Lajme
Kryetarja e FRASH, Viola Ramadani: Shpresa për ndryshim nuk është shuar, më 2 nëntor do të flasë sërish vullneti i shumicës shqiptare
Kryetarja e Forumit Rinor të Aleancës për Shqiptarët, Viola Ramadani, në një reagim publik është drejtuar të rinjve shqiptarë duke theksuar se pavarësisht sfidave politike dhe padrejtësive në Maqedoninë e Veriut, shpresa për ndryshim mbetet e gjallë. Ajo u shpreh se Aleanca Kombëtare për Integrim do të vazhdojë rrugën e saj me vendosmëri dhe se vullneti i shumicës shqiptare do të dëshmohet sërish në raundin e dytë të zgjedhjeve.
“Të rinjve të këtij vendi, e di që Maqedonia e Veriut nuk ju trajton drejt, sidomos nëse flisni shqip,” – thekson Ramadani, duke shtuar se, ndonëse sfidat janë të mëdha, shpresa nuk është zhdukur kurrë. “Ajo ka qenë gjithmonë aty, e qetë, por e fortë. Edhe sot, mes goditjeve dhe përpjekjeve për ta shuar, ajo mbijeton, sepse shpresa nuk shuhet, vetëm pret momentin e vet për t’u ringjallur,” shtoi ajo.
Ramadani theksoi se këtë shpresë e ka parë tek të rinjtë dhe qytetarët shqiptarë në çdo cep të vendit. “Në Gostivar dhe Vrapçisht, ku pavarësisht pengesave në procesin e censusit, besimi ishte i plotë; në Saraj, ku shumica ia dhanë votën Blerantit; dhe në Tearcë, ku Nazimi dëshmoi forcë e dinjitet përballë gjithë aparatit shtetëror që punoi kundër tij.”
Sipas saj, edhe pse fitorja nuk u vulos në këtë fazë, ajo është vetëm çështje kohe. “Ne nuk duhet dhe nuk do të dorëzohemi. Demokracia është numra – dhe ne i kemi ato. Vullneti i shumicës shqiptare do të flasë sërish këtë të diel,” tha Ramadani.
Ajo shtoi se 2 nëntori nuk është fundi, por fillimi i një kapitulli të ri politik. “Përveshim krahët për ta vulosur edhe më thellë fitoren në Gostivar dhe Vrapçisht, ndërsa përgatitemi për zgjedhjet e reja parlamentare që tashmë duken të pashmangshme. Sepse kur populli thotë ‘jo’ juve, duke votuar me mbi 20 mijë vota më shumë për AKI-në, ‘po’-ja e VMRO-së humb çdo vlerë,” përfundoi ajo.
