I ftuar në emisionin “Klan Debat” në Klan M, Ziadin Sela nga koalicioni Fronti Evropian, në përgjigjen e tij ndaj statusit të Arben Taravarit në facebook, ai tha se Fronti Evropian nuk ka gënjyer në asnjë moment sepse ka fituar një numër të konsiderueshëm votash më shumë se kundërshtarët dhe është koalicioni që e ka legjitimitetin e popullit.
“Humbi në vendin e tij dhe sësrish nuk e pamë që të tërhiqet. Këto lloj statusesh në facebook nuk janë për t’u komentuar sepse i shërbejnë asaj garës që unë e quaj gabim, faktorit politik shqiptarë i duhet unifikim qëndrimi, tryezë bisedimesh, dhe jo për të bërë garë se kush është më i afërt me Mickoskin, apo me ndonjë mandatarë tjetër. Ky lloj mesazhi që është dhënë ne jemi pjesë e qeverisë, tregon se ky ka jarani me këto të cilët kanë marrë mandatin dhe në emër të kësaj jaranie flet me siguri, ndërkohë që i mungon ajo më e rëndësishmja të marrësh mandat në demokraci, ku fatin e tiju ia delegon qytetari”, tha Sela.
Kujtojmë që Ziadin Sela njihet një humbës serik i cikleve zgjedhore, ndërsa Taravari një fitues ku dhe në zgjedhjet e fundit presidenciale Arben Taravari në lagjen e tij në Gostivar doli fitues me 424 vota ndërsa kundër kanditai nga Bujar Osmani nga koalicioni Froni Evropian 332 vota, ndërsa në vendvotimin 421 ku voton Taravari rezultati ishte 67 vota për te dhe 45 për Osmanin.
Kandidati i Aleancës për Shqiptarët dhe Aleancës Kombëtare për Integrim për komunën e Sarajit, Blerant Ramadani, premton zgjidhje për ujësjellësin, rrugët dhe kanalizimin brenda dy viteve, aplikacion për transparencë dhe projekte për turizmin, rininë dhe zhvillimin ekonomik të komunës. Në intervistë për Portalin PressOnline.al, ai flet edhe për planin e zhvillimit të Liqenit Treska, ndërtimin e qendrës rinore dhe përkrahjen e sportit lokal.
Cili është vizioni juaj për Sarajin në katër vitet e ardhshme?
Vizioni im për Sarajin është që në katër vitet e ardhshme komunës së Sarajit t’ia ndryshojmë pamjen dhe komunën e Sarajit ta ngrejmë një nivel më lartë. Komuna e Sarajit është pjesë e qytetit të Shkupit dhe nuk duhet të trajtohet si komunë rurale, por ajo duhet të integrohet plotësisht në komunën e Qytetit të Shkupit, në kryeqendrën e vendit, ashtu që edhe nesër të trajtohet si e tillë. Ne planifikojmë që në dy vitet e para t’i realizojmë të gjitha nevojat primare për komunën tonë, ashtu që paralelisht të punojmë në investime dhe projekte zhvillimore, ashtu që komuna jonë ta merr statusin e një komune urbane.
Nëse fitoni, cilat do të jenë tre prioritetet e para që do të filloni t’i zbatoni menjëherë?
Nëse fitoj një ndër prioritetet kyçe në 100 ditëshin e parë të formoj një task forcë, apo një ekip, e cila do t’i detektoj të gjitha nevojat primare që i kanë qytetarët e komunës së Sarajit dhe do të shkojmë me një plan aksional detal që në dy vjeçarin e parë ne t’i mbyllim të gjitha nevojat për ujë të pijshëm, për rrugë të sigurta dhe për kanalizim. Me këtë ne do t’i mbyllim nevojat e para të bashkëqytetarëve tanë të Sarajit, ashtu që paralelisht do të punojmë në ngritjen e projekteve zhvillimore, si në arsim, si në kulturë, si në ekonomi, si në bujqësi, si dhe në sfera tjera të cilat janë të rëndësishme për komunën tonë.
Çfarë ndryshimi konkret mund të presin qytetarët e Sarajit nga ju, që nuk e kanë parë te kryetarët paraprak?
Realisht, edhe në fushatë në start do ta prezantojmë edhe një aplikacion që do të quhet “Komuna Jonë”. Jemi duke e zhvilluar bashkë me kolegë programerë, ku çdo qytetar do të ketë qasje të raportojë, të japë propozime 24/7. Duhet të formohet një ekip, i cili brenda 24 orëve duhet t’u japë përgjigje kërkesave apo raportimeve të qytetarëve, ashtu që qytetarët të jenë të lidhur me komunën.
Komuna do të jetë e hapur, do të jetë transparente, çdo tenderim, çdo njoftim, çdo projekt do të jetë e ndarë me opinionin e gjerë, me bashkëqytetarët tanë të Sarajit. Ne udhëheqjen e komunës nuk e shohim vetëm si udhëheqësi, por e shohim edhe si shërbim për qytetarët e komunës së Sarajit, prandaj në këtë mënyrë ne duam edhe ata t’i kyçim në vendimmarrje, për projekte më të mëdha konkrete ne do të kërkojmë edhe miratimin e qytetarëve, ashtu që ata të kyçen në përkrahje ose në votim se ai projekt a duhet të realizohet për komunën apo jo. Çdo iniciativë e rëndësishme do të jetë e inicuar në bashkëpunim me qytetarët e komunës së Sarajit.
A keni një plan konkret për përmirësimin e rrugëve lokale dhe lidhjen më të mirë të fshatrave me qytetin?
Domethënë, në dy vitet e para do të mbyllen nevojat primare siç e thamë, por ne duhet të punojmë edhe në rregullimin e infrastrukturës, konkretisht rrugët kryesore që i lidhin dy krahët e Dervenit apo komunës sonë. Pasi që disa propozime janë të lidhura konkretisht me Qytetin e Shkupit, nuk janë vetëm në kompetencë të komunës së Sarajit, përfaqësues nga komuna e Sarajit kanë dhënë propozim në Planin Gjeneral që duhet të realizohet nga ana e Qytetit të Shkupit që të futet në plan rrethrrotullimi që i lidh të dy krahët e Dervenit, konkretisht prej hyrjes në Kondovë, Kondovë – Radushë dhe pjesa Saraj – Bojanë, aty të planifikohet një rrethrrotullim, të planifikohet bulevardi në rrugën kryesore në Saraj me rrethrrotullime në akset kyçëse, drejt komunës, kyçja për në Lubin dhe pjesa lartë në dalje të rrugës kryesore, ashtu që të lehtësohet komunikacioni.
Prioritet do të ketë edhe pjesa e rregullimit të trotuareve ashtu që ecja e fëmijëve tanë, grave dhe pleqve të jetë e sigurtë dhe në kushte moderne. Ne do të punojmë jo vetëm në ngritje të infrastrukturës, por edhe në modernizimin e saj. Ky është pra një projekt që e lidh, kyçjen ndërmjet dy krahëve të Dervenit deri te pjesa lartë kryesore e rrugës së Sarajit, pastaj do të inicohet edhe ndërtimi i urës ndërmjet fshatit Kondovë dhe Lubin, ku do të lidhen përsëri dy krahët e Dervenit.
Ajo urë ishte ide e përbashkët që të quhet “Bashkë për Sarajin”, e cila do ta simbolizon një koalicion shumë të rëndësishmë gjithëshqiptarë, ndërmjet dy partive më të mëdha shqiptare që nuk ka ndodhë prej 2001-shit e këndej, kështu që do të jetë një simbolikë në vete ndërtimi i asaj ure, por edhe do të lehtësojë komunikacionin për hyrjen kryesore në Saraj. Ne duhet të inicojmë edhe ndërtimin e rrugës alternative për liqenin e Matkës, që fatmirësisht shtohet fluksi i turistëve dhe duhet të planifikojmë një kyçje të tyre prej në autoban në liqenin e Matkës. Por, gjithashtu duhet të planifikojmë dhe inicojmë kyçje të rrugës së zonës industriale, dmth kyçja e rrugës së zonës industriale drejt në autoban dhe në këtë formë bizneset që janë atje dhe bizneset e reja që do të ndërtohen atje do të kenë kyçje drejtpërsëdrejti në autoban. Do të jetë lehtësim për ta, por edhe për qytetarët që të mos ngarkohet komunikacioni në rrugën kryesore në Saraj.
Si do ta trajtoni çështjen e ujësjellësit, kanalizimit dhe ndotjes mjedisore që shpesh përmenden nga banorët?
Ne, në 100 ditëshin e parë do të prezantojmë një plan konkret me qytetarët se si brenda dy viteve do t’i mbyllim të gjitha temat për ujë të pijshëm, për rrugë lokale dhe kanalizim. Ky plan do të hartohet bashkë me qytetarët dhe ekspertë brenda komunës, ashtu që do të caktohen prioritet e larta, të mesme dhe prioritetet e ulëta. Mirëpo, targeti është brenda dy viteve në komunën e Sarajit të mos flitet më për ujë të pijshëm dhe kanalizim, apo rrugë lokale, kjo të mbyllet si temë, ashtu që Sarajin përsëri po e potencoj, ta çojmë drejt një zhvillimi të një komune urbane, me projekte konkrete për turizëm, për zhvillim ekonomik, për arsim, për aktivitete rinore, sportive e kështu me rradhë.
Sa i përket elementit apo konceptit të ekologjisë, jemi duke diskutuar me një grup inxhinierësh për ndërtimin e një qendre për reciklim, konkretisht ajo do një strategji paksa më të posaçme, pasi që për të ndërtuar një qendër reciklimi duhet të nisë nga qytetarët, konkretisht duhet të nisë nga faza e reduktimit fillimisht, selektimit, por pastaj përpunimit. Ajo tre herë e famshme. Komuna jonë ka hapësirë për të ndëruar një qendër reciklimi, e cila do të jetë model se si përpunohen mbetjet në nivel republikan. Kemi një model slloven që do ta marrim si shembull për ta implementuar në komunën tonë.
Çfarë hapash do të ndërmerrni për të krijuar hapësira për rininë e Sarajit?
Patëm një aktivitet me Forumin Rinor të subjekteve politike, po edhe bashkë me rininë, unë jam ligjërues në universitet që tetë vite dhe jam shumë i lidhur me studentë dhe me pjesën e rinisë, kështu që për ato kemi paraparë ndërtimin e një qendre rinore, ndërtimin e një shtëpie kulture bashkë me një bibliotekë dhe ndërtimin e një muzeu.
Gjithashtu, kemi paraparë edhe ndërtimin e hapërsirave ku do të jenë të pozicionuara klubet sportive, fokusi i veçantë nuk do të jetë vetëm për futbollin, por do të jetë edhe për basketbollin, volejbollin dhe për sporte tjera, ashtu që të kyçen në aktivitete sportive dhe në klube sportive, edhe meshkujt edhe femrat, me qëllim që t’ju mundësohen kushte të barabarta për të qenë pjesë e aktivitetit sportiv. Unë dua të informoj edhe për idenë e hapjes së një qendre inovative, e cila do të quhet “InoSaraj”.
Ajo qendër do të ketë për qëllim që t’i targetojë talentët që nga shkolla fillore dhe t’ju japë atyre përkrahje në trajnime, t’ju japë përkrahje në rrjetëzimin me ekspertë, ashtu që t’i targetojnë drejtimet, t’i targetojnë talentet e tyre dhe t’i udhëheqin deri në formimin e një biznesi të vogël apo ndonjë ideje që mund të jetë në shërbim të komplet komunës. Ideja tjetër është edhe për formimin e një fondi për jetimët, që të kemi një përkujdesje institucionale ndaj jetimave. Ne nuk planifikojmë vetëm dhënien e bursave për jetimët, por edhe përcjelljen e tyre prej në shkollim fillor derisa ata të arrijnë moshën e pjekurisë, pasi që besojmë se ata kanë nevojë për një përkujdesje që u mungon, që ne tjerët e kemi. Planifikojmë që komuna të jetë një dorë e zgjatur, e përkdhelur nga jetimave që t’ju mundësoju atyre kushte dhe hapësira sikur të gjithë ne.
Poashtu, e kemi të paraparë edhe hapjen e një qendre për personat me aftësi të kufizuara, fatkeqësisht numri i personave me aftësi të kufizuara është në rritje, por ne si komunë do të kemi një plan konkret se si do i trajtojmë dhe do i ndihmojmë, konkretisht familjet të cilat janë të sprovuara dhe famijet të cilat kanë persona me aftësi të kufizuar në rrethin e tyre. Komuna do të ofrojë një dorë të zgjatur për ndërtimin e një institucioni, ajo do të jetë ndoshta institucion komunal, por mund të jetë edhe me një partnership publiko-privat, do t’i thërrasim bizneset lokale të komunës sonë për të kontribuar dhe për t’ju ofruar kushte trajtimi kësaj kategorie që janë vëllezërit dhe motrat tona, që janë pjesë e jetës sonë të përditshme.
A keni plan për përmirësimin e shkollave dhe kushteve mësimore në këtë komunë?
Patjetër që po, arsimi si për mua, si për neve është pjesë e ndijshme, por është edhe pjesa më vitale e një kombi. Për këtë ne do të parashohim ndjekjen e trendeve moderne në arsim, do të parashohim trajnimin e mësimdhënësve me teknologjitë e reja, me njohuritë e reja ashtu që ata të kenë mundësi që ato njohuri t’i përcjellin tek nxënësit tanë, do të mundësojmë kushte nëpër shkolla, me tabela smart, me ofrimin e laboratëve stem, ashtu që t’i detektojmë nxënësit që kanë aftësi për shkenca natyrore, nxënësit që kanë aftësi në sport dhe në lëndë të ndryshme unë besoj se një model i instaluar për detektuar potencialin dhe talentin e nxënësit mund të jetë shumë i dobishëm që nesër ata të marrin drejtimin e duhur drejt jetës së tyre studentore dhe nesër ata të gjejnë një punë për të siguruar ekzistencën dhe normal për të kontribuar për komunën e Sarajit dhe për vendin në përgjithësi.
Sporti është shumë i zhvilluar në Saraj, por shpesh mungojnë terrenet e duhura. Si do ta përkrahni sportin dhe klubet lokale?
Në komunën tonë kemi sportistë të jashtëzakonshëm, futbollistë të dalluar, unë kam ushtruar në klubet sportive të komunës sonë.E di sa është e nevojshme përkrahja për këto klube, në veçanti e komunës, por edhe të sektorit të biznesit. Ne do të mundësojmë përkrahje për klubet sportive, ne do të mundësojmë ndërtimin e hapësirave ku ato klube sportive do të kenë zyrat e tyre, neve na duhen terrene multifunksionale dhe për këtë e kemi shumë të përshtatshme Qendrën Rekreative në Saraj, respektivisht Parkun e Sarajit, ku do të planifikohet ndërtimi i terreneve multifunksionale ku të rinjtë me anëtarësimin nëpër klube do të kenë mundësi të ushtrojnë aktivitetin fizik në sporte të ndryshme.
Mirëpo, kjo nuk do të ndalet vetëm në Qendrën Rekreative “Saraj”, por do të bëhet edhe një analizë për nevojat nëpër fshatra, ku do të ketë nevojë të ndërtohen terrene sportive, salla sportive, përkrahje të klubeve lokale sportive atje, ashtu që ne si komunë të jemi dorë e zgjatur, të jemi përkrahës të sportit pasi që vlerësojmë që sporti, rininë e mban të shëndoshë dhe e mban larg rrugëve të cilat mund të jenë potencialisht të rrezikshme për ta.
Saraji ka potencial të madh turistik dhe bujqësor. Si do t’i zhvilloni këto resurse për të sjellë më shumë të ardhura për komunën?
Sot ndodhemi këtu në Matkë. Matka është perla jo vetëm e kryeqytetit, por edhe e Maqedonisë dhe për fat të mirë ne si komunë e gëzojmë këtë bukuri natyrore. Ne si komunë kemi bukuri natyrore sikur Liqenin Treska, për të cilin kemi plan konkret se si do ta sjellim në jetë. Kemi dy lumenjtë, dmth komunën e Sarajit e presin dy lumenj, Varari dhe Treska. Turizmi do të jetë një segment i veçantë në planprogramin tonë.
Ne do të dalim me moto komuna e Sarajit qendër e turizmit jo vetëm në nivel lokal, por rajonal dhe evropian, pasi që gjitha këto i kemi. Ne do të bëjmë një kampanjë promovuese që turistët të vijnë, veçse vijnë, por edhe të njoftohen me jetën tradicionale shqiptare në këto rajone duke u mundësuar investitorëve, banorëve investim në agroturizëm, duke iu mundësuar kushte që ato të hapin lokale ku do të promovohet jeta dhe ushqimet tradicionale vendase. Ne kemi plan të japim një afat prej gjashtë muajsh, pasi që t’ua bëj një përshkrim të shkurtë, Liqeni Treska është vendi që më së shumti i tangon banorët e komunës së Sarajit, mirëpo procedurat administrative kanë sjellur që Plani Urbanistik i Liqenit Treska dhe kompetencat e saja të dorëzuara Agjencioni për Turizëm, atëherë ishte në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, tani është në kuadër të Ministrisë së Kulturës, mos të thirrin komisionin prej shtatë anëtarësh prej të cilit një është prej komunës së Sarajit dhe mos të inicohet realizimi i Planit Urbanistik për Liqenin Treska.
Ne do të japim një afat me menaxhimin e ri të komunës, një periudhë 6 muajshe nëse ky Agjencion nuk thirr komisionin për të filluar fazat e realizimit të këtij projekti, ne do të kërkojmë kthimin e kompetencave të komunës së Sarajit, ashtu që komuna të bën shpalljen, të bën tenderimin, për të realizuar projektin e Liqenit Treska. Liqeni Treska e gëzon vendin më të mirë ndoshta të komunës së Sarajit, të kthejet pamja e vjetër e Liqenit, duke mundësuar hapësirë 20 metërshe përreth liqenit, për rekreativitet, për plazh, ashtu që jo vetëm qytetarët e Sarajit po i gjithë Shkupi e më gjërë, të vijnë për ta vizituar atë vend të bukur.
Aty kemi vend për ndërtim të hotelierisë, për ndërtim të restoranteve, ashtu që edhe bizneset lokale do ta kenë hapësirën për t’u kyçur në realizimin e këtij projekti që besoj se do t’ia ndryshojë pamjen komunës sonë. Çështja e dytë është edhe trajtimi i lumenjve, ne kemi paraparë edhe ndërtimin e një staze për biçikleta për çiklistë, edhe për banorët dhe turistët për ecje,përgjatë lumit Vardar dhe lumit Treska pasiqë lidhja e tyre është menjëherë në hyrje të Sarajit dhe prej atje mund të ketë një korsi për çiklistë dhe për turistë që ata të vijnë deri te Liqeni Treska, duhet të jetë faza e parë dhe pastaj prej atje, faza e dytë të vijnë në Matkë, poashtu e njejta të realizohet edhe në lumin Vardar.
Letra e fundit nga Bullgaria, që akuzon Maqedoninë e Veriut dhe vë në pikëpyetje integrimin evropian, është dëshmi e hidhur e kapitullimit të plotë të qeverisë së VMRO-së dhe VLEN-it.
Kjo qeveri ka zgjedhur heshtjen dhe nënshtrimin përballë krimit dhe nepotizmit. Me heshtjen e saj, ajo ka humbur shpresat e integrimit dhe ka rrënuar ardhmërinë e rinisë së këtij vendi. Në vend që të mbrojë interesat e qytetarëve, ajo e ka ulur kokën dhe e ka lënë vendin pa dinjitet.
VMRO mashtron, VLEN justifikon – ndërsa qytetarët paguajnë çmimin me izolim dhe poshtërim ndërkombëtar.
Na premtuan “rrugë të shpejtë drejt BE-së”. Rezultati? Letra denigruese nga një vend anëtar i BE-së dhe një perspektivë evropiane e bllokuar. Në vend të vizionit diplomatik, kemi paaftësi. Në vend të politikës së jashtme, kemi pazare për karrige. Në vend të integrimit, kemi stagnim dhe krizë.
Shqiptarët kanë qenë gjithmonë motori i integrimit euroatlantik. Sot, VLEN ka zgjedhur të jetë fasadë e VMRO-së, duke u kthyer në mbulesë për politikat antievropiane të saj. Në vend që të mbrojë shqiptarët, VLEN po e poshtëron zërin e tyre. Në vend që të jetë garant i ardhmërisë, është bërë garant i dështimit.
Qeveria duhet të tregojë pse Maqedonia e Veriut ndodhet sot në pozitën më të turpshme diplomatike në rajon.
VLEN duhet të tregojë pse hesht dhe pse pranon të jetë ortak në këtë tradhti politike.
Asnjë premtim dhe asnjë justifikim nuk e mbulon faktin: VMRO dhe VLEN e kanë shitur integrimin evropian për pushtet afatshkurtër.
Aleanca për Shqiptarët thekson se integrimi evropian është kauza e qytetarëve dhe sakrificave të tyre. VMRO dhe VLEN kanë dështuar – dhe ky dështim do t’i ndjekë në çdo derë, në çdo fushatë dhe në çdo votë.
Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Gostivar ka reaguar me një demant të ashpër ndaj, siç e cilëson, manipulimeve të grupimit politik VLEN.
“BDI është fuqi, është energji e pashtershme, është mobilizim, entuziazëm dhe strukturë e mirëfilltë organizative. Pikërisht këtë e dëshmon edhe gjesti i shëmtuar dhe manipulativ i grupimit politik VLEN, i cili, i përballur me murin e gjallë të shqiptarëve dhe pa kapacitet për të mbledhur as një autobus me njerëz, ka shpikur metoda mashtruese për të mbushur sallat dhe sheshet,” thuhet në reagim.
Sipas degës së BDI-së, VLEN ka përdorur një ftesë të sajuar për të thirrur qytetarët e Gostivarit në hapjen e shtabit të tyre. “Për të futur qytetarët në mjegullim – ashtu siç janë edhe vetë në politikë dhe qeverisje – nuk kanë treguar as emrin e kandidatit dhe as subjektin politik, por vetëm lokacionin, duke dëshmuar edhe një herë se politika e tyre bazohet në mashtrim dhe manipulim,” thekson BDI.
Në reagim, VLEN akuzohet se është i izoluar dhe i braktisur nga qytetarët: “Por vasalët e Mickoskit kanë harruar një gjë: qytetarët tashmë i kanë zbuluar dhe i kanë izoluar. Përgjigja më e mirë do të vijë më 19 tetor, kur edhe zyrtarisht do të diskualifikohen nga skena politike.”
BDI shprehet se aktivitetet e VLEN-it reduktohen vetëm në një numër të vogël njerëzish. “Prej kohësh, në zyrat dhe aktivitetet e tyre shfaqen vetëm një grusht njerëzish sipas një formule të njohur: disa zyrtarë të VLEN-it të shoqëruar me nga 3-4 anëtarë të familjes së tyre,” nënvizohet në demant.
Në fund, dega e BDI-së kujton se selia e saj është e pandryshueshme prej më shumë se dy dekadash. “Selia e BDI-së në Gostivar dihet se ku ndodhet prej më shumë se dy dekadash. Është adresa e shqiptarëve, adresa e besimit dhe e përkushtimit, ku prej kohësh nuk ka vend për pakurrizorë, për manipulatorë të djersës së aktivistit dhe për vasalët e Mickoskit të sotëm,” përfundon reagimi. Flaka