Kemi dorëzuar kërkesë zyrtare në Inspektoratin Shtetëror për Energjetikë, Miniera dhe Burime Minerale dhe në Inspektoratin Shtetëror të Tregut, si dhe në Ministrinë e Energjetikës, që të konfirmojnë se cili prej tyre është përgjegjës për marrjen e masave dhe sanksionimin në rast se konsumatorët e energjisë elektrike nuk kanë qasje vizuele në njehsorët e tyre, informojnë nga Shoqata e Inxhinierëve të Republikës së Maqedonisë (INRM).
Menjëherë pas marrjes së përgjigjes së tyre, theksojnë ata, opinioni do të informohet se cili organ inspektues është drejtpërdrejt përgjegjës për trajtimin e ankesave për refuzimin e aksesit në njehsorë. Sipas INRM, mohimi i aksesit në pajisjen matëse nuk është çështje teknike, por shkelje e drejtpërdrejtë e një detyrimi ligjor dhe arsye për sanksion.
“Ndonëse njehsorët janë në pronësi të EVN-së, ato janë gjithashtu pjesë e një shërbimi publik dhe qasja në to është element i domosdoshëm i transparencës, kontrollit dhe mbrojtjes së konsumatorëve. Konsumatorët e energjisë elektrike kanë të drejtë ligjore për qasje vizuale në njehsorët e tyre, dhe çdo pengim i kësaj qasjeje nga operatori i sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike, në këtë rast EVN, përbën shkelje të Ligjit për Energjinë. Me ligjin e ri që ka hyrë në fuqi më 29 maj 2025, operatori është i detyruar të sigurojë akses vizual në pajisjen matëse, pra konsumatori mund të shohë dhe kontrollojë personalisht dhe në çdo kohë të dhënat që pajisja regjistron. Vendosja e njehsorëve në kuti të mbyllura, në lartësi të paarritshme për qytetarin, në dhoma të mbyllura dhe të padukshme për qytetarin ose të vendosur në kabinete ku matësi nuk shihet, përbën akt ligjërisht të ndaluar”, thonë nga INRM.
Ligji, shtojnë ata, parasheh gjobë nga 1.000 deri në 3.000 euro për operatorin EVN nëse nuk e përmbush këtë detyrim ligjor.
“Kjo do të thotë se çdo qytetar që nuk mund të shohë matësin e tij dhe as të kontrollojë të dhënat e futura të konsumit, ka të drejtë të bëjë ankesë dhe të kërkojë inspektimin dhe sanksionimin e operatorit. Kjo vlen edhe për rastet kur njehsorët vendosen pas rrjetës metalike, xhami që nuk lejon leximin, apo nëse ndodhen në vende të papërshtatshme dhe të pasigurta që pengojnë aksesin”, njofton INRM, duke shtuar se qytetarët duhet të jenë të ndërgjegjshëm për të drejtën e tyre për të inspektuar dhe kontrolluar konsumin e tyre dhe të inkurajohen të raportojnë çdo shkelje.