Gazetari Abedin Bilalli ka reaguar ndaj retorikës së kryeministrit Hristijan Mickoski, duke e akuzuar atë për politika përjashtuese dhe përpjekje për të përcaktuar fatin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Në një reagim publik, ai thekson se shqiptarët janë autoktonë dhe pjesë e pandashme e shtetndërtimit, ndërsa politikat e fundit po i shtyjnë drejt margjinalizimit.
“Mos e provoko heshtjen shqiptare, z. Mickoski! Nëse barazia është kërcënim, atëherë s’ka bashkëjetesë. Në një shtet që prej vitesh na kujton se jemi ‘të tjerët’, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë vazhduar të ecin përpara me dinjitet, duke kontribuar shumë më tepër sesa marrin,” – ka shkruar Bilalli.
Ai përmendi disa shembuj të vendimeve diskriminuese ndaj shqiptarëve:
“Heqja e balancuesit nga sistemi administrativ; ulja e numrit të këshilltarëve në komunat me shumicë shqiptare; mungesa e një ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore; thirrjet raciste në ndeshje sportive të bëra haptas e pa ndëshkim – madje në prani të përfaqësuesve më të lartë të shtetit, përfshirë edhe juve, z. Kryeministër.”
Bilalli thekson se paqja e vërtetë nuk është heshtje, por drejtësi:
“Kryeministër, paqja nuk është vetëm heshtje – është drejtësi! Shqiptarët nuk kërkojnë privilegje, por të drejta. Pa barazi nuk ka stabilitet. Pa drejtësi nuk ka shtet funksional. Dhe pa shqiptarët, nuk ka as Maqedoni të Veriut evropiane.”
Ai paralajmëroi se Marrëveshja e Ohrit po zbehet jo për shkak të shqiptarëve, por nga mungesa e vullnetit politik për ta zbatuar:
“Marrëveshja e Ohrit nuk ishte fundi, por fillimi i një procesi. Shqiptarët e mbështetën dhe për mbi dy dekada treguan përgjegjësi. Sot duket se kjo marrëveshje po zbehet për shkak të politikave përjashtuese. Pa zbatim të drejtë dhe të plotë, çdo qetësi është vetëm shtyrje e krizës.”
Në fund, Bilalli i dërgoi një mesazh të qartë Mickoskit:
“Shqiptarët janë pjesë e pandashme e këtij vendi. Ata nuk do të ndalen së punuari për paqe, barazi dhe mirëqenie. Por është koha që edhe shteti – dhe ju si drejtues i tij – të ndaloni politikat përjashtuese dhe t’i përkushtoheni një paqeje që ndërtohet bashkë me shqiptarët, e jo kundër tyre.” /Flaka Media/