Lajme
Forumet e Grave të AKI-së-Çegran, arkitektet e fitores së Valbon Limanit
Forumet e Grave të koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), në kuadër të fushatës zgjedhore për kryetar komune të Gostivarit, zhvilluan sonte një takim politik në fshatin Çegran, duke dëshmuar edhe një herë rolin e tyre kyç në konsolidimin e mbështetjes elektorale për Valbon Limanin.
Takimi u karakterizua nga një bashkëbisedim i hapur dhe konstruktiv me forumet e grave, të cilat konsiderohen shtyllë strategjike e çdo fitoreje zgjedhore dhe faktor vendimtar në mobilizimin qytetar. Përfaqësueset e AKI-së theksuan se angazhimi i grave në këtë proces nuk është vetëm mbështetje politike, por pjesëmarrje aktive në ndërtimin e një vizioni të ri qeverisës për Gostivarin.
Kryetarja e Asamblesë së Gruas së ASH-së, znj. Shpresa Selimi, përmes një postimi në rrjetet sociale, vlerësoi lart atmosferën e takimit dhe energjinë e pjesëmarrëseve, duke theksuar:
“Një atmosferë e ngrohtë bashkëbisedimi me zonjat e AKI-së së Çegranit. Bashkë po shkruajmë fitoren e sigurt. Rretho 3 me Valbon Limanin në krye!”
Fushata e kandidatit për kryetar komune, Valbon Limani, vlerësohet nga njohësit e proceseve politike si ndër më të organizuarat dhe më demokratiket që ka njohur Gostivari ndër vite. Ajo po zhvillohet mbi parime të përfshirjes qytetare, transparencës dhe komunikimit të drejtpërdrejtë me elektoratin, duke reflektuar një mbështetje të gjerë që paralajmëron një fitore bindëse në zgjedhjet e 11 janarit.
Mobilizimi i grave në Çegran përforcon bindjen se ky proces zgjedhor po hyn në fazën e tij vendimtare, ku pjesëmarrja aktive dhe e ndërgjegjshme qytetare po shndërrohet në kapital politik real në qeverisjen lokale të Gostivarit.


