Në Dhomat e Specializuara të Hagës ka nisur faza e mbrojtjes në gjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tij Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Gjatë kësaj jave, tre dëshmitarët e parë të mbrojtjes kanë dhënë dëshmitë e tyre ku theksi është vënë në rolin politik të Thaçit gjatë luftës dhe mungesën e autoritetit të tij komandues në UÇK.
Dëshmitarët ndërkombëtarë, përfshirë figura të njohura diplomatike dhe ligjore, kanë ofruar një pasqyrë ndryshe nga ajo e prokurorisë.
Lidhur me këtë për “Front Online” ka folur ish-gjenerali i luftës së UÇK-së, Nuredin Lushtaku.
Lushtaku ka deklaruar se e gjithë bota po e sheh padrejtësinë në Hagë.
Sipas tij, Gjykata është krejtësisht politike dhe ka synim degradinim e ish-krerëve.
“Ne dhe të gjithë Bota po e shohim që kjo gjykatë është e padrejtë dhe që po merret me gjëra të kota dhe është politike për me i degraduar njerëzit aty”, ka deklaruar Lushtaku.
Ai shpreson që drejtësia do të triumfojë.
“Shpresojmë që dëshmitarët të ndikojnë në procesin e Hagës dhe të ju lehtësohet çështja sa më shumë dhe shpresojmë që drejtësia të triumfojë”, thotë ai për Front Online.
Lushtaku kritikon qeverinë për procesin në Hagë: Populli proteston, institucionet heshtin
Ish-gjenerali i UÇK-së, Nuredin Lushtaku, për “Front Online” është prononcuar lidhur me heshtjen e institucioneve të Kosovës ndaj procesit gjyqësor në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së.
Ai thotë se institucionet kanë përgjegjësi dhe mundësi reale për të bërë më shumë.
Lushtaku ka thënë se nëse institucionet heshtin, s’ka kush merret me këtë çështje.
“Heshtja institucionale nuk është aspak e mirë se institucionet duhet të bëjnë më së shumti për ish-krerët se i kanë mundësitë sepse qytetarët përveç protestave për pakënaqësitë që kanë për çfarë po ndodh atje nuk kanëmundësi tjetër por institucionet duhet të jenë në gatishmëri. Nëse këto heshtin atëherë kush duhet me u merr me këtë çështje”, u shpreh Lushtaku për “Front Online”.