Connect with us

Lajme

Hetimi i OLAF-it për një projekt me vlerë prej një milion eurosh në RMV, kompania pa punonjës detekton zjarre në pyje?

Published

on

Drejtori i ri i Qendrës për Menaxhimin me Krizat, Muhamet Ali, para pak më shumë se një javë dha një pasqyrë të funksionimit të sistemit për zbulimin e hershëm të zjarreve. Bëhet fjalë për një sistem të avancuar që sinjalizon se diku ka rënë zjarr, të cilin Ali, pasi e zëvendësoi Stojançe Angellovin si drejtor, e prezantoi si një vizion të ri, një prioritet kulmor, shkruan Slloboden Peçat, transmeton Portalb.mk.

Struga është komuna e parë në vend që ka një sistem të tillë me kamera dhe alarme, të cilat në kohë reale e zbulojnë tymin dhe menjëherë e dërgojnë vendndodhjen me koordinata të sakta te shërbimet kompetente. Kjo mundëson një reagim jashtëzakonisht të shpejtë dhe trajtim efikas të zjarreve që shkatërrojnë mijëra metra kub pyje në të gjithë Maqedoninë çdo verë dhe na kushtojnë miliona euro. Por ajo që është shqetësuese është se ky projekt po zbatohet nga një kompani nga Kavadari me zero punonjës dhe që është themeluar pesë ditë pasi shpalljes së tenderit ndërkombëtar.

Slloboden Peçat mori një përgjigje nga zyra e Bashkimit Evropian në Shkup se ky projekt është hetuar edhe nga OLAF, Shërbimi Evropian Kundër Mashtrimit, pra ata kanë kryer një hetim të këtij projekti për përfituesit të cilët kanë marrë pothuajse një milion euro para evropiane për zbatimin e tij.

“Çdo projekt i financuar nga BE-ja, përfshirë edhe atë për të cilin po pyesni, i nënshtrohet një procesi rigoroz dhe sistematik monitorimi, vlerësimi dhe kontrolli. Për momentin jemi duke pritur raportin përfundimtar narrativ, së bashku me dokumentacionin e nevojshëm financiar dhe të revizionit. Gjithashtu konfirmojmë se OLAF ka kryer një hetim mbi zbatimin e projektit nga përfituesit. Pasi të jenë marrë të gjitha dokumentet, përfshirë rekomandimet për veprime të mëtejshme nga OLAF, ato do t’i nënshtrohen një shqyrtimi të plotë dhe do të merren masat e duhura nga shërbimet e BE-së. Delegacioni i BE-së do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbylljen administrative të projektit, pas rekomandimeve që priten të dalin për këtë projekt. Delegacioni i BE-së mbetet në dispozicionin tuaj për çdo pyetje shtesë në lidhje me këtë çështje” u përgjigjën nga Zyra e BE-së, nga ku nuk zbulojnë nëse janë konstatuar abuzime në zbatimin e projektit në mënyrë që të mos rrezikohet integriteti i proceseve hetimore.

Përndryshe, hetimet e kryera nga OLAF janë një procedurë e rregullt pas raportimeve, por kjo nuk do të thotë që rastet e hapura nën hetim duhet të përfundojnë gjithmonë me abuzime të konstatuara, përkatësisht parregullsi. Ky projekt, edhe pse nuk është prezent në media, është zbatuar që nga viti 2021 kur Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim nënshkroi një marrëveshje me Komisionin Evropian të përfaqësuar nga Delegacioni i BE-së në Shkup për zbatimin e projektit me vlerë prej 946.285 euro.

Nga këto para, 85 përqind vijnë nga BE-ja, ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga institucionet që e zbatojnë këtë projekt, i cili duhej të realizohej nga viti 2022 deri në vitin 2024.

Drejtoria publikoi një procedurë ndërkombëtare për përzgjedhjen e ofertuesit më të volitshëm për prokurimin dhe instalimin e sistemit të kërkuar, përkatësisht “Sistemit për paralajmërim të hershëm për zjarre në pyje”. Në thirrjen publike morën pjesë dy kompani, njëra që ofron një sistem gjerman me sensorë dhe kamera dhe tjetra që ofron një sistem polak me kamera.

Ajo që ishte e dyshimtë që në fillim ishte se tenderi u fitua nga një konsorcium maqedono-polak i grupuar rreth kompanisë “Smart D System” nga Kavadari, e cila ishte themeluar pesë ditë pas shpalljes së tenderit ndërkombëtar, ndërsa sipas të dhënave nga Regjistri Qendror, veprimtaria e saj ishte teknologjia informatike dhe kompjuterët.

Drejtoria atëkohë nuk pa asgjë të diskutueshme lidhur me kompaninë, sepse kjo ishte diçka e lejuar me ligj dhe me shumë mundësi, sipas tyre, ishte e hapur për nevojat logjistike për zbatimin e projektit, por është e paqartë se si kompanitë polake që ishin prodhuese të këtij lloji të pajisjeve softuerike e gjetën pikërisht menaxherin që hapi kompaninë në Kavadar. Edhe pse specifikimi teknik i projektit parashikonte instalimin e sensorëve, kompania nga Kavadari instaloi kamera.

Tani, pasi drejtori i QMK-së u mburr me sistemin, gjatë kontrollit të kompanisë nga Kavadari në Regjistrin Qendror mund të shihet se në vitin 2022 kur është themeluar kompania ka funksionuar me një punonjës, ndërsa në dy vitet në vijim nuk ka të dhëna për punonjësit dhe ka shumë mundësi që të mos ketë pasur punonjës. Vitin e parë – 2022, kompania nga Kavadari, atëkohë me një punonjës, ka regjistruar të ardhurat dhe shpenzimet më të larta, më pas funksionon me humbje, që pastaj të tregojë fitim prej mbi 2 milionë denarësh. Në vitin 2024 ajo ka fitim të madh dhe pak shpenzime.

Emri zyrtar i projektit të zbatuar nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ishte “Development and implementation of a smart and sustainable integrated forest fire management system in the cross-border area (DISSIWMS) (Zhvillimi dhe zbatimi i një smart sistemi të integruar dhe të qëndrueshëm për menaxhimin e zjarreve pyjore në zonën ndërkufitare)”. Tani, ky projekt promovohet nga Qendra për Menaxhimin me Kriza.

“Ky sistem u sigurua nëpërmjet një projekti të financuar nga Programi për Bashkëpunim Ndërkufitar – CBC IPA, i cili është një shembull i shkëlqyer se si fondet evropiane mund të përforcojnë sigurinë dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor. Ky model mbrojtjeje tashmë po jep rezultate dhe është dëshmi se teknologjia duhet të jetë në shërbim të sigurisë. Drejtori i Qendrës për Menaxhimin me Kriza theksoi se do të përpiqet që sisteme të tilla të instalohen në të gjitha zonat kritike në të gjithë vendin. Shpejtësia e informacionit do të thotë jetë të shpëtuara, pyje të mbrojtura dhe një komunitet të sigurt”, publikuan së fundmi nga QMK në faqen e tyre në Facebook.

“Slloboden Peçat” i dërgoi pyetje QMK-së nëse kanë informacion se OLAF po e heton këtë projekt dhe si i interpretojnë të dhënat se kompania tani nuk ka të dhëna për punonjësit dhe për dyshimin se kompania është regjistruar qëllimisht vetëm për ta fituar tenderin ndërkombëtar, por nuk morëm përgjigje me shkrim nga QMK-ja.

Në adresën e kompanisë që shfaqet në Regjistrin Qendror nuk ka numër abonenti, domethënë në atë adresë nuk është i regjistruar asnjë numër telefoni, por ne dërguam pyetje në adresën zyrtare elektronike të cilën e ka publik.

Continue Reading

Lajme

Çair nxjerr në Shesh kontraditat dhe dobësinë e VLEN-it

Published

on

By

Nga Liridon Ramadani

Mbrëmë në Çair u bë hapja e shtabit zgjedhor, dhe për mua ky moment tregoi qartë se Çairi është pika ku përplaset kontradikta e brendshme e VLEN-it, por njëkohësisht shihet edhe frika e tyre nga humbja e thellë. Në Çair, ata nuk mund të thirren në emër të “ndryshimit”. Si mund të flasë për ndryshim Izet Mexhiti, i cili për tri mandate ka qenë kryetar komune, e pastaj edhe përmes Visar Ganiut ka vazhduar ta udhëheqë Çairin edhe dy mandate tjera? Për të mbuluar këtë boshllëk, narrativën e ndryshimit po mundohen ta zëvendësojnë me një narrativë të re atë të “lokalizmit”, sikur kinse tash është koha që Shkupi të udhëheqë politikën shqiptare. Por pikërisht këtu nis kontradikta e madhe: kjo qasje automatikisht e minon rolin e Bilallit brenda VLEN-it, sepse gjithë pesha dhe imazhi po i mvishen Izetit, i cili tashmë perceptohet si lideri i tyre. Dhe kjo është pika që e tregon fytyren e vërtet të Vlenit. Pse? Sepse Izet Mexhiti nuk shihet si figurë e ndryshimit, por si pushtetar 20-vjeçar. Me këtë, jo vetëm që ia mveshin VLEN-it barrën e së kaluarës, por edhe ua heqin nga dora figurave të tjera të cilat tash e humbin arsyen për t’u thirrur në ndryshim. Kështu, Bilalli bie në një pozitë periferike politike: edhe nëse fiton, fitorja e tij do të jetë vetëm plotësuese, por jo vendimtare.
Në anën tjetër, bie në sy mungesa dhe injorimi i Arben Fetait. Ky fakt është mesazh i qartë se roli i tij brenda VLEN-it ka marrë fund. Nga promotor dhe truri i vetëshpallur i ndryshimit, ai sot është lënë jashtë loje, i padukshëm dhe i parëndësishëm.
Dhe e gjitha kjo së shpejti do të sjellë përplasje të brendshme në kampin e VLEN-it. Përplasjet që do t’i nxjerrin në sipërfaqe kontraditat e tyre dhe që do t’i çojnë drejt një humbjeje më të thellë se sa e kanë pritur.

Continue Reading

Lajme

AKI-Tetovë akuzon Kasamin për keqmenaxhim me rrugët 185 dhe 186

Published

on

By

Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) – Tetovë ka reaguar sot publikisht, duke akuzuar kryetarin në ikje të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, për keqmenaxhim dhe politika destruktive informon Tetovasot.

“Para më shumë se një viti e gjysmë, në mënyrë klandestine, Komuna e Tetovës hoqi kalldrëmet nga rrugët 185 dhe 186 për t’i përdorur në projektin e Rrugës së Butiqeve. Si pasojë e kësaj sjelljeje të papërgjegjshme, banorët e këtyre dy rrugëve jetojnë sot një ‘golgotë’ të vërtetë: rrugët janë të pakalueshme, makinat po dëmtohen, rastet emergjente mjekësore përballen me pengesa serioze dhe fëmijët kanë vështirësi për të shkuar në shkollë”, thuhet në reagimin e AKI-së.

Sipas AKI-së, ironia qëndron tek fakti se edhe vetë projekti i Rrugës së Butiqeve, me emrin “Ringjallja e zejeve për zhvillim të përbashkët turistik”, nuk është ide apo meritë e kryetarit në ikje. Ky projekt është fituar si grant nga Bashkimi Evropian në kohën kur Komuna udhëhiqej nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

“Kjo është dëshmia më e mirë e një pushteti që punon pa plan dhe në mënyrë të çorganizuar, duke dëmtuar qytetarët për interesa politike. Por eksperimenteve të tilla po u vjen fundi. Më 19 tetor qytetarët e Tetovës do t’i thonë mjaft mashtrimeve dhe do të zgjedhin opsionin që sjell zhvillim me plan, përkushtim dhe dinjitet për çdo lagje dhe çdo qytetar,” thuhet në deklaratën e AKI-së.TS

Continue Reading

Lajme

Osmani zbulon një të dhënë tronditëse: Më shumë se 4 milionë euro në vit shpenzon Çairi për punësime fiktive të aktivistëve

Published

on

By

Bujar Osmani, kandidat për kryetar të komunës së Çairit, sot kritikoi ashpër pushtetin aktual lokal për keqpërdorim sistematik të buxhetit komunal dhe për trajtimin e Çairit si bankomat partiak, e jo si komunë e qytetarëve.

Sipas Osmanit, nga buxheti i përgjithshëm i Çairit prej rreth 20 milionë euro, vetëm 8 milionë euro realisht janë të disponueshme për projektet komunale, ndërsa pjesa tjetër janë mjete për çerdhe dhe shkolla që automatikisht ridestinohen.

“Edhe nga ato 8 milionë euro, çdo muaj shpenzohen 350 mijë euro për 720 kontrata fiktive. Këta janë njerëz që rrinë në shtëpi, dalin në tubime partiake dhe shkruajnë në rrjete sociale kundër kundërshtarëve. Me paratë e qytetarëve!”, paralajmëroi Osmani.

Kjo do të thotë se mbi 4 milionë euro në vit vidhen përmes punësimeve klienteliste, ndërkohë që Çairi po fundoset në vrima, papastërti dhe kolaps infrastrukturor. Një nga shembujt më ilustrues: një vrimë në rrugë e mbuluar me një shtresë asfalti, për të cilën komuna ka nënshkruar tender prej 720.000 denarë, krahasuar me 5.000 deri 6.000 denarë në Qendër për të njëjtën ndërhyrje.

“Çairin e kanë trajtuar tmerrësisht, po ia marrin edhe denarin e fundit qytetarëve. Kjo duhet të marrë fund. Nuk bëhet fjalë për ndërrim të politikanëve, por për ndryshim të gjithë kulturës së qeverisjes. Për ndershmëri. Për disiplinë. Për përkushtim ndaj njerëzve,” deklaroi Osmani.

Ai theksoi se kjo betejë nuk është vetëm për një funksion, por për kthimin e interesit publik në qendër të punës komunale.

“Qytetarët nuk kërkojnë mrekulli. Kërkojnë rrugë të shëndosha, pastërti dhe shërbim, jo propagandë, gënjeshtra dhe parazitë partiakë,” përfundoi ai.

Continue Reading

TOP Lajme