Kryetari i degës së Aleancës për Shqiptarët (ASH) në Kërçovë, Genc Selmani, ka reaguar ndaj deklaratës së publikuar nga një grup anëtarësh të nëndegës së fshatit Tuhin, të cilët pretendojnë se distancohen nga vendimi për largimin e ASH-së nga Koalicioni VLEN.
Në një demant zyrtar, Selmani ka hedhur poshtë pretendimet për “braktisje të anëtarësisë” dhe ka kërkuar që vendlindja e tij, Tuhini, të mos përdoret për qëllime përçarëse.
“Demantoj deklaratën e nënshkruar se kemi braktisje të anëtarësisë nga nëndega e fshatit Tuhin të Aleancës për Shqiptarët. Nuk dua t’i jap jehonë një tendence që synon përçarje dhe që rrezikon të zbehë lavdinë e vendlindjes sime të shenjtë dhe të tuhinasve që nga viti 2016 e tutje kanë qenë pjesë e lavdisë sonë politike,” deklaroi Selmani.
Ai theksoi se ekziston një procesverbal zyrtar i mbledhjes së nëndegës së ASH-së në Tuhin, të mbajtur më 6 tetor 2024, i cili – sipas tij – dëshmon se nuk ka ndodhur asnjë braktisje apo largim nga linja zyrtare e partisë.
“Po ju përcjell procesverbalin e kuvendit të nëndegës së fshatit Tuhin të datës 6.10.2024,” tha më tej Selmani, duke lënë të kuptohet se dokumentet zyrtare bien ndesh me pretendimet e ngritura.
Ai e mbylli reagimin me një thirrje për unitet dhe besim në procesin zgjedhor:
“Mirupafshim në zgjedhje!