Lëvizja Demokratike e udhëhequr nga Izet Mexhiti po përballet me një valë të re pakënaqësish dhe largimesh në radhët e saj, vetëm pak ditë pas përvjetorit të dytë të themelimit, shkruan Flaka
Edhe një nga figurat themeluese të partisë, Naim Salihu – anëtar i Këshillit Themelues dhe i Kryesisë Qendrore – njoftoi publikisht dorëheqjen nga Lëvizja Demokratike dhe rikthimin në Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI). Në një deklaratë të ashpër, Salihu akuzoi drejtimin aktual se, pas hyrjes në qeveri me VMRO-DPMNE, nuk ka sjellë avancim të pozitës së shqiptarëve, por “degradim të plotë” dhe “fshirje të arritjeve të 20 viteve”.
“Unë nuk mund të jem pjesë e kësaj faqeje të errët të historisë. Kthehemi aty ku duhet të jemi, në radhët e BDI-së, për të ndalur përdhosjen e arritjeve tona,” deklaroi Salihu, duke shtuar se vendimi i tij është “i menduar thellë dhe i ndershëm ndaj vetes dhe kombit”.
Largimi i tij vjen në një atmosferë të tensionuar brenda LD-së, ku zërat kritikë po shtohen edhe nga figura të tjera të njohura. Bashkim Saiti, anëtar nga Kumanova, shprehu hapur pakënaqësinë për mungesën e strukturave funksionale, pavarësisht dy viteve nga themelimi:
“Dy vjet nuk janë pak – e hala pa struktura, pa organe që punojnë, pa drejtim të kjartë ku po shkojmë. Rinia ka prit me durim, por pritja e gjatë kthehet në zhgënjim. O veprojmë sot burrnisht, o e mbyllim me faqe të bardhë,” tha Saiti.
Në të njëjtën linjë reagoi edhe Muhamet Ameti, një tjetër themelues i Lëvizjes, i cili përvjetorin e dytë e quajti “përvjetorin e fundit pa organe, pa llogaridhënie dhe vetëm me fjalë por pa vepra”. Mesazhin e tij e mbështeti publikisht edhe Fejzulla Kovaçi, kushëri i vetë liderit Mexhiti, i cili shkroi: “Shumë e vërtetë, po kur mundin që e dham mos ju qoftë hallall.”
Këto reagime, që vijnë jo vetëm nga baza por edhe nga rreth i afërt i drejtimit të partisë, po e thellojnë perceptimin e një krize të brendshme serioze në Lëvizjen Demokratike, me pasoja të mundshme në skenën politike shqiptare në vend.