Japonia numëron tashmë gati 100.000 qytetarë që kanë mbushur 100 vjeç apo më shumë, sipas të dhënave të publikuara nga qeveria japoneze.
Shifra, e cila shënon një rekord historik, reflekton qartë plakjen e popullsisë në vendin me ekonominë e katërt më të madhe në botë, në një kohë kur numri i banorëve po bie
Më konkretisht, deri më 1 shtator, në Japoni ishin regjistruar 99.763 qindvjeçarë, ose 4.644 më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Prej tyre, 88% janë gra, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Japonisë.
Personi më i moshuar në arkipelag është Shigeko Kagawa, 114 vjeç, e cila jeton në prefekturën Nara, afër Kiotos. Ajo ka mbetur aktive edhe pas 80 viteve pune si gjinekologe, mami dhe mjeke e përgjithshme, sipas autoriteteve.
“Fakti që ecja shumë gjatë vizitave në shtëpitë e pacientëve më ka ndihmuar të kem këmbë të forta, ato janë burimi i energjisë sime sot”, deklaron Kagawa. Me shikimin ende të mirë, ajo kalon ditët duke parë televizor, lexuar gazetën dhe duke bërë kaligrafi.
Ndërkohë, personi më i moshuar në botë aktualisht është britanikja Ethel Caterham, e cila festoi 116-vjetorin në muajin gusht, pak muaj pas ndarjes nga jeta të Ina Canabarro Lucas nga Brazili, gjithashtu 116 vjeç
Pavarësisht jetëgjatësisë së lartë, Japonia po përballet me një krizë demografike gjithnjë e më të thellë. Rritja e numrit të të moshuarve po sjell një rritje të madhe të shpenzimeve shëndetësore dhe sociale, ndërkohë që fuqia punëtore po zvogëlohet, pasi lindshmëria mbetet e ulët.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në gusht, popullsia japoneze u tkurr me mbi 900 mijë persona vetëm gjatë vitit 2024, një rekord negativ.
Kryeministri Shigeru Ishiba, i cili ndodhet aktualisht në proces dorëheqjeje, e kishte përshkruar situatën si një “murtajë e heshtur”, dhe kishte premtuar masa mbështetëse për familjet, përfshirë orare më fleksibël pune dhe shërbime falas për kujdesin ndaj fëmijëve, për të ndalur rënien e lindshmërisë.
Megjithatë, përpjekjet e deritanishme nuk kanë dhënë ende rezultate të prekshme.