Lajme
“Tigri” braktis “Babën” rreshtohet me Ali Ahmetin dhe Valbon Limanin
Edhe “Tigri”, figurë e njohur në opinion që nga zgjedhjet lokale të vitit 2017 në Gostivar, ka braktisur Nevzat Bejtën dhe është rreshtuar hapur në krah të koalicionit AKI dhe Bashkimit Demokratik për Integrim dhe liderit të saj, Ali Ahmeti.
Nofka “Tigri” u bë e famshme pas humbjes së Bejtës nga Arben Taravari në vitin 2017, kur ish-kryetari i komunës iu drejtua me fjalët: “Mos qaj bre, tigri i babës”. Në zgjedhjet aktuale, megjithatë, “Tigri” ka zgjedhur një kamp tjetër.
I punësuar në Komunën e Gostivarit dhe me origjinë nga fshati Forinë, “Tigri” njihet edhe si ish-luftëtar, i përfshirë në disa luftra, duke filluar nga lufta në Kroaci kundër Serbisë. Këtë herë, ai është rreshtuar me AKI-në dhe ka shprehur mbështetje për kandidatin e këtij koalicioni, Valbon Limani. Sikurse “Tigri”, Nevzat Bejtën – i cili shpesh i referohet vetes si “baba” – e kanë braktisur edhe shumë ish-bashkëpunëtorë të tij në Gostivar dhe më 11 janar të votojnë kandidatin e AKI-së.
Ndërkohë, Bejta në këto zgjedhje po garon me mbështetjen e koalicionit VLEN, ndonëse deri vonë ishte pjesë e BDI-së, ku kishte mbajtur disa poste partiake dhe shtetërore. Që nga viti 2005, ai ka qenë vazhdimisht kandidat për kryetar të Komunës së Gostivarit.
Në vitin 2005, Bejta fitoi zgjedhjet nën siglën e BDI-së, pas tërheqjes së kandidatit të PDSH-së në raundin e dytë. Në vitin 2009, ai humbi nga Rufi Osmani, ndërsa në vitin 2013 arriti të rikthehet në krye të komunës, në një proces të shoqëruar me akuza për inxhiniering zgjedhor dhe angazhim të aparatit shtetëror. Në zgjedhjet e viteve 2017 dhe 2021, Bejta u mposht në të dyja rastet nga Arben Taravari.
Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të vitit 2025, Bejta nuk ishte kandidat dhe më 19 tetor as nuk e ushtroi të drejtën e votës, pasi ndodhej në Zvicër. Pas humbjes së thellë të VLEN-it në raundin e parë, ai u rikthye sërish në garë në procesin zgjedhor që po përsëritet.
Në opinionin gostivaras, Nevzat Bejta tashmë njihet si kandidati që ka pësuar pesë humbje në zgjedhjet lokale, ndërsa largimi i bashkëpunëtorëve të dikurshëm shihet si një tjetër goditje për ambiciet e tij politike.


