Connect with us

Lajme

ASH: VLEN tenton që dështimin ta paraqesë si arritje! Punësimi i shqiptarëve numërohet në gishtat e njërës dorë

Published

on

Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësimin serioz për diskriminimin që u bëhet shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore. Derisa VLEN lavdërohet me disa punësime që numërohen në gishtat e njërës dorë, publiku është dëshmitar se brenda një viti ka pasur rreth 1.000 punësime maqedonasish, ndërsa numri i shqiptarëve të punësuar mbetet qesharak dhe shqetësues – madje edhe në institucione që drejtohen nga eksponentë të VLEN-it.

A është kjo mënyra se si VLEN dëshiron ta shesë dështimin si arritje, kur mbarë popullata shqiptare e thotë fuqishëm se më keq se sot, kurrë nuk kanë qenë?

E rikujtojmë VLEN-in se deshqiptarizimi i administratës dëshmohet me fakte: nga 205 punësimet e fundit, vetëm dy ishin shqiptarë.

Sipas të dhënave publike dhe lehtësisht të verifikueshme, nga gjithsej 205 punësime dhe avancime të fundit në institucione si Enti i Statistikave, Arkivi Shtetëror, Drejtoria e të Ardhurave Publike, Ministria e Kulturës, Dogana, REK Manastir dhe të tjera, vetëm 2 shqiptarë janë punësuar apo avancuar, në krahasim me 203 maqedonas. Ky disproporcion është tregues i qartë i një politike të drejtuar për të zbehur përfaqësimin shqiptar në administratë.

Nga ana tjetër, afrimi i zgjedhjeve lokale gjithnjë e më shumë nxjerr në sipërfaqe dështimet e VLEN-it ndaj partnerëve maqedonas në qeveri. Kjo falë faktit se publikisht, Stoilkoviq ua ndalon të flasin shqip, si dhe me ndarjen e mjeteve për qindra projekte nga ministria që ai drejton për maqedonasit, serbët dhe romët, ndërsa shqiptarëve u pranohen vetëm tre projekte – edhe ato persona të afërt me Arben Fetain. Po ashtu, Angellov këto ditë, në një paraqitje publike, pohoi me zë dhe figurë se pas zgjedhjeve lokale do ta miratojnë Ligjin për “Branitellat” pa e pyetur fare VLEN-in.

Në vend të rikthimit të besimit te institucionet për shqiptarët, kjo qeveri ku bën pjesë VLEN – dhe të cilën Aleanca për Shqiptarët e braktisi për shkak të margjinalizimit të shqiptarëve – nuk ka kapacitet as të miratojë Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, të cilin ne ua lamë të gatshëm.

ASH kërkon transparencë, përfaqësim real dhe barazi të plotë në çdo institucion shtetëror, dhe u bën thirrje shqiptarëve të mos e pranojnë heshtjen si normalitet, por të reagojnë me mjete demokratike kundër këtij procesi antishqiptar dhe antievropian, thuhet në kumtesën e Aleancës për Shqiptarët.

Continue Reading

Lajme

Isen Shabani nënshkruan Kodin për zgjedhje korrekte dhe demokratike në Vrapçisht

Published

on

By

Kandidati i Aleancës për Kombëtare për Integrim (AKI) për kryetar të Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, së bashku me kundërkandidatin e tij, nënshkroi sot në ambientet e Komisionit Komunal Zgjedhor – Vrapçisht Kodin për zgjedhje të ndershme, demokratike dhe transparente, njofton Top24

Shabani e cilësoi këtë akt si një zotim serioz për një proces zgjedhor me standarde të larta demokratike dhe ftoi qytetarët të marrin pjesë masivisht në votime.

“Sot, në ambientet e Komisionit Komunal Zgjedhor – Vrapçisht, së bashku me kundërkandidatin tim, nënshkruam Kodin për zgjedhje korrekte, demokratike dhe transparente. Ky akt nuk është vetëm një formalitet, por një zotim i qartë se e gjithë fushata dhe procesi zgjedhor do të zhvillohet me ndershmëri, respekt dhe barazi për çdo qytetar. Ftoj të gjithë qytetarët që më 19 tetor të dalin masivisht dhe të votojnë sipas bindjes së tyre, me vendosmëri që askush – as kryeministri e as ndonjë politikan tjetër – të mos ua caktojë të ardhmen. E ardhmja e Vrapçishtit vendoset vetëm nga qytetarët e tij, me votë të lirë dhe demokratike. Uroj që të kemi një garë të ndershme dhe demokratike. Shëndet dhe sukses për të gjithë!”

Continue Reading

Lajme

Dogana kthen vulat vetëm në maqedonisht, shqipja eliminohet plotësisht!

Published

on

By

Një lëvizje që ka shkaktuar indinjatë te punonjësit shqiptarë, por jo edhe te udhëheqësia e Drejtorisë së Doganave të Maqedonisë së Veriut. Kjo e fundit ka rikthyer përdorimin ekskluziv të gjuhës maqedonase në vulat zyrtare. Nëse deri dje dokumentet vuloseshin në dy gjuhë: në maqedonisht dhe shqip, nga sot ato do të vulosen vetëm në maqedonisht.

Ky veprim shihet si hap prapa në respektimin e të drejtave gjuhësore dhe rrezikon të shkaktojë tensione të reja në raportet ndëretnike.

Drejtor i Doganave të Maqedonisë së Veriut është Boban Nikollovski, ndërsa zëvendësdrejtor Mustafa Dauti, kuadër i Lëvizjes Demokratike të Izet Mexhitit. Se shqipja nuk respektohet më në këtë institucion, tregoi edhe shënimi i 33-vjetorit të Doganave, ku i gjithë manifestimi kaloi pa asnjë shenj në gjuhën shqipe. Madje, edhe doganierët e paraqitur në një video-mesazh të Doganave, ishin detyruar të flasin në maqedonisht. Dhe e gjithë kjo në sytë e zëvendësdrejtorit Dauti, i cili vazhdon të heshtë ndaj nënçmimit që i bëhet gjuhës shqipe, edhe ose e njëjta është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. (koha.mk)

Continue Reading

Lajme

“Të promovojmë ambient pozitiv dhe demokratik në prag të zgjedhjeve” – ambasadori Meidani takon shefin e misionit të OSBE/ODIHR-së

Published

on

By

Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, është takuar sot në Shkup me Mateo Maccacci, kreun e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR. Ky takim pason takimin e mëparshëm mes tyre gjatë Konferencës së Ambasadorëve në Tiranë më herët këtë vit. Gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet aktuale në Maqedoninë e Veriut si dhe rëndësia e krijimit të një klime të shëndetshme demokratike në prag të zgjedhjeve të ardhshme.

“Sot në Shkup pata kënaqësinë të takohesha sërish me Mateo Maccacci, Shefin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR, pas takimit tonë të këndshëm gjatë Konferencës së Ambasadorëve në Tiranë, më herët këtë vit.

Shkëmbyem mendime mbi zhvillimet aktuale në Maqedoninë e Veriut dhe mbi rëndësinë e promovimit të një ambienti pozitiv, të drejtë, transparent dhe demokratik në prag të zgjedhjeve të ardhshme. Prania dhe angazhimi i ODIHR mbetet thelbësor në mbështetjen e këtyre vlerave të përbashkëta në të gjithë rajonin”, njofton Meidani në platformën “X”.

Continue Reading

TOP Lajme