Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim lidhur me projektligjin e ri që po “gatuhet” në fshehtësi për lojërat e fatit, i cili pritet të miratohet në ditët në vijim dhe që, ndryshe nga premtimet elektorale të VLEN-it, nuk përmban asnjë masë për mbylljen apo kufizimin e tyre. Përkundrazi, ky ligj fuqizon edhe më tej industrinë e bixhozit në vend.
Premtimet elektorale për mbylljen e lojërave të fatit në afërsi të shkollave dhe zonave të banuara u zhdukën sapo VLEN-i erdhi në pushtet. Projektligji që po përgatitet nuk parashikon as distancë fizike të detyrueshme nga institucionet arsimore, dhe as ndalim të funksionimit të pikave të basteve në zonat urbane me densitet të lartë.
Në vend të masave mbrojtëse për shoqërinë, ligji i ri parashikon vetëm rritje të vlerës së licencave dhe tatimeve, duke e kthyer shtetin – dhe për pasojë qeverinë aktuale – në ortak të drejtpërdrejtë financiar të industrisë së bixhozit.
Qytetarët në çdo lagje, shkollë e qytet janë dëshmitarë të shtimit të vazhdueshëm të kazinove dhe bastoreve, në vend që të shohin mbylljen e tyre, siç ishte premtuar.
Në këtë drejtim, emërimi i Ahmet Miftarit, bashkëpunëtor i afërt i Izet Mexhitit dhe anëtar i Lëvizjes Demokratike, në Bordin e Lotarisë Shtetërore, duke u kontrabanduar si kuadër i VMRO-së, konfirmon kapjen e institucioneve nga klientela politike dhe lidhjet me industrinë e bixhozit.
Po ashtu, heshtja e ministrit të Ekologjisë, Izet Mexhiti, për shkatërrimin masiv të pyjeve nga kompania “Sportlife” – pronë e Gjoko Sterjoskit, një nga emrat më të njohur të industrisë së bixhozit – ngre dyshime serioze për pengmarrjen politike dhe financiare të zyrtarëve të lartë të VLEN-it.
Aleanca për Shqiptarët pyet publikisht drejtuesit e VLEN-it:
• A është e vërtetë informata për premtime të sponsorizimit të fushatës zgjedhore nga kompania “Sportlife”?
• A po ju financojnë portalet, llotaritë dhe subjekte të tjera të industrisë së bixhozit?
• A jeni të përfshirë në hartimin e ligjit të ri për lojërat e fatit, i cili po përgatitet larg syve të opinionit publik dhe që planifikoni ta kontrabandoni në Kuvend së shpejti?
Aleanca për Shqiptarët kërkon informim të plotë të publikut dhe debat të gjerë shoqëror, me qëllim hartimin e një projektligji të ri që ndalon përhapjen e lojërave të fatit në afërsi të shkollave dhe zonave të banuara.
Qeveria dhe VLEN kishin mundësinë të sillnin ndryshim – por zgjodhën të bëhen partnerë të kazinove, në kundërshtim të hapur me premtimet e tyre. Një tjetër gënjeshtër ndaj qytetarëve shqiptarë.
Aleanca për Shqiptarët