Connect with us

Lajme ditore

Pastrimi në institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut sot kushton 2,5 herë më shumë se sa para shtatë vjetëve

Published

on

Tenderi i fundit për pastrimin e Vilës “Vodno” dhe institucioneve të tjera shtetërore parasheh një çmim prej 73,73 denarësh për metër katror në muaj për mirëmbajtjen e higjienës në mjediset e brendshme. Kjo është një rritje e çmimit prej pothuajse 50% krahasuar me tenderin paraprak në vitin 2022 (49,53 denarë/m2) dhe rreth 230% krahasuar me vitin 2018 (32,12 denarë/m2), shkruan 360 Gradë, transmeton Portalb.mk.

Drejtori i Shërbimit qeveritar për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta thotë se rritja e çmimit para së gjithash është për shkak të rritjes së pagës minimale. Por në të njëjtën kohë, nuk ka një trend kaq të theksuar të rritjes së çmimeve për mirëmbajtjen e hapësirave të jashtme.

Vila “Vodno” është zyra e punës e presidentit të shtetit. Kështu që pa dyshim që ajo duhet të jetë gjithmonë e pastër dhe funksionale. Jo vetëm për shkak të delegacioneve që vijnë atje.

I gjithë shteti duhet të jetë i pastër, por kjo është një temë tjetër. Shërbimi i Punëve të Përgjithshme dhe të Përbashkëta i Qeverisë kujdeset për mirëmbajtjen dhe higjienën e Vilës “Vodno”, si dhe të objekteve të tjera të administratës shtetërore. Kjo bëhet përmes tenderëve periodikë, përmes të cilëve angazhohen kompani për pastrim dhe mirëmbajtje.

“Kontratën e fundit për pastrim ShPPP e nënshkroi pak kohë më parë, gjegjësisht në fund të muajit maj të këtij viti. Atë e fitoi kompania “Sted – Komerc”, me një ofertë prej rreth një milion euro. Pjesën e mirëmbajtjes, me vlerë shtesë prej 800 mijë eurosh, e fitoi “Bigor Cleaning”. Vlera e përgjithshme e të dy kontratave arrin rreth 1,8 milion euro. Arsye të mjaftueshme për të bërë pyetje.

Filluam duke krahasuar çmimet për shërbimet në tenderët e fundit, me ato paraprak – nga viti 2022. Kur bëhet fjalë për mirëmbajtjen e higjienës në një hapësirë ​​të brendshme, çmimi është rritur nga 49,53 denarë në 73,73 denarë. Ose, për tre vjet kjo është një rritje prej rreth 49 përqind. Mirëmbajtja, nga ana tjetër, është bërë më e shtrenjtë dhe atë nga 39,11 në 55 denarë, që është 40 përqind më shumë për tre vjet.

Ky konstatim ishte bazë për pyetjen tonë të parë drejtuar drejtorit të Shërbimit të Punëve të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, i cili pranoi të jepte intervistë. Ivica Tomovski u përgjigj se rritja e çmimit është e arsyetuar në treg.

“Vlera e parashikuar e këtij prokurimi është rritur nga udhëheqësia e mëparshme. Pra, në planin për prokurimet publike ata kanë paraparë një rritje të çmimit për 30% dhe unë u pajtova me këtë sepse paga minimale është rritur për disa herë. Në këtë biznes njerëzit zakonisht punojnë për pagë minimale… Kjo është arsyeja për një çmim kaq të lartë. Sepse kur e rritni pagën minimale, gjithçka tjetër rritet. Edhe çmimi i pastrimit për metër katror dhe preparatet dhe mjetet dhe gjithçka rritet”, tha Tomovski.

Duke e konsideruar pagën minimale si një shpenzim kyç, Tomovski na tha se në kontratat e fundit ekziston një klauzolë sipas së cilës palët kontraktuese kanë të drejtë t’i ndryshojnë çmimet nëse ka ndryshime në Ligjin për Pagën Minimale.

Por kjo gjë bëri që të lindin pyetje shtesë.

Kur bëhet fjalë për mirëmbajtjen e higjienës së mjediseve të jashtme, çmimi për metër katror në tenderin e vitit 2022 ishte 6,39 denarë në muaj, ndërsa në vitin 2025 jo vetëm që nuk u rrit, por edhe u ul – dhe atë në 6,24 denarë për metër katror në muaj.

Nga ana tjetër mirëmbajtja në vitin 2018 ka kushtuar 20,92 denarë për metër katror në muaj, që do të thotë se për shtatë vjet është rritur për 260 përqind.

Rritja e çmimeve në përqindje duket e madhe edhe kur merret parasysh rritja e pagës minimale dhe inflacioni.

“Së pari, për gjashtë vjet nuk kanë bërë asnjë ndryshim në çmimet e mëparshme, ndërkohë që ka pasur rritje të pagës minimale. Nuk po flasim për tre vitet e fundit, por për gjashtë vjet dhe kjo është një pjesë ku ato përqindje janë mbledhur për të bërë një nivelim. Për tenderin e mëparshëm kanë punuar 25 persona në pjesën e higjienës, për tenderin e ri 43 persona. Mirëmbajtja sipas tenderit të ri 13 persona, sipas tenderit të vjetër 8, ndërsa kur i mbledhim sipërfaqet e të gjitha mjediseve, tani pastrohen dhe mirëmbahen mbi 50.000 metra katrorë, ndërsa më parë 30.000 metra katrorë. Nëse i mbledhim të gjitha këto të dhëna që i prezantova, atëherë çmimi është i arsyeshëm”, thotë drejtori i ShPPP-së.

Duke marrë parasysh se sa shpejt rritet çmimi i këtyre shërbimeve, lind dilema – a është ndoshta më mirë që vetë institucionet të punësojnë përsëri punonjës për higjienë dhe mirëmbajtje?

“Ne bëmë edhe analiza që t’i marrim ne këta punonjës, të punojnë për ne, por me pagën minimale ose më të ulët që mund ta paguajmë ne si ShPPP, bëra një përllogaritje të përafërt dhe rezulton se për një tender për tre vjet vetëm për higjienë, të cilin kompanitë e fituan për 61 milionë, do të duhet të paguajmë 84 milionë dhe kjo vetëm mbi bazë të pagave, pa e përfshirë këtu punën e kaluar, pajisjet, mjetet dhe produktet për higjienë”, tha Tomovski.

Ndërsa çmimet e numrit më të madh të tenderëve, përfshirë këtu edhe ato për pastrim dhe mirëmbajtje, në një masë të konsiderueshme varen nga konkurrenca – sa më shumë konkurrentë, aq më të lira janë mallrat dhe shërbimet.

Edhe pse tenderët për pastrim dhe mirëmbajtje vlejnë qindra mijëra, madje edhe miliona euro, në tenderin e fundit kishte vetëm dy ofertues. Nuk ka ndryshuar shumë gjatë këtyre viteve.

“Ka një lloj kufizimi në atë pjesë të kompanive. Mund të them me siguri se i kemi ulur kriteret, unë nuk i kam ulur 100 përqind, por në fund të fundit bëhet fjalë për një shtet dhe dua që ulja të jetë hap pas hapi, ndërsa konkurrenca të rritet. Prisja më shumë konkurrencë për shkak të uljes së kushteve, kishte interes dhe pyetje, por kjo është ajo që është, kaq kompani aplikuan, e realisht të shpallet një tender për një shtet, që e mbulon të gjithë vendin, e të jetë pa as një kriter të vetëm, edhe kjo nuk mund të bëhet”, tha Tomovski.

Kompania që është zgjedhur për mirëmbajtjen e Vilës “Vodno 1”, dhe institucioneve të tjera, është pjesë e grupit të zgjedhur për pastrimin dhe mirëmbajtjen edhe të objekteve të tjera të administratës shtetërore. Bëhet fjalë për një tender të veçantë që u zhvillua në fund të vitit të kaluar dhe në të cilin gjithashtu nuk pati konkurrencë të madhe. Çmimi i përgjithshëm për të ishte rreth 9,6 milionë euro.

Si këto ashtu edhe kontratat e fundit janë të lidhura për një afat kohor prej tre vjetësh. Që do të thotë se çështja e çmimeve, konkurrencës dhe racionalitetit do të rihapet sërish në fillim të vitit 2028./Portalb.mk/

Continue Reading

Lajme

Qindra shtëpi të lagjes 146 në Tetovë, prej më shumë se dy dekada përballen me mungesën e ujit të pijshëm

Published

on

By

Qindra shtëpi të lagjes 146 në Tetovë, prej më shumë se dy dekada vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Banorët thonë se ujin e sigurojnë përmes çezmës në pjesën e poshtme të lagjes, ose blejnë nga dyqani. Punimet kanë filluar, ndërsa banorët kërkojnë përshpejtim pasi situata është e padurueshme.

“Ujë kemi por i turbullt është, ujë të turbullt kemi. Një orë ka dhjetë nuk ka. Në këto temperatura paramendoje ma si jemi. Kemi shpresë se do na e sjellin ujin sepse na kanë premtuar, por a do të bëhet apo jo nuk e dimë. Kanë filluar punimet, por a do vazhdojnë apo jo se di. Na ka premtuar se do na e sjellin ujin”, tha një banor.

“Lagja Bregu i Diellit nuk ka ujë të pijshëm, nga puset cisternat mbushim kështu mbytemi tash e 25 vite me radhë. Thonë se punojnë atje dhe janë duke u përpjekur ta furnizojnë lagjen me ujë të pijshëm. Premtime kemi tash e 25 vite gjitha strukturat na kanë rrejt vazhdimisht”, u shpreh një banor.

Kreu i komunës së Tetovës Bilall Kasami tha se punimet kanë nisur, por për shkak të terrenit të papërshtatshëm, punët shkojnë ngadalë.

“Po punohet intensivisht lartë. Për momentin në komunë të Tetovës janë mbi pesë projekte që janë duke u realizuar. Në këtë situatë nuk bëjmë fushatë, andaj nëse doni, mund bashkë të dalim dhe të shohim punimet që bëhen, por, terreni është shumë i papërshtatshëm dhe punimet nuk ecin ashtu siç duam ne. Por në momentin që po flasim ka punime në terren, unë besoj që shpejtë edhe ky ujësjellës do jetë në përdorim për qytetarët e lagjes 146”, deklaroi Bilall Kasami.

Përveç mungesës së ujit të pijshëm, një pjesë e shtëpive të kësaj lagjeje, përballen edhe me problemin e legalizimit të shtëpive të tyre, sepse një pjesë e madhe e tyre, përkatësisht rreth 60 të, janë të ndërtuara në tokë që i takon Bashkësisë fetare Islame.

Continue Reading

Lajme

ASH: VLEN nuk mund të fshihet pas gënjeshtrave: Diskriminimi etnik vazhdon edhe në drejtoritë që vetë i udhëheq

Published

on

By

Pavarësisht përpjekjeve për të krijuar iluzionin e barazisë dhe përfaqësimit, të dhënat konkrete zbulojnë të vërtetën e hidhur për qeverisjen e VLEN-it. Vetë drejtuesit e tyre krenohen me faktin se në Shoqërinë Aksionare për Ushtrimin e Veprimtarisë Energjetike – NOMAGAS Shkup, në konkursin e fundit publik janë punësuar 8 shqiptarë nga 18 vende pune.

Nëse kësaj i shtojmë edhe statistikat e mëparshme – nga 84 punësime, vetëm 11 shqiptarë, rezulton se tani janë 102 punësime, prej të cilave vetëm 19 shqiptarë. Kjo do të thotë jo më shumë se 18.6% përfaqësim shqiptar, një përqindje që nuk e përmbush as minimumin e garantuar me ligj, e jo më të jetë sukses.

Ndërkohë, VLEN mashtron publikisht duke pretenduar se ka arritur përfaqësim 44.4%. Në të vërtetë, ka dështuar të korrigjojë padrejtësinë shumëvjeçare dhe diskriminimin etnik në këtë ndërmarrje shtetërore, edhe pse kishte mundësinë dhe kompetencën ta bënte.

Ky është realiteti: edhe aty ku VLEN është në krye, nuk guxon të sfidojë strukturat e vërteta të pushtetit, pasi kufijtë e veprimit i ka të përcaktuar nga patronët e tyre politikë – Hristijan Mickoski dhe Stojançe Angelov.

VLEN nuk është qeveri e shqiptarëve, por është vegël në duart e politikave që i shohin shqiptarët si numra për vota dhe jo si qytetarë me të drejta të barabarta.

Për këtë arsye, Aleanca për Shqiptarët ka braktisur këtë qeveri diskriminuese, sepse nuk mund të jetë pjesë e një pushteti që simbolikisht emëron shqiptarë drejtorë, por realisht ua mohon të drejtën për të barazuar përfaqësimin në institucionet që drejtojnë.

Ne do të vazhdojmë të denoncojmë çdo shkelje të barazisë, çdo manipulim me opinionin, dhe çdo përpjekje për ta shitur padrejtësinë si sukses.

Barazi nuk ka, kur shqiptarët nuk përfaqësohen denjësisht. Barazi nuk është shifër false, por standard real, që me VLEN nuk përkon as për së afërmi.

Aleanca për Shqiptarët

Continue Reading

Lajme

Prej sot filloi regjistrimi elektronik i nxënësve nëpër shkollat e mesme publike

Published

on

By

Nga sot, 14 qershor deri më 17 qershor në mesnatë, zgjat afati i parë për regjistrim elektronik të nxënësve që do të fillojnë mësimin në vitin e parë të shkollave të mesme publike në shtator për vitin akademik 2025/2026.

Regjistrimi kryhet përmes sistemit të shërbimeve elektronike të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, i disponueshëm në https://e-uslugi.mon.gov.mk, duke u kyçur përmes llogarive të tyre të përdoruesit në platformën schools.mk.

Pas përfundimit të regjistrimit elektronik, nxënësit duhet të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm në shkolla më 18 qershor (nga ora 8:00 deri në 19:00) dhe më 19 qershor (nga ora 8:00 deri në 17:00).

Lista përfundimtare e renditjes me rezultatet e regjistrimit dhe vendeve të lira do të publikohet më 20 qershor 2025, jo më vonë se ora 12:00, në hapësirat e shkollave ose në faqen e saj të internetit.

Në shkollat ​​ku është planifikuar testimi kualifikues, ai do të kryhet më 23 qershor, kur do të shpallen rezultatet.

Afati i dytë për regjistrim elektronik në periudhën e regjistrimit të qershorit do të mbahet më 30 qershor 2025, nga ora 00:00 deri në orën 23:59.

Dokumentacioni do të dorëzohet më 1 korrik, nga ora 10:00 deri në orën 19:00. Lista përfundimtare e renditjes do të publikohet më 2 korrik, dhe testimi kualifikues për këtë periudhë do të mbahet më 4 korrik 2025.

Periudha e regjistrimit të gushtit do të realizohet më 21 gusht 2025, nga ora 00:00 deri në orën 15:00 elektronikisht, kur dokumentacioni i nevojshëm do të dorëzohet në shkolla në të njëjtën kohë. Lista përfundimtare e renditjes do të publikohet më 22 gusht 2025.

Continue Reading

TOP Lajme