Connect with us

Lajme

“Doktor ryshfeti”, rrëfime nga korridoret e spitaleve në RMV: Kujdesi shëndetësor blihet, jo gjithmonë ofrohet

Published

on

Sistemi shëndetësor publik në Maqedoninë e Veriut gjithnjë e më shumë perceptohet si sistem që favorizon të pasurit apo ata që mund të paguajnë “nën dorë”. Një pjesë e caktuar e qytetarëve madje, edhe pse në pamundësi ndihen “të detyruar” për të dhënë ryshfet me qëllim që në këmbim të marrin trajtim më të mirë shëndetësor. Ryshfeti nuk kërkohet haptazi, megjithatë të dyja palët e përfshira e dinë se duhet të “veprojnë”. Në vend që të jetë një e drejtë bazë dhe shërbim i barabartë për të gjithë, kujdesi shëndetësor për shumë qytetarë është i ndikuar nga korrupsioni, neglizhenca dhe pabarazia. Kështu tregon analiza e fundit nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis”, e bazuar në dëshmitë reale të qytetarëve nga të gjitha anët e vendit, e cila, sjell në pah problemet më të thella të sistemit shëndetësor dhe njëkohësisht tregon se çfarë duhet ndryshuar, raporton Portalb.mk.

Dallimet socio-ekonomike midis pjesëmarrësve kanë një ndikim të rëndësishëm në qasjen e tyre në shërbimet shëndetësore. Njerëzit me të ardhura më të larta dhe sigurim privat raportojnë përvoja më të mira, ndërsa ata me të ardhura më të ulëta përballen me rezultate më të këqija shëndetësore dhe ekspozim më të madh ndaj korrupsionit për shkak të varësisë së tyre nga shëndeti publik. Pamundësia për të “ryshfetuar” përkeqëson më tej pabarazinë, duke i lënë kategoritë më të prekshme të qytetarëve në disavantazh.

Ryshfeti dhe praktika të rrënjosura

Një nga gjetjet më të theksuara të raportit është përhapja e praktikës së ryshfetit. Qytetarët tregojnë se, në shumë raste, trajtimi i duhur shëndetësor nuk është i mundur pa dhënë një shumë parash, dhuratë simbolike apo pa pasur ndonjë “mik” në sistem. Kjo ndodh jo vetëm në spitale, por edhe në qendra të mjekësisë familjare dhe institucione të tjera publike.

Këto pagesa ndodhin në mënyrë të heshtur, por të mirëkuptuar. Asnjë nuk i kërkon hapur, por të gjithë e dinë që janë të nevojshme për të marrë kujdes të shpejtë dhe cilësor. Për shumë qytetarë, veçanërisht ata me të ardhura të ulëta, kjo praktikë përbën një barrë të madhe dhe shpesh ndikon negativisht në qasjen e tyre ndaj sistemit.

Kjo normalizim i korrupsionit ka çuar në një kulturë të heshtur, ku të gjithë e dinë se çfarë pritet, por askush nuk flet hapur, nga frika apo nga bindja se asgjë nuk do të ndryshojë.

“Korrupsioni në shëndetin publik është i përhapur dhe pjesëmarrësit identifikuan ryshfetin, dhuratat dhe përdorimin e lidhjeve si praktika të zakonshme. Pagesat informale, të cilat shpesh përfaqësojnë një barrë të konsiderueshme financiare, prekin më shumë familjet me të ardhura të ulëta. Disa pjesëmarrës i konsiderojnë këto praktika të nevojshme për të aksesuar shërbime cilësore dhe në kohë, ndërsa të tjerë i perceptojnë ato si imorale dhe një pasqyrim të mosfunksionimit sistemik. Disa pjesëmarrës pranojnë se kanë paguar ryshfet për të siguruar ose përshpejtuar aksesin në shërbime shëndetësore. Barra financiare e këtyre pagesave është veçanërisht e rëndë për familjet me të ardhura të ulëta. Disa pjesëmarrës ndihen të detyruar të ofrojnë ryshfete paraprakisht, duke reflektuar një mosbesim të thellë ndaj sistemit. Dhuratat, sipas disa pjesëmarrësve, janë një mënyrë për të shprehur mirënjohje për një shërbim të marrë, ndërsa të tjerë i shohin ato si një nxitje të nevojshme për të ofruar kujdes cilësor. Kjo praktikë normalizon më tej korrupsionin, duke krijuar një vijë të paqartë midis mirënjohjes së sinqertë dhe kontributeve të detyruara. Përdorimi i lidhjeve personale është një mënyrë e zakonshme dhe efektive për të anashkaluar joefikasitetet sistemike dhe për të marrë shërbime më të mira shëndetësore. Pjesëmarrësit deklarojnë se lidhjet shpesh përcaktojnë cilësinë dhe afatet kohore të shërbimeve, duke përforcuar pabarazitë bazuar në rrjetet sociale në vend të nevojave”, thuhet në analizë, raporton Portalb.mk.

Pabarazia në qasje dhe trajtim, si dhe humbja e besimit në institucione

Sistemi shëndetësor, sipas qytetarëve, nuk trajton të gjithë njësoj. Ata që kanë para ose mundësi të shkojnë në sektorin privat marrin kujdes më të shpejtë dhe më cilësor. Ndërsa ata që varen nga sektori publik shpesh përballen me pritje të gjata, mungesë terminesh dhe mospërfillje.

Pabarazia nuk është vetëm ekonomike, por edhe gjeografike. Qytetarët nga zonat rurale shpesh kanë më pak mundësi për të marrë trajtim cilësor, pasi mjekët dhe specialistët mungojnë ose janë të përqendruar në qytete të mëdha. Kjo ndarje shton edhe më shumë ndjenjën e padrejtësisë.

Për pasojë, njerëzit ndihen të detyruar të përdorin çdo mjet të mundshëm, që nga dhënia e ryshfetit deri te thirrja e ndonjë kontakti personal, vetëm për të pasur mundësinë për t’u trajtuar në kohë.

Një tjetër problem i rëndësishëm që del nga analiza është mungesa e besimit të qytetarëve te institucionet shtetërore. Shumë prej tyre shprehen se nuk ia vlen të ankohesh apo të raportosh ndonjë padrejtësi, sepse nuk pritet që institucionet të reagojnë. Për më tepër, ekziston edhe frika se një denoncim mund të sjellë pasoja negative në të ardhmen.

Për këtë arsye, edhe rastet e qarta të korrupsionit kalojnë pa u raportuar. Kjo e forcon ndjenjën se sistemi është i mbyllur, i pandryshueshëm dhe se qytetari i zakonshëm nuk ka fuqi të ndikojë në të.

Në vend të ndëshkimit të padrejtësisë, vendoset heshtja. Dhe kjo heshtje është ajo që e bën korrupsionin edhe më të fortë dhe më të qëndrueshëm.

“Mungesa e termineve të disponueshme është një nga sfidat më të mëdha në aksesin në shëndetin publik. Pjesëmarrësit shpesh detyrohen të përdorin ryshfete ose lidhje për të siguruar termine në kohë. Edhe kur caktohet një termin, ata përballen me vonesa, anulime ose angazhim të pamjaftueshëm nga stafi. Një mosrespektim i tillë i takimeve krijon një barrë shtesë financiare dhe psikologjike për qytetarët që udhëtojnë nga vendbanime të tjera. Pjesëmarrësit e perceptojnë praktikën e shëndetit publik për të ofruar shërbime private si një abuzim që krijon frustrim dhe pakënaqësi. Shërbimet që ata nuk mund t’i marrin rregullisht ofrohen si shërbime private, gjë që përfaqëson një barrë financiare për pacientët dhe dëmton më tej besimin në shëndetin publik. Pjesëmarrësit dyshojnë se ka konflikte interesi midis shëndetit publik dhe subjekteve private, duke përfshirë promovimin e barnave specifike dhe referimin e pacientëve në farmaci, klinika ose optikë të caktuara, shpesh në dëm të pacientëve. Probleme të tjera përfshijnë diskriminimin në bazë të moshës, barrierat gjuhësore në komunikim dhe joefikasitetin e komisioneve të mbrojtjes sociale dhe shëndetësore”, thuhet në analizë.

Edhe pse pjesëmarrësit në përgjithësi e konsiderojnë korrupsionin të pajustifikueshëm, ata tregojnë mirëkuptim për përdorimin e tij në situata kërcënuese për jetën. Mosbesimi ndaj institucioneve dhe një kulturë e pandëshkueshmërisë i dekurajojnë ndjeshëm ata nga raportimi i korrupsionit. Pjesëmarrësit rekomandojnë rritjen e pagave të punonjësve të shëndetësisë, punësim më të madh të stafit shëndetësor dhe zgjidhje të suksesshme gjyqësore për të përcaktuar llogaridhënien për korrupsionin. Lufta e suksesshme kundër korrupsionit kërkon reforma më të gjera sociale dhe institucionale.

Perceptimi i qytetarëve: “Ka korrupsion”

Analiza thekson se sipas Raportit të Vlerësimit të Korrupsionit

në Maqedoninë e Veriut të përgatitur nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe SELDI, në vitin 2023, 9.6% e qytetarëve u përballën me kërkesë të drejtpërdrejtë për ryshfet në të gjitha ose shumicën e ndërveprimeve me administratën. Përveç kësaj, 16% e qytetarëve kanë përjetuar një sugjerim nga zyrtarët administrativë se ekzistojnë pritje të tilla.

Në një anketë të opinionit publik të vitit 2021 në Maqedoninë e Veriut, të kryer nga Instituti Demokratik Kombëtar, 1/3 e të anketuarve besojnë se institucionet e kujdesit shëndetësor janë ndër më të korruptuarat (menjëherë pas gjyqësorit dhe prokurorisë). Përveç kësaj, 41% e të anketuarve besojnë se mjekët dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor janë shembulli më serioz i korrupsionit të vogël. Sipas të njëjtës anketë, të anketuarit nga rajoni i Pollogut kanë përjetuar korrupsion dukshëm më shpesh (30%), krahasuar me të anketuarit nga rajonet e Shkupit, Pellagonisë dhe rajonit Jugperëndor (15% secili), ndërsa në rajone të tjera korrupsioni është vërejtur në një masë më të vogël. Kur u pyetën nëse kishin dhënë ryshfet, favor apo dhuratë në 12 muajt e fundit, 6.8% e të anketuarve konfirmuan se ishin përfshirë në korrupsion gjatë përdorimit të shërbimeve të kujdesit shëndetësor, që është përqindja më e lartë e shërbimeve ose institucioneve të ofruara.

“Sipas Raportit të lartpërmendur të Vlerësimit të Korrupsionit, 50% e qytetarëve besojnë se pothuajse të gjithë ose shumica e mjekëve janë të përfshirë në korrupsion. Megjithatë, kjo përqindje është dukshëm më e ulët krahasuar me profesionet e tjera të mbuluara në anketë – për shembull, 83% e qytetarëve besojnë se të gjithë ose shumica e gjyqtarëve janë të korruptuar, dhe 82% shprehin të njëjtin mendim për anëtarët e parlamentit”, thuhet në analizë.

Në një studim tjetër, të kryer nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis”, në dy spitale në Maqedoninë e Veriut, 4% e të anketuarve deklaruan se u ishin kërkuar para, dhurata ose shërbime për të marrë shërbime mjekësore. Sipas autorëve, nëse projektohet numri i rasteve në kujdesin terciar, çdo vit do të regjistroheshin të paktën 6,749 raste të presionit nga korrupsioni në ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Në rastin konkret, ryshfeti varionte nga 20 deri në 200 euro, që do të thotë se shuma totale nominale e ryshfeteve të nxjerra çdo vit është nga 135,000 deri në 1,350,000 euro.

Rrëfimet e qytetarëve

Pjesëmarrësit në fokus-grupe identifikuan praktikat vijuese korruptive në shëndetin publik: ryshfeti, dhënia e dhuratave, përdorimi i lidhjeve, mungesa e termineve, puna shtesë e mjekëve të sektorit publik dhe të ngjashme.

Deri në 40% e pjesëmarrësve në grupet e fokusit raportuan se kishin paguar ryshfet ose dhuratë për të marrë një shërbim shëndetësor. 35 pjesëmarrës ndanë përvoja të ndryshme, ku shuma e ryshfetit ndryshonte në varësi të situatës – nga 200 denarë në 2,000 euro për një shërbim specifik në shëndetin publik. Në shumicën e rasteve, të anketuarit dhanë shembuj të pagesave të parave, ndërsa në një situatë u dha një shembull ku u kërkua një shërbim. Lidhur me marrësin e ryshfetit, pjesëmarrësit përmendën gjithashtu mjekët dhe stafin ndihmës mjekësor.

“Kërkojnë ryshfet, ja konkretisht flas për Shkupin. Ndihmësi kërkon ryshfet për të të lejuar të hysh në dhomë për të parë pacientin që dëshiron… Ai burrë kërkon 20 euro t’ju çojë në dhomë… Ja si ishte puna. Kishte edhe njerëz të tjerë që po prisnin pacientin e tyre dhe tani ne e lutëm, e lutëm dhe na thanë t’ia jepnim këtij, na e treguan ndërsa ishte aty, i thuaj atij se do të të lërë, por duhet t’i japësh para. Sa para – 20 euro. Unë ua kam thënë këtë me vite dhe e njëjta gjë më ka ndodhur edhe mua tani”, thotë një qytetare (grua, 67 vjeç, pensioniste).

“Ai nuk më kërkoi, e kërkova vetë. Kur nëna ime u operua. Anesteziologu (më pyeti) a e dini sa kushton një operacion privatisht? Po. 5,000 euro. Dhe (ai thotë) unë e bëj pa para. Dhe në çdo vizitë uleshim në kujdes intensiv, ishim po aq të lirë sa në shtëpinë tonë. Çdo ditë kur vinte më kërkonte. Ne të 4 motrat ishim këtu, por ai më kërkonte sepse ia fusja në xhep çdo ditë”, thotë një tjetër (71 vjeç, rome, pensioniste).

“Këtu në klinikën e gjinekologjisë, nëse nuk i kërkon një higjienisteje të të hapë derën, një infermiereje, asaj që duhet ta trajtojë foshnjën… Pra, kam lindur dy herë, kam lindur këtu me prerje cezariane. Nëse nuk ke gjinekologun tënd, do të të kushtojë pothuajse njësoj sikur të kishe lindur në Sistina.” (grua, 39 vjeç, maqedonase, mësuese).

“Kam një shembull personal. 6 muaj më parë, babai im u sëmur dhe iu desh të shkonte në një klinikë shtetërore në Shkup te një specialist i famshëm. Emri nuk ka rëndësi. Dëgjova edhe nga të tjerë se ai është ekspert i vërtetë, person i duhur që mund ta rregullojë dhe se kërkon një tarifë të caktuar. Dëgjova nga të tjerë, ma thanë. Shkova tek ai, rashë në kontakt dhe i lashë të kuptohej tërthorazi se do të merrte para. Tani jo drejtpërdrejt me këto fjalë, por se do t’i paguaja një përqindje të caktuar për ta operuar. Ai ndoshta më kuptoi ose ishte rastësi, nuk e di, ai e mbaroi punën, ne e paguam. Më vonë, kur shkuam për fasha, kontrolle dhe gjëra të tjera atje, vnë korridor dhe rastësisht duke folur me pacientë të tjerë atje, i pyeta dhe i njëjti specialist u kishte marrë para edhe tyre. 90% thanë se nuk u kërkoi para dhe se u bëri nder, njësoj si babait im. Kështu arrita në përfundimin se nuk është gjithmonë faji i mjekut. Ai nuk tha më jep 300 euro. Por unë vetë kam dëgjuar nga të tjerë se mjeku është i mirë dhe për ta kryer punën më shpejt ose diçka të tillë, i dhamë 300 euro për shembull”(burrë, 47 vjeç, maqedonas, sektori privat)

“Mendoj se kohët e fundit kujdesi ynë shëndetësor publik është bërë gjithnjë e më i korruptuar. Ja një shembull: im shoq theu këmbën, kishte një frakturë në këmbë. Mjeku në Shkup që duhej ta bënte operacionin pyeti nëse do të jepnim 30,000 denarë brenda 3 orësh, ai do ta operonte, përndryshe do ta kthente në Kumanovë. Pra, pavarësisht nëse i ke apo jo, pavarësisht nëse i do apo jo, duhet t’i japësh nëse do që ata të kryejnë shërbimin që të nevojitet.” (grua, 46 vjeç, kujdestare)

“Personalisht, kur mbesat e mia u operuan, ato kishin paguar 2,000 euro paraprakisht. Sidoqoftë, bëhet fjalë për fëmijë 19 vjeç, operohet për tumor në vezore për të shpëtuar jetën e saj dhe familjarët e mijë të hynin në borxhe për të marrë 2,000 euro dhe mjeku mezi arrin ta operojë, sidoqoftë kjo është paguar. Pra, tashmë po kërkohet.” (grua, 53 vjeç, e punësuar në një fabrikë veshjesh)

“Epo, në fakt, vajzat e mia kishin nevojë të operoheshin dhe ne shkuam dhe pritëm, pritëm dhe duhej të paguash diçka, na bindën, që të mund të përfundosh punën… Është barrë, por në atë moment nuk mendoni për këtë, duhet ta bëni menjëherë, jeta është në pyetje, do të gjendesh disi” (grua, 68 vjeç, pensioniste)

Pjesëmarrësit në grupet e fokusit shprehën pakënaqësi me cilësinë e shëndetit publik, duke përmendur mungesën e stafit, burimeve dhe praninë e korrupsionit si probleme kryesore. Pagat e ulëta për punonjësit e shëndetësisë dhe punësimet e motivuara politikisht kontribuojnë në migrimin e stafit të kualifikuar në kujdesin shëndetësor privat ose jashtë vendit.

“Këto probleme sistemike, të kombinuara me infrastrukturën e vjetëruar dhe pajisjet e pamjaftueshme, zvogëlojnë besimin në shëndetin publik, gjegjësisht minojnë dyshimin se shëndeti publik mund të ofrojë shërbime shëndetësore cilësore. Kujdesi shëndetësor privat perceptohet si një alternativë më e mirë për shkak të pajisjeve moderne, shërbimeve më të shpejta dhe stafit profesional. Ata që mund ta përballojnë atë preferojnë kujdesin shëndetësor privat, ndërsa pjesa tjetër detyrohen të injorojnë problemet shëndetësore ose të përballen me sfidat e sektorit publik. Megjithatë, disa pjesëmarrës kritikojnë kujdesin shëndetësor privat për orientimin e tij ndaj fitimit, veçanërisht në rastet e sëmundjeve kronike ose të pashërueshme”, thuhet në analizë.

Shembuj pozitivë dhe potencial për ndryshim

Përkundër situatës së vështirë, raporti sjell edhe shembuj pozitivë. Disa qytetarë kanë përmendur mjekë, infermierë dhe punonjës shëndetësorë që kanë treguar profesionalizëm, ndershmëri dhe kujdes të sinqertë pa kërkuar asgjë në këmbim. Këto raste janë të pakta, por tregojnë se ndryshimi është i mundur.

“Pavarësisht sfidave, disa pjesëmarrës ndanë përvoja pozitive me shërbimet e shëndetit publik, veçanërisht me mjekët amë, duke respektuar terminet e planifikuara, dhe vunë në dukje punonjësit e shëndetësisë me integritet, të cilët refuzuan të merrnin pjesë në praktika korruptive dhe ofruan shërbim cilësor dhe në kohë. Këta shembuj tregojnë mundësinë e përmirësimit të sistemit”, thuhet në dokument.

Ekzistenca e profesionistëve të ndershëm në sistem është një shpresë e vogël, por e rëndësishme. Ajo tregon se jo gjithçka është e humbur dhe se, me politika të duhura, përmirësimi mund të ndodhë.

Qytetarët janë të gatshëm të mbështesin ndryshimin, nëse ai vjen nga lart dhe bazohet në transparencë, ndershmëri dhe barazi.

Rekomandime

Bazuar në dëshmitë dhe diskutimet e qytetarëve, raporti sjell një sërë rekomandimesh të drejtpërdrejta. Së pari, kërkohet rritje e pagave dhe përmirësim i kushteve të punës për punonjësit në sistemin publik, që të ulet nxitja për marrje ryshfeti.

Po ashtu, sugjerohet krijimi i mekanizmave të thjeshtë dhe të mbrojtur për raportimin e rasteve të korrupsionit. Qytetarët duan të dinë se, nëse flasin, do të dëgjohen dhe do të mbrohen.

Në fund, nevojitet një kontroll më i rreptë institucional, sidomos në dhënien e termineve, listat e pritjes dhe shërbimet që ofrohen. Vetëm me një sistem më transparent dhe më të barabartë, shëndetësia mund të fitojë sërish besimin e njerëzve.

Kujtojmë se në vitin 2024, sistemi i kujdesit shëndetësor primar në Maqedoninë e Veriut shënoi ulje të ndjeshme si në numrin e kontratave të lidhura ashtu edhe në numrin e mjekëve të përgjithshëm. Sipas të dhënave të publikuara në Fondit për Sigurim Shëndetësor, numri i përgjithshëm i kontratave të lidhura në kujdesin shëndetësor primar ishte 2.077, që përfaqëson një ulje prej 55 kontratash krahasuar me vitin 2023. Gjithashtu, numri total i mjekëve në këtë sektor në vitin 2024 ishte 2.796, që është 45 më pak se një vit më parë. Vetëm në kategorinë e mjekëve të përgjithshëm, këtë vit janë regjistruar 1.499 mjekë aktivë, 8 më pak se në vitin 2023.

Continue Reading

Lajme

Taravari në Ersekë: Përgatiten hapa konkretë për bashkëpunim me kryetarin Erion Isain

Published

on

By

Një delegacion i Aleancës për Shqiptarët, i përbërë nga Dr. Arben Taravari – Kryetar i Aleancës për Shqiptarët, Valbon Limani – Kryetar i Komunës së Gostivarit, Isen Shabani – Kryetar i Komunës së Vrapçishtit, Blerant Ramadani – Kandidat për Kryetar të Komunës së Sarajit dhe Nazim Taipi – Kandidat për Kryetar të Komunës së Tearcës, po zhvillon një vizitë zyrtare në komunat dhe bashkitë juglindore të Republikës së Shqipërisë, me synim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkufitar.

Gjatë qëndrimit në Ersekë, delegacioni u takua me kryetarin e Bashkisë, Erion Isai.

“Në kuadër të vizitave tona në Shqipërinë juglindore patëm një takim të mirë me kryetarin e Bashkisë së Ersekës Erion Isai. Ne biseduam për mundësitë e bashkëpunimit dhe shprehëm dëshirën e përbashkët që ta nisim sa më shpejt këtë punë. Erioni na tregoi dhe muzeun e qytetit.
E falenderoj Erionin për mikpritjen që na i bëri Ersekën më të bukur”, deklaroi Taravari në njoftimin e tij.

Continue Reading

Lajme

Tensione të rrezikshme etnike në Maqedoninë e Veriut – reagim i fortë nga Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC)

Published

on

By

Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (Albanian American Relations Council-AARC) i udhëhequr nga Martin Vulaj ka reaguar ashpër pas incidenteve të fundit me thirrje anti-shqiptare si dhe mesazhe urrejtëse e ndarëse në ndeshjet sportive në vend, duke paralajmëruar se kjo spirale urrejtjeje rrezikon të destabilizojë Maqedoninë e Veriut.

Reagimi i plotë:

Në javët e fundit, është vërejtur një rritje shqetësuese e incidenteve në ngjarjet sportive në Maqedoninë e Veriut që nxisin urrejtje dhe përçarje etnike. Në një ndeshje basketbolli mes Rumanisë dhe Maqedonisë së Veriut në Kumanovë, tifozët brohoritën slogane të tmerrshme duke thirrur për vdekjen e shqiptarëve dhe zhdukjen e tyre në dhoma gazi. Në përgjigje, disa tifozë shqiptarë në një ndeshje futbolli në Tetovë shfaqën pankarta që bënin thirrje për shkëputje.

Kjo spirale e rrezikshme duhet ndalur menjëherë. Udhëheqësit politikë nga të gjitha komunitetet duhet të veprojnë me vendosmëri për të dënuar dhe parandaluar shfaqje të tilla urrejtjeje, para se ato të destabilizojnë më tej vendin.

Brohoritjet anti-shqiptare përforcuan në mënyrë të dhimbshme perceptimin e kahershëm të shqiptarëve se trajtohen si qytetarë të dorës së dytë dhe si të huaj në atdheun e tyre. Nga ana tjetër, mesazhet për shkëputje nxiten frikë te maqedonasit sllavë për qëllimet e shqiptarëve dhe për unitetin e ardhshëm të shtetit.

Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në vitin 2001, Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të dukshëm drejt integrimit dhe bashkëjetesës etnike. Megjithëse sfida mbeten, shqiptarët janë zhvendosur nga margjinat drejt pjesëmarrjes aktive në institucionet politike, ekonomike dhe akademike. Ky përparim nuk duhet të prishet.

Megjithëse dënimi i qeverisë për gjuhën e urrejtjes erdhi me vonesë, ai ishte i qartë. Tani, edhe liderët shqiptarë duhet të dënojnë pa mëdyshje çdo retorikë që minon integritetin territorial të vendit.

Gjatë konfliktit, shqiptarët refuzuan ofertën për të ndarë Maqedoninë sipas vijave etnike, duke zgjedhur në vend të kësaj një të ardhme të përbashkët evropiane. Po ky parim duhet të vazhdojë të udhëheqë kombin përpara. Të gjitha palët duhet të punojnë së bashku për të eliminuar retorikën me bazë etnike dhe për të parandaluar kthimin në kapitujt e errët të së kaluarës. Vetëm përmes unitetit, respektit dhe lidershipit, Maqedonia e Veriut mund të mbetet në rrugën drejt paqes së qëndrueshme dhe integrimit evropian.

Continue Reading

Lajme

ASH: Premtuan 2.500 punësime, mburren me 33 kontrata – VLEN shpërblen familjarët, jo shqiptarët

Published

on

By

VLEN, për të mbuluar dështimet e saj, po paraqet si “punësime të rregullta” punësimet parazgjedhore manipuluese me kontrata afatshkurtra. Ndërkohë, partneri i saj qeverisës, VMRO-DPMNE, po e mbush administratën me militantë partiakë përmes vendimeve për punë të përhershme.

VLEN ka kryer aty-këtu ndonjë punësim me paga të majme, por vetëm për familjarët e klanit udhëheqës – jo për aktivistin e ndershëm dhe qytetarin e sinqertë. Ata presin në listat e famshme prioritare të punësimeve.

Rastet e nepotizmit dhe klientaliste flasin vetë, djali i deputetes Merita Kollçi – Koxhaxhiku është punësuar në M-NAV, sikurse nipi i kryetarit të Alternativës, Zeqirija Ibrahimi i cili është punësuar në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihajlo Apostolski” në Shkup.

Ky është modeli i udhëheqjes së VLEN-it – që merr poste të rëndësishme në institucione vetëm për familjarët e tyre, si shpërblim nga VMRO-DPMNE për lojalitetin politik.

VLEN premtoi 2.500 punësime për shqiptarët. Sot, reklamon vetëm 33 punësime me kontrata afatshkurtra, ndërsa VMRO-DPMNE, vetëm brenda një jave, punësoi 177 militantë partiakë – përfshirë edhe 14 punësimet e fundit në M-NAV.

Aleanca për Shqiptarët e dënon këtë praktikë të turpshme të punësimeve partiake dhe nepotike dhe kërkon që vendet e punës në institucionet shtetërore t’u takojnë qytetarëve mbi bazën e meritës, e jo si shpërblim për shërbime politike dhe puthadorë të Hristijan Mickoskit.

Aleanca për Shqiptarët

Continue Reading

TOP Lajme