Shoqëria Kulturore Artistike “Jahi Hasani” nga Çegrani i Gostivarit rrëmbeu vendin e parë në edicionin e 18-të të festivalit “Lojëra Popullore Fest” në Bashkinë Malësi e Madhe Shkodër. Energjia e grupit, harmonia e koreografisë dhe autenticiteti i lojërave të prezantuara i dhanë shfaqjes një karakter të veçantë, duke treguar se tradita jo vetëm ruhet, por edhe përcillet me krenari tek brezat e rinj, shkruan Portalb.mk.
Në skenën e edicionit të 18-të të festivalit “Lojëra Popullore Fest” në Malësinë e Madhe, artistët e Shoqërisë Kulturore Artistike “Jahi Hasani” nga Çegrani i Gostivarit u prezantuan me një paraqitje të fuqishme, që ndërthurte artin, traditën dhe emocionin kolektiv. Të veshur me kostume tradicionale shumëngjyrëshe, të qëndisura me motive autoktone shqiptare, ata sollën para publikut bukurinë e zakoneve dhe lojërave popullore të trashëguara brez pas brezi.
Ky prezantim i denjë dhe i paharrueshëm ishte arsyeja pse juria vendosi t’i shpërblejë me çmimin e parë, duke e kurorëzuar Shoqërinë “Jahi Hasani” si fituese të këtij edicioni të festivalit.

Festivali “Lojëra Popullore Fest” synon të promovojë dhe të ruajë traditat e vyera të trashëgimisë kulturore të kësaj treve, përmes lojërave popullore që kanë qenë pjesë e jetës së përditshme të brezave ndër vite.
Në këtë festival u përfaqësuan grupet artistike të të rinjve nga bashkia Malësi e Madhe, që performuan lojëra popullore të zonës si dhe këngë e valle tradicionale popullore. Qëllimi i festivalit është të krijojë ura lidhëse mes brezave, duke i afruar të rinjtë me rrënjët e kulturës së tyre dhe duke sjellë përpara publikut lojërat tradicionale që mbajnë gjallë shpirtin e trashëgimisë sonë.
Aktiviteti u zhvillua në një atmosferë festive, me pjesëmarrje të gjerë të komunitetit lokal, të ftuarve dhe dashamirësve të kulturës popullore, duke ofruar një përjetim të veçantë, plot ngjyra, emocion dhe energji pozitive.
Ky aktivitet u mbështetet nga bashkia Malësi e Madhe, duke e shndërruar këtë festë në një mundësi të mrekullueshme për komunitetin që të bashkohet, të argëtohet dhe të rikujtojë vlerat e identitetit tonë kulturor.
