Përderisa në Kosovë vijojnë punimet, në Maqedoninë e Veriut ende nuk është hapur tenderi për fazën e projektimit të rrugës Tetovë – Prizren, shkruan Portalb.mk.
Të pyetur për ecurinë e projektit, nga kabineti i zëvendës-ministres së Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqirit, për Portalb.mk theksuan se në kohë rekord është siguruar detyrë projektuese nga Fakulteti i Ndërtimtarisë në Shkup.
“Pikat referuese të kësaj detyre projektuese tashmë janë pranuar si nga pala kosovare, ashtu edhe nga pala jonë. Sipas procedurave të nevojshme, mbetet edhe nënshkrimi final nga Fakulteti i Ndërtimtarisë, i cili pritet të sigurohet shumë shpejt”, thanë nga kabineti i Kaltrina Zekolli Shaqirit.
Nga aty shtuan se janë në bisedime të vazhdueshme me Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore, në mënyrë që menjëherë pas përfundimit të këtyre hapave të hapet tenderimi për fazën e projektimit.
“Presim që ky proces të finalizohet së shpejti, duke hapur rrugën drejt realizimit konkret të projektit strategjik që lidh Tetovën me Prizrenin”, thanë nga kabineti i zëvendës-ministres.
Nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske të Portalb.mk për këtë projekt.
Pas shumë zvarritjeve, në prill 2025 u formua grupi i përbashkët i punës midis RMV-së dhe Kosovës për këtë projekt, ndërsa takimi i parë u mbajt dy muaj më pas në qershor, ku u theksua përshpejtimi i procedurave burokratike.
Paraprakisht, nga Ministria e Transportit të RMV-së kanë bërë të ditur se është ndarë buxheti për fazën e projektimit të tunelit.
Ndryshe nga RMV-ja, në Kosovë me 13 gusht 2024 filluan punimet për rrugën Prizren – Tetovë. Paraprakisht me 2 gusht 2024 Kosova nënshkroi kontratat për realizimin e punimeve për këtë projekt. Ndërsa më 23 maj 2024 në Kuvendin e Republikës së Kosovës u miratua propozimi për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëfinancimin e punimeve në rrugën Tetovë – Prizren.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Shkup në janar 2024 , vetëm për finalizimin e dokumenteve për projektimin e tunelit që do ta lidh këtë rrugë do të duhen një vjet e gjysmë, që do të thotë deri në mes të vitit 2026.
18 muaj është afati për kompletimin e dokumentacionit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Tetovë – Prizren, ndërkaq financimi i ndërtimit të tunelit do të bëhet në vlerë proporcionale, sipas gjatësisë së tunelit në territorin e secilës anë. Kjo mes tjerash është e përfshirë në marrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren, të cilën Portalb.mk e publikoi ekskluzivisht.
Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra.
Kjo rrugë në të kaluarën është premtuar në shumë cikle zgjedhore në RMV, por pa realizim deri më tani.