Connect with us

Lajme

Fetai takohet me homologun e tij nga Mali i Zi, në fokus forcimi i bashkëpunimit rajonal

Published

on

Zëvendëskryeministri Arben Fetai, ka pritur në Shkup, homologun e tij nga Mali i Zi, Momo Koprivica. Siç ka shkruar Fetai, takimi ka qenë frytdhënës dhe kishte në fokus forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtimin e integrimit evropian të të dy vendeve.

“Gjatë takimit, diskutuam me përkushtim sfidat e luftës kundër korrupsionit dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar për të shkëmbyer informacion rreth veprimtarive të paligjshme dhe për të ndarë përvojat tona. Z. Koprivica theksoi vlerën që Mali i Zi i jep Maqedonisë së Veriut si partner të rëndësishëm dhe mik të besueshëm në rrugën drejt integrimit në BE, ndërsa ne theksuam angazhimin tonë për bashkëpunimin rajonal, për të përmirësuar shtetin e së drejtës dhe për të zbatuar reformat evropiane”, ka shkruar Fetai.

Zëvendëskryeministri Fetai, ka shtuar se takimi përfundoi me zotimin e përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë dhe për të intensifikuar përpjekjet drejt reformave që do të kontribuojnë në anëtarësimin e vendeve tona në BE.

“Ky angazhim i përbashkët është një hap pozitiv drejt një rajoni më të bashkuar dhe progresiv, duke ndërtuar një të ardhme evropiane për qytetarët tanë”, ka nënvizuar Fetai.

Continue Reading

Lajme

Kos për Maqedoninë dhe vendet kandidate: BE e shqetësuar për sundimin e ligjit

Published

on

By

Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, tha sot se Bashkimi Evropian (BE) mbetet i shqetësuar për sundimin e ligjit në vendet kandidate, megjithëse ka pasur përparim të prekshëm në këtë fushë.

“Ndërhyrja në procedurat gjyqësore, presioni mbi zyrtarët që hetojnë korrupsionin dhe politizimi i rregullatorëve të medias vazhdojnë, gjë që është e papranueshme”, u tha Kos gazetarëve në një konferencë të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, pas një diskutimi nga ministrat nga disa shtete anëtare dhe vende kandidate mbi sundimin e ligjit në BE.

Danimarka mban aktualisht presidencën e Këshillit dhe Ministrja e saj për Çështjet Evropiane, Marie Bjer, deklaroi se sundimi i ligjit në BE është aktualisht vlera e saj më e rëndësishme.

Bjer deklaroi se gjatë diskutimit, ministrat diskutuan gjendjen e sundimit të ligjit në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke iu referuar raportit të publikuar mbi këtë temë nga Komisioni Evropian (KE) në korrik të këtij viti.

Në diskutimin e Këshillit të BE-së morën pjesë edhe ministrat për integrimin evropian të Serbisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, të cilët nuk komentuan mbi rezultatin e bisedimeve, raportoi agjencia e lajmeve “Beta”.(Telegrafi)

Continue Reading

Lajme

Valbon Limani: Komuna në punë – Punime në tretoaret e dy rrugicave në Gostivar

Published

on

By

Komuna e Gostivarit ka nisur punimet për rregullimin e tretoareve në dy rrugicat e lagjes “Mara Ugrinova”, si pjesë e projekteve infrastrukturore që po realizohen në qytet.

“Para se të fillojmë me asfaltimin e tërësishëm, vijojnë punimet në rregullimin e tretoareve në dy rrugicat në ‘Mara Ugrinova’”, deklaroi kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani.

Ky projekt është pjesë e agjendës së punimeve që po realizohen aktualisht në komunë, në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe kushteve të jetesës për qytetarët.

Continue Reading

Lajme

Halil Snopçe: Mickoski po fshihet pas fasadës, ndërsa “bota serbe” depërton në vend

Published

on

By

Deputeti Halil Snopçe kritikoi kryeministrin Hristijan Mickoski për mosdhënien e përgjigjes konkrete lidhur me masat që qeveria duhet të ndërmarrë për të parandaluar ndikimet e “botës serbe” në Maqedoni.

“ I’u drejtova kryeministrit se ai flet sikurse gjithçka është e bardhë, gjithçka shkëlqen dhe se nuk ka asnjë problem. Thashë se kjo i ngjan një fasade që shkëlqen nga jashtë, por në fakt brenda shumë gjëra janë të kalbura. Edhe bora në mal është e bardhë, por kur e prek mërdhifën. Kam frikë mos mërdhifim të gjithë me këtë qasje që e ka kryeministri Mickoski”, deklaroi Snopçe.

Ai kujtoi se raporti i fundit i Parlamentit Europian për ndikimet e “botës serbe” përputhet plotësisht me konstatimet e ish-kryeministrave dhe ish-presidentit të shtetit, duke theksuar se “në raport thuhet qartë se suksesi më i madh i këtyre strukturave është instalimi i tyre brenda VMRO-së”.

Sipas Snopçes, ndër shqiptarë dhe maqedonas nuk ka pasur konflikt mes dy luftërave botërore, por “konfliktin e kanë krijuar shërbimet serbe, të cilat edhe sot vazhdojnë të kenë ndikim – një ndikim për të cilin nuk mund të amnestohet qeveria aktuale”.

Deputeti i kujtoi Mickoskit marrëveshjen e qeverisë me fondin pensional të Dodikut, si dhe provokimet e ministres së punës dhe politikës sociale të Serbisë. “Fatkeqësisht, edhe pas provokimeve të fundit në Manastir, qeveria vazhdon të heshtë”, tha Snopçe.

Continue Reading

TOP Lajme