Connect with us

Lajme

Transparencë me “doza”: Qeveria e RMV-së e hapur vetëm aty ku i konvenon

Published

on

Në pamje të parë Qeveria e Maqedonisë së Veriut duket e hapur: njofton për aktivitete, shpërndan komunikata dhe deklaron përkushtim ndaj Strategjisë për Transparencë 2023–2026. Por, pas fasadës së hapjes fshihet një praktikë selektive: institucionet vetë vendosin cilat pika të rendit të ditës të publikohen, cilat dokumente të vonohen dhe cilat të mbahen të mbyllura. Gazetarët flasin për barriera serioze në qasjen në informacione kyçe, ndërsa sektori civil paralajmëron se transparenca e dobët gërryen demokracinë dhe zvogëlon llogaridhënien. Rastet e mosdhënies së procesverbaleve edhe pas vendimeve detyruese të Agjencisë për Qasje të Lirë, ilustron qartë këtë hendek mes premtimeve dhe praktikës. Mirëpo ekzekutivi, natyrisht nuk e pranon dhe thotë se është i hapur, por se procesverbalet dhe dokumentet nuk mund të publikohen menjëherë sepse duhet së pari të përgatiten, të verifikohen dhe të miratohen në një seancë pasuese, dhe se deri atëherë publiku njoftohet vetëm me komunikata të përgjithshme, shkruan Portalb.mk.

Gazetarët thonë se transparenca e Qeverisë është kryesisht fasadë: ajo vetë zgjedh çfarë informacioni të ndajë dhe kështu u kufizon qasjen në të dhëna kyçe. Sipas tyre, kjo pengon gazetarinë hulumtuese, vonon procesin e marrjes së dokumenteve dhe ul mundësinë për të zbuluar abuzime apo parregullsi.

Gazetarja Maja Jovanovska thekson se mungesa e transparencës së vërtetë nga ana e Qeverisë e ndërlikon ndjeshëm punën e gazetarëve, veçanërisht në fushën e gazetarisë investigative. Sipas saj, Qeveria në shikim të parë duket e hapur – ajo çdo ditë njofton për aktivitetet e saj dhe pas seancave informon për disa nga vendimet e marra, por problemi thelbësor shton Jovanovska, është se ajo vetë vendos se cilat pika në rend të ditës do të ndahen me publikun.

“Në këtë mënyrë, institucioni nuk ofron pasqyrë të plotë të punës së saj, por përkundrazi zgjedh dhe kontrollon narrativën që do të arrijë në media. Për ne, si gazetarë, kjo do të thotë qasje e kufizuar në informacionin kyç dhe pamundësi për të kontrolluar prapavijën dhe kontekstin e vendimeve që prekin drejtpërdrejt qytetarët. Një praktikë e tillë e ndërlikon procesin e hulumtimit, ngadalëson qasjen në dokumente dhe zvogëlon mundësinë e zbulimit të abuzimeve ose parregullsive të mundshme”, thotë Jovanovska.

Maja Jovanovska. Foto e marr; nga profili i saj në Facebook
Maja Jovanovska. Foto nga profili i saj në Facebook
Jovanovska përmend një rast konkret të mosdhënies së procesverbalit mbi shkarkimin e prokurorit publik të shtetit, edhe pas një vendimi detyrues të Agjencisë për Qasje të Lirë në Informacion Publik.

“Patëm një rast specifik që ilustron më së miri mungesën e informacionit kyç. Në shkurt, i kërkova Qeverisë procesverbalin dhe shpjegimin e seancës qeveritare në të cilën u mor vendimi për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit. Qeveria refuzoi t’i jepte , duke argumentuar se “shënimet stenografike janë materiale për përdorim të kufizuar dhe zbulimi i tyre do të zvogëlonte efikasitetin e punës së institucionit”. Unë e apelova këtë vendim në Agjencinë për Qasje të Lirë në Informacion Publik, e cila konfirmoi se qeveria ishte e detyruar të jepte informacionin e kërkuar dhe nxori vendim për këtë qëllim. Por edhe përkundër kësaj, dokumentet nuk mu dhanë kurrë. Ky rast tregon qartë se edhe kur ekziston detyrim ligjor, qeveria mund të kufizojë në mënyrë arbitrare qasjen në informacion. Ndërsa bëhet fjalë për vendim me interes të jashtëzakonshëm publik – shkarkimi i kreut të prokurorisë – për të cilin qeveria është e detyruar të japë shpjegim të plotë dhe transparent”, përfundon Jovanovska.

Ndërsa gazetari Fisnik Xhelili thekson se shumë prej premtimeve për transparencë të qeverisë aktuale kanë mbetur vetëm në nivel slogani. Përgjigjet, sipas tij, janë sipërfaqësore, ndërsa dokumentet zyrtare shpesh vonohen ose nuk jepen fare. Kjo, përveçse e vështirëson punën e gazetarëve, krijon edhe një fasadë të rreme të hapjes para qytetarëve.

“Qeveria aktuale, e cila erdhi në pushtet me shumë premtime për transparencë dhe llogaridhënie, sot shpesh sillet në mënyrë të mbyllur dhe selektive ndaj publikut dhe mediave. Përgjigjet që jepen janë kryesisht sipërfaqësore ndërsa informacionet thelbësore si dokumentet zyrtare, propozim-ligjet apo materialet që vërtetë janë me interes publik mbahen të “fshehura”, vonohen ose nuk na jepen kur i kërkojmë si gazetarë. Kjo sjellje e bën punën tonë si gazetarë jo vetëm më të vështirë, por shpesh edhe e kthen procesin e informimit në një luftë të vazhdueshme ndaj marrjes informacionit. Publiku meriton transparencë të plotë, jo deklarata boshe”, thotë Xhelili.

Zëvendës-kryeredaktori i Portalb.mk, Fisnik Xhelili në Bruksel
Zëvendës-kryeredaktori i Portalb.mk, Fisnik Xhelili në Bruksel
Ai nënvizon se shumë shpesh ka qenë i injoruar nga Qeveria, përkatësisht nuk ka marrë fare përgjigje për dokumente apo pyetje me interes pubilk.

“Ka raste konkrete kur ky mungesë transparence ka penguar raportimin e plotë të çështjeve me interes publik. Mbledhjet e qeverisë shpesh shoqërohen vetëm me komunikata të përgjithshme, pa dokumente mbështetëse, duke lënë boshllëqe të mëdha për mediat dhe qytetarët. Në këtë mënyrë, krijohet një fasadë e rreme e hapjes. Ky kontrast mes euforisë fillestare të premtimeve dhe realitetit të zbehur të sotëm e minon besimin e qytetarëve dhe tregon se transparenca është ende më shumë slogan sesa praktikë. Nga përvoja mund të them se Qeveria shpesh ka injoruar kërkesat e mia ku kam kërkuar dokumente dhe detaje për çështje të interesit publik. Shumë emaile i kam pa përgjigje, dhe mendoj se ky nuk është rasti vetëm me mua”, thekson Xhelili.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ndonëse deklaron përkushtim ndaj transparencës dhe Strategjisë 2023–2026, përgjigjet kryesisht me justifikime procedurale. Për agjendat e plota thotë se nuk mund t’i publikojë një ditë para seancës për shkak të ndryshimeve të mundshme në rendin e ditës. Për procesverbalet thekson se kalojnë një procedurë përgatitore dhe miratimi para publikimit, ndërsa për përkthimin në gjuhën shqipe shpjegon se bëhet pas përfundimit të procesit dhe kontrollimit të dokumenteve. Pas çdo seance thotë se jep kumtesa publike.

“Rendi i ditës dhe përmbajtja (pikat sipas të cilave diskutohet) për një seancë qeveritare miratohen në fillim të çdo seance qeveritare. Për hir të saktësisë së informacionit dhe mundësisë së ndryshimit të rendit të ditës, në interes të së vërtetës, është e pamundur që gjithmonë të publikohet rendi i ditës ose rendi i plotë i ditës për një seancë qeveritare një ditë para se të mbahet. Në lidhje me publikimin e procesverbaleve, theksojmë edhe një herë faktin se çdo procesverbal kalon nëpër një procedurë përgatitore dhe duhet të miratohet në një seancë pasuese, kur të jetë gati. Procesverbalet nuk mund të publikohen pa miratim formal nga qeveria në një seancë. Procesverbalet paraqiten për miratim pasi të jenë përmbushur të gjitha kushtet për miratimin e tyre, dhe më pas ato publikohen. Procedura nënkupton që pas përfundimit të çdo seance qeveritare, shërbimi i seancave përgatit procesverbalet, pas nënshkrimit të të gjitha konkluzioneve dhe akteve të seancës nga kryesuesi i seancës. Pasi të gjitha temat (pikat) e seancës të jenë mbyllur, me nënshkrimin dhe zbatimin e tyre, procesverbalet përgatiten duke kontrolluar nëse ato korrespondojnë me të dhënat elektronike të e-Qeverisë, bëhen korrigjime nomo-teknike dhe editoriale, pas të cilave ato propozohen për miratim në seancën e ardhshme. Procesverbalet publikohen në gjuhën maqedonase në ueb-faqen e Qeverisë dhe përkthehen edhe në gjuhën shqipe, dhe pasi të jetë përfunduar përkthimi, dokumentet kontrollohen dhe korrigjohen, pas së cilës ato publikohen”, thonë nga Qeveria.

Seancë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, foto ueb faqja zyrtare e Qeverisë
Seancë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, foto ueb faqja zyrtare e Qeverisë
Nga ekzekutivi përsërisin parullën “Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj hapjes dhe transparencës si ndaj medias ashtu edhe ndaj të gjithë qytetarëve, si bazë për besim, llogaridhënie dhe pjesëmarrje demokratike”.

Në pyetjen se cilat janë sfidat kryesore në zbatimin e Strategjisë së Transparencës 2023–2026, veçanërisht për transparencën e seancave qeveritare, Qeveria nuk jep asnjë përgjigje konkrete. Në vend të identifikimit të pengesave, si mbase mungesa e stafit, vonesat në përkthime, kapacitetet teknike apo vullneti politik, ajo përsërit vetëm se “është e përkushtuar” ndaj hapjes dhe transparencës. Kështu krijohet përshtypja se institucionet nuk pranojnë ekzistencën e sfidave reale, sikur ato të mos ekzistonin fare, edhe pse sektori civil dhe gazetarët i kanë dokumentuar shpesh këto probleme.

Sipas Fondacionit Metamorfozis, progresi në rritjen e hapjes së pushtetit ekzekutiv ka ngecur vitet e fundit, madje është vërejtur një rënie e lehtë. Mungesa e transparencës jo vetëm që kufizon qasjen e qytetarëve në informacion, por edhe zvogëlon llogaridhënien e institucioneve dhe hap rrugë për korrupsion.

Në një vend ku koncepti i të dhënave të hapura u prezantua që nga viti 2011, progresi ka qenë i ngadaltë. Mbi 80% e institucioneve nuk kanë staf të trajnuar për publikimin e të dhënave të hapura, çka e bën monitorimin e punës së Qeverisë edhe më të vështirë.

Dançe Danilovska-Bajdevska. Foto: Uebfaqja e Fondacionit Metamorfozis
Dançe Danilovska-Bajdevska. Foto: Uebfaqja e Fondacionit Metamorfozis
Dançe Danilovska-Bajdevska nga Fondacioni Metamorfozis, thotë se progresi në rritjen e transparencës dhe hapjes së pushtetit ekzekutive ka ngecur vitet e fundit, gjegjësisht rezultatet e përmirësuara nga e kaluara kanë ngecur në një nivel të caktuar, kështu që nuk ka pasur ndonjë ndryshim të rëndësishëm vitet e fundit.

“Madje është vërejtur një rënie e lehtë në hapjen e pushtetit ekzekutive në vend, e cila për fat të mirë ende nuk ndikon në rangimin e pushtetit ekzekutive krahasuar me rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne vazhdimisht rekomandojmë zbatimin e shtuar të politikave ekzistuese që promovojnë hapjen e Qeverisë, ministrive dhe organeve ekzekutive, në mënyrë që të arrihet përparim në hapje, sepse është e pamohueshme që progresi i dobët në promovimin e transparencës ndikon në më pak informacion për qytetarët, ndërsa mungesa e qytetarëve aktivë në krijimin e politikave dhe vendimmarrjen gërryen demokracinë dhe zvogëlon llogaridhënien e institucioneve”, thotë Danilovska-Bajdevska.

Mungesa e transparencës, shton ajo, është një terren pjellor për zhvillimin e korrupsionit dhe një nga mënyrat për të promovuar transparencën është përmes digjitalizimit të proceseve dhe se digjitalizimi imponohet pikërisht si një mjet për të luftuar korrupsionin, gjë që tregon se praktikat korruptive tani manifestohen më lehtë në kushte të transparencës së ulët.

Pavarësisht se baza ligjore për të dhënat e hapura në vitin 2014, progresi sipas saj, ka qenë shumë i ngadaltë.

“Pavarësisht se u sigurua bazë ligjore për të dhënat e hapura në vitin 2014, progresi ka qenë shumë i ngadaltë. Qytetarët ende nuk mund ta shohin potencialin e madh që mund të sjellin këto të dhëna. Të dhënat e hapura ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e transparencës, gjegjësisht përdorimi i të dhënave të hapura forcon integritetin politik. Në epokën e digjitalizimit, disponueshmëria e të dhënave të hapura është gjithashtu me rëndësi të madhe për luftën kundër korrupsionit. Megjithatë, nga vëzhgimet e kryera nga Metamorfozis përmes Indeksit të Hapjes, vërehet vazhdimisht se shumica e institucioneve ekzekutive, mbi 80%, nuk kanë staf të trajnuar për të përdorur dhe publikuar të dhëna të hapura. Me një fjali, mund të them se në mungesë të të dhënave të hapura, treguesit e monitorimit dhe transparencës janë të kufizuar”, përfundon Danilovska-Bajdevska.

Nga 34 seancat e fundit të kontrolluara më 04.09.2025, vetëm 4 procesverbale nuk ishin publikuar as në gjuhën maqedonase dhe as në gjuhën shqipe. Për më tepër, në gjuhën shqipe nuk janë publikuar fare 9 seanca, duke treguar një problem të dukshëm me zbatimin e publikimit dygjuhësh dhe transparencën reale të Qeverisë.

Continue Reading

Lajme

Aksion i madh policor në Maqedoninë e Veriut, arrestohen zyrtarë të lartë dhe pronarë të kompanive private

Published

on

By

Në një aksion të madh policor që po zhvillohet në rajonin lindor të Maqedonisë – përkatësisht në Berovë, Pehçevë dhe Dellçevë – janë arrestuar dhjetëra persona të përfshirë në një grup të organizuar kriminal, i cili për vite me radhë është marrë me prerje ilegale të pyjeve, keqpërdorim të pozitës zyrtare, marrje dhe dhënie ryshfeti dhe krime të rënda kundër mjedisit jetësor.

Sipas burimeve jozyrtare, në mesin e të arrestuarve janë drejtori aktual i Ndërmarrjes Publike “Pyjet e Maqedonisë”, shefi i policisë, disa zyrtarë policorë dhe policë pyjorë, një zyrtar nga Njësia Rajonale e Ministrisë së Bujqësisë, si dhe pronarë të disa kompanive private. Ata dyshohen se kanë organizuar në mënyrë sistematike prerjen dhe transportin ilegal të drurit, të cilin më pas, përmes lidhjeve korruptive, e kanë paraqitur si prerje legale.

Hetimet tregojnë se bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal, që ka funksionuar me qëllim përfitimi personal në kurriz të shtetit dhe pasurisë natyrore. Edhe pse dëmtimi i pyjeve ka qenë i dukshëm për vite me radhë, nuk janë ndërmarrë masa për ta ndaluar këtë aktivitet ilegal – derisa tani.(INA)

Continue Reading

Lajme

Trump po bëhet mbret i kriptomonedhave – por me çfarë çmimi?

Published

on

By

Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe famlija e tij që prej kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë fitojnë miliarda me sipërmarrje kripto duke përfituar nga influenca e Trumpit në tregun me më pak rregulla. Meqënëse djemtë e Trumpit drejtojnë sipërmarrjen, kritikët vërejnë një përzierje shqetësuese të pushtetit presidencial dhe përpjekjeve personale për përfitim.

Nga Meme-Coins deri tek Stablecoins – monedhat digjitale, që janë interpretuar në një vlerë fikse – fitimi financiar llogaritet të jetë mbi pesë miliardë dollarë (4,25 miliardë euro). Kritikët tërheqin vëmendjen për lakminë e pashembullt për fitim të presidentit në post.

Dy sipërmarrje i nxisin fitimet kripto të familjes Trump: World Liberty Financial (WLF), një platformë financiare e decentralizuar, rregullat e kredidhënies së të cilës mund të bashkëkonceptohen nga përdoruesit me tokenin $WLFI, dhe American Bitcoin Corp. (ABTC), një sipërmarrje Bitcoin për kërkimin e pasurive nëntokësore e regjistruar në Nasdaq.

WLF me shtijen e $WLFI-Token, që janë të lidhura me emrin e Trumpit, fiton miliona, ndërsa ABTC, që mbështetet na djemtë e tij, posedon vlera të rëndësishme pasurie Bitcoin. Me hedhjen në bursë kursi përkohësisht u rrit me rreth 110 përqind, duke u fiksuar me 16,5 përqind mbi kursin fillestar të inagurimit që ishte 6,90 dollarë. Sipas një informacioni të agjencisë së lajmeve Reuters, sipërmarrja e Trumpit posedon 60 përqind të WLF dhe pretendon 75 përqind të të ardhurave nga shitja e Coins-ave.

Ushtrim shqetësues influence

Kritikët mendojnë, se presidenti republikan me rolin e dyfishtë si përfitues nga kriptomonedhat dhe vendimmarrës politik po minon besimin në opinionin publik duke i përzier kufijtë mes drejtimit të qeverisë dhe pasurimit vetiak.

Juristi dhe eksperti i financave në SHBA, Ross Delston, tërheq vëmendjen, se kripto-firmat mund t’u ofrojnë një shteg investitorëve të dyshimtë, që përmes Coins-ave digjital të sigurojnë influencën politike tek Trump.

“Kjo është një rrugë e re që i mundëson presidentit, të marrë para prej kujtdo, përfshi edhe persona dhe shtete, që sipas ligjeve të SHBA-së për luftën elektorale do të ishin të ndaluara, ose nga persona, që janë dënuar për vepra penale ose ndaj të cilëve zhvillohen hetime”, thotë Delston për DW.

Trump zbut rregullat për kriptomonedhat

Gjatë mandatit të tij të parë Trump e cilësonte monedhën digjitale Bitcoin si “mashtrim” dhe kërcënim për dollarin. Tani ai do ta kthejë SHBA-në në kryeqendrën kripto të botës.

Nën Trumpin promovuesi prej shumë vitesh i kriptos Paul Atkins u bë drejtues i Autoriteti të SHBA-së për Mbikqyrjen Financiare SEC. Një ndër dekretet e para të nënshkruara nga Trump në janar ishte t’u ndalojë të gjitha autoriteteve të SHBA-së krijimin ose nxitjen e një banke qendrore të monedhës digjitale (CBDC) – një versioni kripto i dollarit i dhënë nga qeveria.

Në mars ai filloi të krijojë një rezervë strategjike kripto me konfiskimin e pasurive kripto. Në verë Trump nënshkroi genius act, kuadri i parë ligjor federal për Stablecoins.

Bankete madhështore dhe favore politike

Entuziazmi për kriptomonedhat është përhapur përtej politikës në evente të nivele të larta shoqërore, veçanërisht për darka e bankete për depozituesit e mëdhenj digjital, organizuar nga Shtëpia e Bardhë. Takimet ekskluzive me meny të pasura dhe akses ekskluziv tek presidenti po kritikohen për shkak të përzierjes së pushtetit politik me interesat financiare private.

Një ngjarje e spikatur ishte Crypto Kings-Dinner në maj 2025 në klubin kombëtar të golfit Trump në Virxhinia, ku ishin ftuar nga Meme-Coin $TRUMP e Trumpit investitorë, që bashkarisht kishin investuar 148 milionë dollarë.

Në event 25 investitorëve të mëdhenj të Meme-Coin $TRUMP të Trumpit iu krijua akses privat tek presidenti, ndërsa katër bashkëaksionerëve më të mëdhenj iu dhuruan orët luksoze nga koleksioni i Trumpit. Justin Sun, një kripto-miliarder i lindur në Kinë dhe këshilltar i World Liberty Financial, ishte me shpenzimet në vlerën e 18,5 milionë dollarëve i ftuari më i rëndësishëm.

“Me gjasë kjo është një tjetër përpjekje e qeverisë, të ndërlidhë postet publike me inetresat private”, deklaron për DW Richard Briffault, profesor në Columbia Law School.

Autoritetet rregullatore të rezervuara, ndërsa kritikët bëjnë thirrje të merren masa

Autoritetet rregullatore në SHBA qendrojnë të tërhequra sa i përket mbikqyrjes së kriptomonedhave. Së fundi Uashingtoni ka shfuqizuar disa rregulla. Si p.sh. deklarimin e vlerave të pasurive kripto në bilancet e firmave. Në këtë mënyrë sipërmarrjet kanë më shumë hapësirë veprimi, për t’i avancuar bizneset e tyre. Ndërsa mbikqyrja e bursës SEC nën drejtorin e mëparshëm Gary Gensler iu kundërvu me hetime të rrepta dhe akuza kësaj dege, masat nën qeverinë e dytë të Trump janë lënë krejt pasdore.

Si “kapitalizëm kripto me stimulues” e përshkruan një nga rrethi i brendshëm i Trump këtë zhvillim. Kjo degë është në bum, por sa i përket temave të etikës, transparencës dhe stabilitetit afatgjatë vëzhguesit kanë ngrenë shumë pikëpyetje.

Përmasa alarmante të shkarkimeve në autoritetet federale

Gjithnjë e më shumë kryeartikuj po u kushtohen shkarkimeve të nëpunësve federalë, që qeveria Trump i ka halë në sy, si guvernatorja e Bankës së Rezervave Lisa Cook, drejtorja e Autoritetit të Shëndetësisë në SHBA, CDC, Susan Monarez apo shefja e Autoritetit të Statistikave të Tregut të Punës, Erika McEntarfer.

“Qeveria nuk ka skrupuj për të shkarkuar njerëzit, ndër ta edhe nëpunës të thjeshtë, nëse ata nuk janë politikisht në të njëjtën linjë me qeverinë”, thotë juristi i Columbias Richard Briffault. “Nuk ka sinjal më të qartë se sa shkakrimi i drejtores së Bureau of Labor Statistics (Erika McEntarfer, d. Red.). Nëse ata janë të gatshëm, janë të gatshëm të shkakrojnë këdo.”

Klima e karakterizuar nga frika dhe hakmjarrja ka si pasojë, që autoritetet e mbikqyrjes nuk i shqyrtojnë me sy kritik projektet kripto të Trumpit – madje as edhe kur janë evidente problemet etike. Në kongres po shtohen thirrjet për një kontroll më të rreptë. Deputetët kërkojnë rregulla të qarta për monedhën digjitale, më shumë transparencë për sipërmarrjet si WLF dhe kushte për nëpunësit me rezerva të vetat kripto. / DW

Continue Reading

Lajme

Mbi 400 këngëtarë dhe artistë nga e gjithë bota bojkotojnë Izraelin “Jo muzikë për gjenocidin”

Published

on

By

Më shumë se 400 këngëtarë dhe artistë nga e gjithë bota njoftuan pjesëmarrjen e tyre në një bojkot kulturor për të hequr veprat e tyre nga platformat dixhitale të transmetimit të Izraelit në shenjë proteste ndaj gjenocidit të vazhdueshëm kundër palestinezëve në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Thellimi i krizës humanitare i shkaktuar nga sulmet e Izraelit në Gaza dhe imazhet e palestinezëve, veçanërisht të fëmijëve që luftojnë me urinë, vazhdojnë të shkaktojnë zemërim në botë.

Sipas gazetës izraelite “Haaretz” më shumë se 400 këngëtarë dhe artistë nga e gjithë bota janë bashkuar me një bojkot kulturor për të hequr veprat e tyre nga platformat dixhitale të transmetimit të Izraelit në shenjë proteste ndaj gjenocidit të vazhdueshëm kundër palestinezëve në Gaza.

Në kuadër të iniciativës së nisur nën sloganin “Jo muzikë për gjenocidin”, në mesin e atyre që kanë nënshkruar peticion, përfshihen grupe muzikore të tilla si ajo britanike “Massive Attack”, grupin skocez “Primal Scream” dhe grupin amerikan “Japanese Breakfast”, si dhe muzikanten amerikane Carole King, këngëtaren japoneze Rina Sawayama dhe këngëtaren daneze Mo.

Organizatorët e iniciativës lëshuan një deklaratë ku thuhet se fushata synon të bëjë presion mbi shtëpitë e mëdha diskografike si “Sony”, “Universal” dhe “Warner”, dhe t’i inkurajojë ata të bashkohen me iniciativën e bojkotit, të ngjashëm me hapat e ndërmarrë në Rusi pas sulmeve në Ukrainë.

“Vetëm kultura nuk mund t’i ndalë bombat, por mund të luftojë me presion politik, të zhvendosë drejtimin e opinionit publik drejt drejtësisë dhe të kundërshtojë normalizimin e marrëdhënieve me vendet që kryejnë krime kundër njerëzimit”, thuhet në deklaratë.

Protesta dhe bojkote në fushën e kulturës, sportit dhe artit po mbahen në shumë vende kundër gjenocidit të vazhdueshëm të Izraelit ndaj palestinezëve në Rripin e Gazës.

Continue Reading

TOP Lajme