Lajme
Ndërron jetë dr. Ferid Sadiku, kardiologu i parë në Gostivar dhe Qytetar Nderi i qytetit
Gostivari ka humbur sot një nga figurat e tij më të respektuara. Ka ndërruar jetë dr. Ferid Sadiku, kardiologu i parë në qytet, mjeku që me përkushtim, profesionalizëm dhe humanizëm u qëndroi pranë mijëra qytetarëve për dekada me radhë.
Dr. Sadiku njihej jo vetëm për dijen dhe përvojën e tij profesionale, por edhe për njerëzinë, fjalën e mirë dhe gatishmërinë për të ndihmuar çdo pacient pa dallim. Kontributi i tij i jashtëzakonshëm në shëndetësi e bëri emër të dashur dhe të respektuar në Gostivar dhe më gjerë.
Në vitin 2021, për veprën dhe kontributin e tij të çmuar, ai u shpall Qytetar Nderi i Gostivarit, një vlerësim që pasqyronte respektin dhe mirënjohjen e thellë të komunitetit ndaj tij.
Sot, Gostivari i jep lamtumirën e fundit me nderimet që i takojnë një Qytetari Model, duke kujtuar me respekt jetën dhe veprën e dr. Ferid Sadikut.
Vdekja e dr. Ferid Sadikut ka prekur thellë qytetarët, kolegët dhe pacientët e shumtë që e njohën dhe e vlerësuan për punën dhe njerëzinë e tij. Ngushëllime familjes dhe të afërmve.
