Mbi 130 nxënës shqiptar të fshatit Nerovë, të komunës së Krushevës, mësimin do ta nisin në objektin e vjetër shkollor, shkruan Alsat.
Edhe pse procedurat e legalizimit të objektit të ri shkollor që e ndërtuan vetë banoret e këtij fshati tashmë kanë përfunduar, përfundimi i punimeve të mbetura dhe pajisja e shkollës me infrastrukturën e nevojshme shtyhet deri pas zgjedhjeve lokale.
Dashmir Jusufi, banor i Nerovës, thotë se shpresat janë që në vitin 2026 të ndahet buxhet për përfundimin e objektit të ri shkollor.
“Nga një shtatori, nxënësit do ta fillojnë vitin e ri shkollor në objektin e vjetër, tash ne e dimë se veç më afrohet fushata para zgjedhore dhe janë ndërpre të gjitha punimet për shkak të zgjedhjeve dhe do të presim që të kalojnë zgjedhjet dhe para Vitit të Ri e dimë se ka votim të buxhetit për vitin 2026 dhe shpresat e vetme na mbeten se do të përfshihet edhe shkolla dhe të ndahen edhe mjete financiare dhe të kompletohet siç duhet”, tha Dashmir Jusufi – Banor i Nerovës.
Numri i nxënësve shqiptar të Nëroves është shtuar këtë vit, ndërsa problem i pa zgjidhur edhe më tej mbeten kushtet jo të përshtatshme për të vijuar mësimin në objektin e vjetër shkollor.
“Numri është shtuar dhe sigurisht do të jenë mbi 130 nxënës. Aty ka vetëm dy klasa që mund të themi që minimalisht i plotësojnë kushtet dhe dy klasa të improvizuara që janë thurur korridoret që të adaptohen në klasa, pra kemi dy klasa më të mëdha dhe dy të vogla”, u shpreh Dashmir Jusufi – Banor i Nerovës.
Ndërtimi i objektit të ri shkollor në fshatin Nerovë ishte iniciativë e vetë banorëve të këtij fshati e cila nismë filloi pas ankesave të shumta për kushte të pa përshtatshme për mësim në objektin e vjetër shkollor ku mësonin mbi 120 nxënës shqiptar të këtij fshati. Punimet në objektin e ri shkollor u ndërprenë nga institucionet për shkak se objekti ishte ndërtuar pa leje ndërtimi.
Për shkak të kësaj, mësimi u bojkotua nga nxënësit, ndërsa institucione vendosën të ndërhynin për të zgjidhur situatën me çka toka ku ishte ndërtuar objekti i ri shkollor i kaloi Komunës së Kreshovës dhe filloi procedura e legalizimit. Autoritetet patën premtuar se në shtator gjithçka do të jetë gati, por procesi zgjedhor dhe bllokimi i prokurimeve publike ka penalizuar shkollën. Sipas banorëve të Nerovës, nëse nuk ndahet buxhet për përfundimin e objekti, atëherë do të detyrohen përsëri që me donacione ta banorëve të përfundojnë të njëjtin që tash më 130 nxënësit e këtij fshati të kenë kushte më të mira për mësim./ Alsat.mk