së Diellit, ndërsa sot nga ministria me të cilën udhëheq Besar Durmishi nuk japin detaje për investimet e paralajmëruara, shkruan Portalb.mk.

Qendra turistike ‘Kodra e Diellit’ po kalon edhe një sezon të zymtë, kjo për shkak se ende nuk ka asgjë konkrete nga premtimet dhe paralajmërimet e autoriteteve për investime të huaja. Nuk është nënshkruar as marrëveshje me italianët.

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në kohën kur ishte në opozitë, para gjashtë viteve protestonte për mos shkatërrimin e Kodrës së Diellit. Ndërkaq me tu bërë ministër, në maj 2025 njoftoi se ka biseduar për investime në Kodrën e Diellit me përfaqësues nga Arabia Saudite.

Megjithatë, deri tani nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim, as ndonjë marrëveshje dhe asnjë investim në terren.

Të pyetur për këtë, Ministria e Ekonomisë dhe Punës për Portalb.mk tha se po zhvillohen bisedime me investitorë të huaj seriozë dhe me reputacion për zhvillimin e këtij kapaciteti turistik, me qëllim që Kodra e Diellit të shndërrohet në një nga qendrat më të mëdha dhe më moderne turistike në rajon, e madje edhe më gjerë në Evropë.

“Procesi është në rrjedhë dhe zhvillohet në disa faza, me ç’rast për momentin janë duke u përcaktuar detajet kryesore të marrëveshjeve të mundshme. Bëhet fjalë për investime komplekse dhe kapitale në shkallë të gjerë, të cilat kërkojnë kohë dhe përgatitje të kujdesshme, me qëllim që të sigurohet zhvillim i qëndrueshëm dhe afatgjatë”, thanë nga Ministria e Ekonomisë.

Nga aty shtuan se në kuadër të bisedimeve, shqyrtohet një koncept më i gjerë për zhvillimin e Kodrës së Diellit, duke përfshirë zgjerimin e konsiderueshëm të kapaciteteve të skijimit, përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve që qendra turistike të funksionojë gjatë gjithë vitit.

Në këtë drejtim, Ministria thekson se po shqyrtohet edhe mundësia e ndërtimit të një teleferiku të ri që do të lidhë Tetovën me Kodrën e Diellit, gjë që do të kontribuonte në rritjen e qasjes dhe atraktivitetit të lokalitetit.

“Në këtë fazë, Ministria nuk mund të japë detaje shtesë për investitorin konkret, derisa të finalizohen bisedimet dhe të arrihet marrëveshje përfundimtare. Publiku do të informohet në kohën e duhur sapo procesi të hyjë në fazën e tij përfundimtare dhe kur të ketë vendime konkrete dhe zyrtare”, thanë nga Ministria e Ekonomisë.

Premtime dhe deklarata për investime të huaja së fundmi kanë dhënë edhe kryeministri dhe kryetari i Komunës së Tetovës.

Pak ditë më parë, kryeministri Hristijan Mickoski gjatë një vizite në Kodrën e Diellit tha se janë afër marrëveshjes me investitorë të huaj për Kodrën e Diellit, duke mos përmendur se për kë bëhet fjalë.

“Kemi për qëllim që në afat të shkurtër të sjellim investitor që do të investojë, bashkë me shtetin, kuptohet. Dhe do ta bëjë atë që për të gjithë ne paraqet ëndërr dhe qëllim, që Kodra e Diellit të bëhet qendra më e bukur dimërore në këtë pjesë të Evropës”, deklaroi Mickoski.

Nga Qeveria nuk u përgjigjen për Portalb.mk se kush konkretisht janë këta investitorë, kur do të ketë diçka konkrete dhe çfarë ndodh me negociatat me kompaninë italiane e cila e ka prezantuar ofertën për investim në këtë qendër turistike.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami më 15 dhjetor 2025 deklaroi se janë në bisedime me investitorë seriozë nga Lindja.

“Jemi në bisedime me investitorë seriozë, unë besoj që shpejt edhe atë para fundit të vitit do të kemi edhe një vizitë të një investitori që është i interesuar për të investuar në Kodër të Diellit, me çka ne do ta kthejmë Kodrën e Diellit këtë qendër turistike dimërore në një qendër moderne”, tha Kasami.

Të pyetur se kush konkretisht janë këta investitorë, nga Komuna e Tetovës nuk tregojnë.

“Çështja e investitorëve për Kodrën e Diellit është në fazën përfundimtare të diskutimeve dhe negociatave. Investitori është serioz dhe i përkushtuar, dhe po punohet që marrëveshja finale të përmbyllet në përputhje me interesin publik. Pas finalizimit të marrëveshjes, Komuna e Tetovës do të informojë opinionin publik për të gjitha detajet e projektit dhe investimit”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Sipas burimeve të Portalb.mk, bëhet fjalë për investitorë nga Katari të cilët e kanë vizituar Kodrën e Diellit.

Madje vetë Kasami në të kaluarën e ka përmendur Katarin dhe Emiratet e Bashkuara si investitorë potencialë në këtë drejtim.

Para zgjedhjeve lokale, edhe deputeti i VLEN, Adnan Azizi paralajmëroi se së shpejti pritet investim 500 milionë euro për këtë qendër turistike, por pa dhënë detaje.

Nga ana tjetër, me vite nuk ka asgjë konkrete as nga investimi italian i prezantuar në 2022 nga TechnoAlpin. Sipas planit, investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove. Por negociatat nuk kanë marrë epilog the nuk ka marrëveshje.

“Fatkeqësisht, nuk ka zhvillime të reja”, thanë nga TechnoAlpin për Portalb.mk.

Kodra e Diellit edhe pse është ndër vendet më të mira dimërore në Ballkan dhe jo vetëm, për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të.

Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe shumë të tjera.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *