Lajme
Rexhepi pas takimit me Taravarin: Në kohë të vështira më e rëndësishmja është të jemi bashkë
Kandidati i BDI-së nga koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim për kryetar të Komunës së Tetovës, Bajram Rexhepi, pas një takimi me liderin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, dhe strukturat e kësaj partie në Tetovë, theksoi rëndësinë e unitetin politik shqiptar në periudhën në të cilën kalojmë.
“Me doktor Arben Taravarin dhe strukturat partiake, bashkë në rrugën e Besëlidhjes – Aleanca Kombëtare për Integrim,” u shpreh Rexhepi.
Rexhepi e cilësoi këtë koalicion si një projekt të madh kombëtar.
“Besëlidhja është koalicioni më i madh dhe historik i shqiptarëve në vendin tonë, që lindi në një kohë kritike për kombin dhe për orientimin gjeostrategjik të shtetit.”
Duke folur për rëndësinë e bashkimit politik, Rexhepi shtoi:
“Është shumë e fisme t’ia shtrëngosh dorën vëllaut. Sidomos në kohë të vështira si kjo, kur më e rëndësishmja është të jemi bashkë në anën e duhur të historisë”, ka përfunduar Rexhepi.
