Connect with us

Lajme

ASH komenton tubimet e VLEN-it: VLEN po refuzohet nga qytetarët dhe nga sondazhet

Published

on

Aleanca për Shqiptarët, përmes një reagimi të kryetarit Arben Taravari, ka akuzuar VLEN-in se është shndërruar në një grupim që zhvillon vetëm “turizëm politik”, pa jehonë dhe pa pritje nga qytetarët, transmeton Flaka

“VLEN po zhvillon një turizëm politik që gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një demonstrim të dështimit të tyre. Hapja e shtabeve zgjedhore, e shoqëruar me delegacione prej 150 vetash nga strukturat partiake, ndodh pa asnjë pritje nga qytetarët,” – thuhet në reagim.

Sipas tij, aktivitetet e këtij grupimi po zhvillohen në një atmosferë boshe dhe artificiale:

“Ata dëgjojnë njëri-tjetrin dhe lëvizin, duke e lënë hapësirën bosh e pa jehonë. Ky është realiteti i hidhur i liderëve të VLEN-it, të cilët tashmë përballen me të njëjtin mesazh – nga anketat e brendshme, ato publike dhe refuzimi i hapur nga qytetarët shqiptarë.”

Taravari e cilëson fushatën e VLEN-it si një teatër monoton:

“E ashtuquajtura fushatë mobile e VLEN-it është vetëm një teatër monoton. Në çdo fotografi nga vendbanimet e ndryshme, shfaqen të njëjtat fytyra, njësoj si pllakatat e maturantëve apo absolventëve të vitit të kaluar – një farsë e vërtetë pa shpirt dhe pa lidhje me realitetin e qytetarëve.”

Ai paralajmëron se zhgënjimi i madh për VLEN-in do të ndodhë më 19 tetor, pas referendumit:

“Por zhgënjimi më i madh do të bjerë mbi ta më 19 tetor në mbrëmje. Atë natë, do të vihen në lëvizje dorëheqjet e para nga vetë krerët e VLEN-it, të cilët do të përballen me pasojat e tradhtisë së tyre politike.”

Sipas Taravarit, shqiptarët tashmë e kanë kuptuar “lojën e Mickoskit me vasalët e tij në VLEN” dhe nuk do të tolerojnë më përbuzje apo nënshtrim:

“Shqiptari nuk duron përbuzje, as vasalitet, dhe aq më pak tradhti. Në traditën e tij është e ngulitur një parim i qartë: Përulje kurrë. Tetori është afër dhe dënimi për këta politikanë të papërgjegjshëm është i pashmangshëm.”

Në fund, ai thekson se populli tashmë është zgjuar dhe ka marrë në dorë “instrumentin për ndryshim të vërtetë – referendumin”.

Continue Reading