Çfarë po ndodhë me kaolicioni VLEN si përfaqësues të shqiptarëve në qeveri, në mesin e shumë pozitave që akoma i kanë ngel të zbrazta është edhe pozita e zëvëndësministrit të Mbrojtjes. Kanë kaluar muaj të tërë prej kur Aleanca për Shqiptarët braktisi qeverinë dhe me këtë veprim la të zbrazët pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Mbrojtjes. Një hapësirë e tillë që në kushte normale do të ishte mbushur menjëherë për të shmangur boshllëqe funksionale, vazhdon të qëndrojë e paprekur sikurse të ishte gjithçka në rregull. Me këtë situatë krijohet hapësira për të konstatuar që shqiptarët edhe në një fushë strategjike si mbrojtja po mbesin të anashkaluar, shkruan Zhurnal.
Një sektor i rëndësishëm si Mbrojtja pa shqiptar –
Ministria e Mbrojtjes është një nga institucionet më të ndjeshme e të rëndësishme të shtetit. Kjo nuk është vetëm administratë teknike por është garancia e sigurisë dhe mbrojtjes së integritetit territorial. Në një vend multietnik si Maqedonia e Veriut përfaqësimi proporcional në këtë institucion nuk është luks por domosdoshmëri. Megjithatë, aktualisht nuk ka asnjë zëvendësministër shqiptar që të mbikëqyrë proceset dhe të sigurojë që ky balancim respektohet.
Në katër muajt e fundit Ministria e Mbrojtjes ka marrë gjithsej 120 vendime për emërime në pozita të nënoficerëve. Nga këto, vetëm 14 kanë shkuar për shqiptarë. Shifrat janë të pamëshirshme më pak se 12 për qind përfaqësim në një shtet ku shqiptarët përbëjnë mbi një të katërtën e popullsisë. Ky disproporcion nuk është rastësi as anomali teknike. Kjo tregon një model të qartë vendimmarrjeje ku shqiptarët shtyhen në periferi ndërsa posti i zëvendësministrit mbetet bosh, pa askënd që të reagojë.
Pse hesht VLEN?
Koalicioni VLEN i cili trashëgoi detyrimin për të plotësuar këtë pozitë pas largimit të Aleancës për Shqiptarët, deri më sot nuk ka ofruar asnjë zgjidhje. Kjo heshtje sjellë dyshime të mëdha e që janë plotësisht legjitime. A është fjala për mungesë të kuadrove të përgatitur për një pozitë kaq delikate? Apo bëhet fjalë për një lojë politike ku kjo pozitë mbahet pezull për të shërbyer si kartë negociuese në marrëdhëniet brenda koalicionit?
Nëse është mungesë kuadrosh, atëherë kemi të bëjmë me një problem strukturor që prek të gjitha partitë shqiptare që përbëjnë VLEN-in paaftësinë për të ndërtuar profesionistë në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes. Nëse është lojë politike, atëherë problemi është edhe më i madh sepse shndërron përfaqësimin shqiptar në një mall pazari.
Një rrezik i dukshëm edhe më i thellë pozita mund të humbet –
Sa më shumë të zgjasë kjo vonesë aq më i madh bëhet rreziku që posti të merret nga një kuadër maqedonas. Këtu barra bie drejtpërdrejt mbi zëvëndëskryeministrin, Arben Fetai, i cili aktualisht është “bajraktari”i ASH-së në VLEN. Dhe, nuk do mend që Fetai duhet ta plotësoj këtë pozitë sa më parë që është e mundur që mos të ndodhë ky skenar i lartpërmendur që edhe këtë pozitë ta humbasin shqiptarët.
Ky problem merr edhe një dimension ndërkombëtar, pra nuk është çështje që fillon dhe përfundon vetëm brenda vendit. Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s, një aleancë ku përfaqësimi i barabartë dhe respektimi i diversitetit janë vlera bazë. Si mund të justifikohet përpara aleatëve fakti që një nga komunitetet kryesore të vendit nuk ka përfaqësim në Ministrinë e Mbrojtjes? Ky është paradoks që e vendos në pikëpyetje seriozitetin e shtetit në raport me standardet e Aleancës.
Pozita e zëvendësministrit në Ministrinë e Mbrojtjes nuk është thjesht një karrige bosh, por është pasqyra e një realiteti të hidhur se shqiptarët edhe pas më shumë se dy dekadash nga Marrëveshja e Ohrit, ende nuk janë të barabartë në shtetin që e quajnë të përbashkët.
Kujtojmë që, çdo ditë që kjo pozitë mbetet pa përfaqësues shqiptar mesazhi bëhet më i qartë barazia etnike në Maqedoninë e Veriut nuk është ende një normë por një betejë e papërfunduar. Dhe pyetja e madhe mbetet se a do të zgjohet politika shqiptare nga kjo letargji, apo do ta lërë këtë pozitë dhe me të edhe interesat e shqiptarëve në tryezën e pazareve? /Zhurnal.mk