Koalicioni VLEN po përballet me një seri dorëheqjesh, distancimesh dhe pakënaqësish publike në disa prej partive përbërëse, duke thelluar perceptimin e një krize të brendshme serioze në prag të zgjedhjeve lokale të tetorit. Largimet vijnë si nga baza, ashtu edhe nga figura themeluese e drejtues partiakë.
Nga radhët e Lëvizjes BESA, aktivisti Lavdrim Ismaili dha dorëheqje nga të gjitha funksionet, përfshirë edhe postin e kryetarit të Forumit Rinor në Përshëfc. Po ashtu, edhe Besa Kadriu është larguar nga të gjitha organet e partisë.
Në Tearcë, kryetari i nëndegës, Muhamer Isaku, i’u bashkua Aleancës për Shqiptarët dhe koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), duke shpallur përkrahjen për kandidaturën e Nazim Taipit për kryetar komune.
Në Lëvizjen Demokratike, themeluesi dhe anëtari i Kryesisë Qendrore, Naim Salihu, shpalli dorëheqjen dhe rikthimin në BDI, duke akuzuar partinë për “degradim të plotë” pas hyrjes në qeveri me VMRO-DPMNE.
Pakënaqësitë u pasuan nga kritika publike e Bashkim Saitit nga Kumanova për mungesën e strukturave funksionale, ndërsa themeluesi Muhamet Ameti paralajmëroi se ky mund të jetë “përvjetori i fundit pa llogaridhënie”. Mesazhi i tij u mbështet edhe nga Fejzulla Kovaçi, kushëri i vetë liderit Mexhiti.
Kriza u shfaq edhe në Studeniçan, ku Emir Ismaili dhe 33 aktivistë të nëndegës së Batincës kundërshtuan publikisht kandidatin e propozuar nga VLEN për kryetar komune, duke e cilësuar “anonim” dhe “të imponuar”.
As qetësi nuk ka pasur në partinë Alternativa. Sabar Mustafa, kryetar i nëndegës në Luboten, bashkë me strukturën e tij, shpalli largimin nga Alternativa dhe VLEN.
Në Kumanovë, funksionari i njohur Mesut Bajrami shpalli kandidaturën e tij të pavarur për këshilltar komunal, duke u shkëputur nga partia.
Ndërkohë, në Çair, ish-drejtori i Punës dhe Politikës Sociale, Hamza Ameti, kuadër i Alternativës, u shkarkua dhe reagoi me kritika për organizimin e VLEN-it. Përkrahje për të dha edhe funksionari tjetër i Alternativës, Faton Fazliu.
Nga Çairi, Fitore Qerezi, një nga themelueset e vetë koalicionit VLEN, shpalli dorëheqjen nga të gjitha pozitat, duke shprehur zhgënjim për mungesën e përkrahjes së brendshme.
Në pak ditë, Lëvizja BESA, Lëvizja Demokratike dhe Alternativa – tre shtylla të koalicionit VLEN – kanë humbur aktivistë e figura themeluese, ndërsa brenda radhëve po rriten kritikat për mungesën e strukturave, drejtimit të qartë dhe vendimeve të imponuara.
Edhe Nafie Selmani, aktiviste dhe ish-mbështetëse e koalicionit VLEN, ka dalë me një reagim të ashpër publik, duke e cilësuar këtë formacion politik si “një shpresë të humbur” dhe “një zhgënjim të thellë” për qytetarët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Valët e dorëheqjeve dhe përçarjeve po e forcojnë perceptimin e një krize të thellë politike në VLEN, me pasoja të mundshme në rezultatin e zgjedhjeve lokale të tetorit, ku uniteti dhe konsolidimi i brendshëm do të jenë vendimtarë. /Flaka Media/