Editorial nga PressOnline.al
Zgjedhjet lokale të vitit 2025 nuk janë thjesht një përballje personale mes Bujar Osmanit dhe Izet Mexhitit. Në thelb, ato janë një referendum qytetar për të zgjedhur midis dy rrugëve: një politike të konsumuar që mbahet gjallë me retorikë të vjetër dhe strukturë klienteliste – dhe një politike moderne që ka vizion, përvojë shtetërore dhe ide konkrete për të ardhmen.
Izet Mexhiti është mishërimi i modelit të vjetër: një politikë që jeton nga tensionet, nga përçarja, nga e kaluara, nga e ashtuquajtura “fuqi në terren” që më shumë shërben për të ruajtur pozitat e pak njerëzve, sesa për të ndërtuar projekte që ndryshojnë jetën e qytetarëve. Për vite me radhë, qytetarët e kanë parë këtë model: shumë zhurmë, shumë premtime dhe, në fund, pak punë konkrete që mbetet pas.
Çfarë ka ofruar realisht Mexhiti për komunën në këto dekada në politikë? Shumë prej gjërave që përmend si arritje janë ose punë të nisura prej të tjerëve, ose projekte minimale që as nuk e afrojnë komunën me standardet që qytetarët meritojnë. Ai flet për “mbrojtje të interesave shqiptare”, por realisht ofron vetëm mbrojtjen e interesave të rrethit të tij politik.
Përballë këtij modeli të konsumuar, Bujar Osmani përfaqëson një qasje tjetër: një politikë që mbështetet tek profesionalizmi, bashkëpunimi me institucionet dhe hapja ndaj qytetarëve. Ai nuk ka nevojë për tensione dhe as për grupe presioni për të udhëhequr. Përkundrazi, ka ndërtuar karrierën e tij mbi besimin, kompetencën dhe punën konkrete.
Bujar Osmani nuk vjen nga politika e fjalëve të mëdha dhe e kulisave të vogla. Ai vjen nga një përvojë konkrete: ministër i Jashtëm, ministër Shëndetësie, zëvendëskryeministër për eurointegrime – poste ku matet rezultati, jo propaganda.
Komunës nuk i duhen më njerëz që dinë vetëm të bëjnë presion dhe të grumbullojnë vota me retorikë të viteve ‘90. Komunës i duhet një vizion europian: projekte që sjellin investime, infrastrukturë moderne, mbështetje reale për të rinjtë, digjitalizim dhe një administratë që punon për qytetarin, jo për partinë.
Një model i vjetër që rrotullohet në vend dhe që mendon vetëm për betejat e brendshme partiake. Apo një model i ri që e hap komunën ndaj botës, që sjell zhvillim, që vendos rininë dhe qytetarin në qendër.
Viti 2025 është koha për ta mbyllur kapitullin e politikës së vjetër të Izet Mexhitit. Është koha për të zgjedhur punën, jo propagandën; zhvillimin, jo tensionin; të ardhmen, jo të shkuarën. Është koha për të votuar Bujar Osmanin.