Connect with us

Lajme

ASH: Skandal me përmasat e një afere kriminale në hapësirat e ish-Monopolit në Tetovë

Published

on

Sekretari organizativ i Aleancës për Shqiptarët, Gadaf Uzairi përmes press konferencës për media shpalosi për opinionin skandalim me përmasat e një afere kriminale në hapësirat e ish-Monopolit në Tetovë nga ana e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami i cili sipas informacioneve zyrtare tha se fillimisht e ka shitur parcelën për vetëm 70 denarë për metër katror, ndërsa më pas ka ndërhyrë në planin detal urbanistik, duke e kategorizuar atë si zonë ndërtimore – çka ka rritur ndjeshëm vlerën tregtare të tokës dhe i ka hapur rrugë zhvillimeve komerciale në dëm të interesit publik.

Teksti i plotë i Uzairit:

“Ndodhemi sot para objektit të ish-Monopolit në Tetovë – një hapësirë me peshë të thellë historike dhe simbolike për shqiptarët, e cila, fatkeqësisht, po shndërrohet në shembull klasik të përvetësimit të pronës publike për motive të pastra korruptive.

Ky objekt nuk është thjesht një ndërtim industrial. Ish-Monopoli është një pikë referimi historik për popullin shqiptar: në nëntor të vitit 1944, mbi 10.000 shqiptarë u grumbulluan këtu dhe qindra prej tyre, u masakruan në një nga faqet më të errëta të historisë sonë kombëtare. Po këtu, dekada më vonë, nisi edhe rrugëtimi i arsimit të lartë shqip – Universiteti i Tetovës, që e pati Monopolin si një ndër strehat e parë të tij.

Por sot, ky objekt po fshihet nga faqja e dheut për t’i hapur rrugë interesave private. Procesi i prishjes së tij po realizohet në mënyrë të paqartë dhe jotransparente, duke neglizhuar standardet mjedisore dhe rreziqet për shëndetin publik – për shkak të pluhurit dhe materialeve të dëmshme që qarkullojnë në ajër pa asnjë masë mbrojtëse për qytetarët.

Ajo që e bën këtë situatë edhe më alarmante është mënyra se si është manipuluar prona publike. Sipas informacioneve zyrtare, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, fillimisht e ka shitur parcelën për vetëm 70 denarë për metër katror, ndërsa më pas ka ndërhyrë në planin detal urbanistik, duke e kategorizuar atë si zonë ndërtimore – çka ka rritur ndjeshëm vlerën tregtare të tokës dhe i ka hapur rrugë zhvillimeve komerciale në dëm të interesit publik.

Kompania që bleu këtë hapësirë është, sipas të dhënave të publikuara, në gjendje të rëndë financiare dhe pranë falimentimit – fakt që vetëm forcon dyshimet për një aferë të mirëfilltë kriminale dhe për favore të dyshimta ndaj investitorëve të caktuar.

Për më tepër, dhe më skandaloze, është se ne kemi informata jozyrtare se gjatë punimeve në këtë hapësirë janë zbuluar edhe eshtra që dyshohet se i përkasin viktimave të masakrës së Monopolit. Kjo e rëndon edhe më tej situatën dhe e bën urgjente nevojën për ndaljen e punimeve, hetim të thelluar nga organet kompetente dhe verifikimin zyrtar të çdo gjetjeje në këtë vend memorial për kujtesën kolektive shqiptare.

Arsyetimet e Bilall Kasamit janë të papranueshme. Ai thotë se veproi njësoj si paraardhësit e tij. Por qytetarët i kanë dënuar me votë ata, dhe do ta dënojnë edhe atë në zgjedhjet e tetorit.

Bilall Kasami e kishte mundësinë ta parandalonte këtë krim, por veproi ndryshe. Vitin e kaluar, së bashku me votat e Lëvizjes Besa dhe VMRO-DPMNE-së në Këshillin Komunal të Tetovës, u dha dritë jeshile për ndryshim të Planit Detal Urbanistik.

Ne e pyesim publikisht:
A nuk do të ishte më e dobishme për qytetin që në këtë hapësirë të ndërtohej një qendër memoriale?
Një bibliotekë universitare, një park i gjelbëruar, një qendër rekreative moderne, një akua-park apo një garazh në kate me funksione publike?

Tetova ka nevojë për më shumë hapësira publike, gjelbërim, histori, frymë qytetare dhe vlera evropiane, e jo për më shumë beton dhe objekte shumëkatëshe private, që vetëm sa e ngulfatin qytetin dhe u shërbejnë grupeve të interesit, jo komunitetit.

Aleanca për Shqiptarët dënon fuqishëm këtë proces të dyshimtë dhe kërkon nga institucionet përkatëse hetim të menjëhershëm dhe përgjegjësi konkrete”, përfundoi Uzairi.

Continue Reading

Lajme

Isen Shabani nënshkruan Kodin për zgjedhje korrekte dhe demokratike në Vrapçisht

Published

on

By

Kandidati i Aleancës për Kombëtare për Integrim (AKI) për kryetar të Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, së bashku me kundërkandidatin e tij, nënshkroi sot në ambientet e Komisionit Komunal Zgjedhor – Vrapçisht Kodin për zgjedhje të ndershme, demokratike dhe transparente, njofton Top24

Shabani e cilësoi këtë akt si një zotim serioz për një proces zgjedhor me standarde të larta demokratike dhe ftoi qytetarët të marrin pjesë masivisht në votime.

“Sot, në ambientet e Komisionit Komunal Zgjedhor – Vrapçisht, së bashku me kundërkandidatin tim, nënshkruam Kodin për zgjedhje korrekte, demokratike dhe transparente. Ky akt nuk është vetëm një formalitet, por një zotim i qartë se e gjithë fushata dhe procesi zgjedhor do të zhvillohet me ndershmëri, respekt dhe barazi për çdo qytetar. Ftoj të gjithë qytetarët që më 19 tetor të dalin masivisht dhe të votojnë sipas bindjes së tyre, me vendosmëri që askush – as kryeministri e as ndonjë politikan tjetër – të mos ua caktojë të ardhmen. E ardhmja e Vrapçishtit vendoset vetëm nga qytetarët e tij, me votë të lirë dhe demokratike. Uroj që të kemi një garë të ndershme dhe demokratike. Shëndet dhe sukses për të gjithë!”

Continue Reading

Lajme

Dogana kthen vulat vetëm në maqedonisht, shqipja eliminohet plotësisht!

Published

on

By

Një lëvizje që ka shkaktuar indinjatë te punonjësit shqiptarë, por jo edhe te udhëheqësia e Drejtorisë së Doganave të Maqedonisë së Veriut. Kjo e fundit ka rikthyer përdorimin ekskluziv të gjuhës maqedonase në vulat zyrtare. Nëse deri dje dokumentet vuloseshin në dy gjuhë: në maqedonisht dhe shqip, nga sot ato do të vulosen vetëm në maqedonisht.

Ky veprim shihet si hap prapa në respektimin e të drejtave gjuhësore dhe rrezikon të shkaktojë tensione të reja në raportet ndëretnike.

Drejtor i Doganave të Maqedonisë së Veriut është Boban Nikollovski, ndërsa zëvendësdrejtor Mustafa Dauti, kuadër i Lëvizjes Demokratike të Izet Mexhitit. Se shqipja nuk respektohet më në këtë institucion, tregoi edhe shënimi i 33-vjetorit të Doganave, ku i gjithë manifestimi kaloi pa asnjë shenj në gjuhën shqipe. Madje, edhe doganierët e paraqitur në një video-mesazh të Doganave, ishin detyruar të flasin në maqedonisht. Dhe e gjithë kjo në sytë e zëvendësdrejtorit Dauti, i cili vazhdon të heshtë ndaj nënçmimit që i bëhet gjuhës shqipe, edhe ose e njëjta është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. (koha.mk)

Continue Reading

Lajme

“Të promovojmë ambient pozitiv dhe demokratik në prag të zgjedhjeve” – ambasadori Meidani takon shefin e misionit të OSBE/ODIHR-së

Published

on

By

Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, është takuar sot në Shkup me Mateo Maccacci, kreun e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR. Ky takim pason takimin e mëparshëm mes tyre gjatë Konferencës së Ambasadorëve në Tiranë më herët këtë vit. Gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet aktuale në Maqedoninë e Veriut si dhe rëndësia e krijimit të një klime të shëndetshme demokratike në prag të zgjedhjeve të ardhshme.

“Sot në Shkup pata kënaqësinë të takohesha sërish me Mateo Maccacci, Shefin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR, pas takimit tonë të këndshëm gjatë Konferencës së Ambasadorëve në Tiranë, më herët këtë vit.

Shkëmbyem mendime mbi zhvillimet aktuale në Maqedoninë e Veriut dhe mbi rëndësinë e promovimit të një ambienti pozitiv, të drejtë, transparent dhe demokratik në prag të zgjedhjeve të ardhshme. Prania dhe angazhimi i ODIHR mbetet thelbësor në mbështetjen e këtyre vlerave të përbashkëta në të gjithë rajonin”, njofton Meidani në platformën “X”.

Continue Reading

TOP Lajme