Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka habitur publikun me një deklaratë të pazakontë gjatë intervistës në emisionin “Pastel” në TV21, ku foli për fëmijërinë e tij dhe përvojat personale gjatë viteve të tensionuara për shqiptarët në Maqedoni dhe Kosovë, shkruan Flaka
“Menjëherë pas diferencimeve politike dhe protestave në Kumanovë, babi iku nga vendi për në Belgjikë dhe unë bashkë me motrat mbetëm vetëm me nënën në shtëpi. Ndërsa pas një periudhe kohore, pasi babi u sistemua në Belgjikë, ne u ribashkuam dhe vazhduam jetën bashkë në Belgjikë,” deklaroi Fetai.
Fetai, i lindur më 11 dhjetor 1980 në Kumanovë, pretendon se ka qenë i pranishëm në protestat e viteve ’80, një periudhë kur, sipas tij, kishte ndërgjegje politike dhe aktivizëm qytetar – megjithëse atëherë ishte vetëm 7 vjeç.
“Që nga fëmijëria mbaj mend protestat në Kumanovë kur mësuesit dhe intelektualët shqiptarë u përzunë nga puna, por edhe protestat në Kosovë pas heqjes së statutit,” tha Fetai.
Por faktet historike flasin ndryshe.
Sipas dokumenteve dhe dëshmive historike, protestat në Kumanovë dhe Gostivar që nisën në gusht të vitit 1988 u zhvilluan si reagim ndaj ndalimit të gjuhës shqipe në shkollat fillore dhe të mesme, si dhe ndaj përjashtimit nga puna të dhjetëra arsimtarëve shqiptarë. Nxënësit dhe mësuesit që kundërshtuan politikën e asimilimit u përballën me burgosje dhe represion.
Pra, në vitin 1988, kur protestat kulmuan, Arben Fetai ishte vetëm 7 vjeç.
Ky detaj e bën të paqartë, në mos të pabesueshme, deklaratën e tij se ka marrë pjesë në protesta si pjesë aktive. Fëmijët e asaj moshe mund të kenë përjetuar atmosferën familjare të kohës, por jo të kenë qenë aktorë të vetëdijshëm të protestave, aq më pak siç portretizohet në këtë rast – si “njeri i protestave”.
Me titull: Nga njeri I protestave te zevendeskryeminister- historia qe nuk keni degjuar per Fetain, ky i fundit shpërndajti lajmin në media.
Lajmi ka shkaktuar reagime të shumta në rrjete sociale, ku përdoruesit kanë ironizuar pretendimin e zëvendëskryeministrit, duke e quajtur “falsifikim emocional të biografisë për qëllime politike”.
“Që të vetëquhesh njeri i protestave si 7-vjeçar është fyerje për ata që me të vërtetë sakrifikuan në atë kohë – që humbën vendet e punës, u rrahën, u burgosën,” shkruan një komentues.
Fetai, madje ka pretenduar që ndihmoi edhe në ndërtimin e shtetit të Kosovës, si këshilltar i Hashim Thaçit.
“Në Prishtinë shkova me idenë për gjashtë muaj dhe të kthehem, por aty e gjeta vetën shumë mirë dhe pastaj mu ofrua një kontratë më afatgjate në Kuvendin e Kosovës. Pas përvojës në Kuvend, u angazhova në zyrën e Kryeministrit të Kosovës dhe më pastaj kam dhënë kontributin tim në formimin e Agjencinë Anti-korrupsion, Agjencinë për Barazi, Agjencinë e Inteligjencës por edhe përgatitjen e parë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Pra si një i ri kisha mundësi të jashtëzakonshme të jem pjesë e formimit të institucioneve të Kosovës”, u shpreh Fetai.
Në mungesë të ndonjë reagimi apo sqarimi nga kabineti i zëvendëskryeministrit Fetai, pyetja që mbetet është: A po përdoren dramat e një kohe të errët për të ndërtuar kredibilitet të vonshëm politik? Flaka
