Koalicioni VLEN dy net me radhë ka organizuar ngjarje partiake në shkollat e Tetovës edhe pse ligji për arsim fillor dhe ai për arsim të mesëm e ndalon një gjë të tillë, shkruan Portalb.mk.
Çfarë ndodhi?
Më 30 gusht 2025 në hapsirat e shkollës së mesme “Nikolla Shtenj”, koalicioni VLEN ka organizuar miting partiak me të rinjtë e partive politike.
Në këtë miting morën pjesë edhe kryetari i Komunës së Tetovës – Bilall Kasami, ministri i Ekonomisë dhe Punës – Besar Durmishi, deputeti – Adnan Azizi dhe të tjerë.
Në ditë më pas, më 31 gusht 2025, në hapsirat e shkollës fillore “Liria”, koalicioni VLEN organizoi miting tjetër partiak, ku u promovua kandidimi për mandatin të dytë e kryetarit aktual të Komunës së Tetovës – Bilall Kasamit, në zgjedhjet lokale të tetorit.
Në këtë ngjarje pati përfaqësues si nga qeveria, kuvendi, pushteti lokal dhe partitë politike, mes të cilëve: Izet Mexhiti – zëvendëskryeministër dhe ministër i Mjedisit, Arben Fetai – zëvendëskryeministër, Zekirija Ibraimi – kryetar i Alternativës, Besar Durmishi – ministër i Ekonomisë dhe Punës dhe të tjerë.
Ligjet janë të qarta: Ndalohen organizimet partiake në shkolla
Ligji për arsim fillor ndalon organizimet partiake në shkolla.
Neni 9 i Ligjit për arsim fillor thotë:
Në shkollë fillore ndalohet organizimi dhe veprimi partiak dhe fetar, si dhe vendosja e shenjave.
Organizimet e tilla i ndalon edhe Ligji për arsim të mesëm.
Neni 7 i Ligjit për Arsim të mesëm thotë:
Në shkollën e mesme ndalohet çfarëdo lloj i organizimit dhe veprimit politik dhe fetar. Në shkollën e mesme nuk lejohet organizimi i arsimit fetar. Në shkollën e mesme ndalohet vendosja e shenjave partiake dhe fetare.
Pushteti shkel ligjet
Por një gjë e tillë u shkel nga koalicioni VLEN i cili është pjesë e Qeverisë aktuale të RMV-së.
I pyetur nga Portalb.mk për këto shkelje, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se kjo ka ndodhur pasi shkollat deri dje nuk kanë qenë në shërbim të nxënësve, por prej sot që ka filluar viti shkollor, ai tha se kjo nuk do të përsëritet.
“Sigurisht që shkollat derisa janë në shërbim të nxënësve nuk do të ketë keqpërdorime të këtyre objekteve. E dimë që deri dje në shkolla nuk ka pasur proces mësimor. Sot nisi procesi mësimor dhe ne do të respektojmë ligjin dhe nuk do të ketë aspak keqpërdorim të objekteve shkollore”, deklaroi Kasami.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk u përgjigjen në pyetjet gazetareske nëse do të ndërmarrin masa ndaj këtyre shkeljeve.
Tubime të partiake të ngjashme nëpër shkolla së fundmi ka pasur edhe në komuna tjera të vendit, si nga VLEN-i në pushtet ashtu edhe nga AKI në opozitë.
Përndryshe, zgjedhjet lokale do të të mbahen më 19 tetor – rrethi i parë dhe 2 nëntor – rrethi i dytë.
Fushata zgjedhore për raundin e parë fillon më 29 shtator dhe do të zgjasë vazhdimisht deri më 17 tetor, ndërsa fushata për raundin e dytë zgjedhor do të zgjasë deri më 31 tetor.
Megjithatë, partitë dhe koalicionet kanë filluar që tani aktivitetet e tyre në terren,