Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni të Veriut, Denion Meidani, ka shprehur solidaritet me gazetarin Naser Selmani pas aktit të dhunës ndaj automjetit të tij në Shkup, njofton Top24
“Solidaritet me gazetarin Naser Selmani. Dhuna dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë sulm ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë. Organeve hetimore u takon ta zbardhin rastin pa vonesë. Falenderoj Unionin e Gazetarëve Shqiptarë për reagimin!”, ka theksuar Meidani në reagimin e tij publik.
Aleanca për Shqiptarët shpreh indinjatën më të thellë dhe dënon fuqishëm sulmin e fundit ndaj gazetarit Naser Selmani.
Ky akt i shëmtuar është përpjekje e drejtpërdrejtë për ta frikësuar zërin e lirë dhe për ta heshtur mendimin kritik në shoqërinë tonë.
Dita ditës po shohim rritje të presionit dhe të dhunës ndaj gazetarëve, ndërkohë që kjo qeveri vazhdon të mbyllë sytë dhe të qëndrojë pasive para këtyre fenomeneve të rrezikshme. Heshtja institucionale është e barabartë me bashkëfajësi.
Liria e shprehjes dhe e medias është themel i çdo shoqërie demokratike. Sulmet ndaj gazetarëve nuk janë vetëm kërcënim ndaj individëve, por sulm ndaj të gjithë qytetarëve dhe të drejtës së tyre për t’u informuar lirshëm e pa frikë.
Aleanca për Shqiptarët kërkon hetim të shpejtë, transparencë të plotë dhe përgjegjësi ligjore ndaj autorëve dhe urdhërdhënësve të këtij akti kriminal. Ne shprehim solidaritet të plotë me gazetarin Naser Selmani dhe do të qëndrojmë gjithmonë në mbrojtje të fjalës së lirë dhe demokracisë në vendin tonë.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka dënuar ashpër sulmin ndaj gazetarit Naser Selmani, duke e cilësuar atë si një akt që i shtohet dhunës së rritur ndaj medias së lirë në vend.
“Dënoj ashpër sulmin ndaj gazetarit Naser Selmani, sulm i cili i shtohet dhunës që është rritur ndjeshëm ndaj medias së lirë. Kjo dhunë jep dy mesazhe të qarta: së pari, jetojmë në diktaturë – fatkeqësisht; së dyti, kjo diktaturë i ka ditët e numëruara. Edhe pse pushteti merret me Naserin, prapë fiton Naseri”, ka deklaruar Taravari.
Ai ka theksuar se liria e medias është vlerë themelore e demokracisë dhe se çdo tentim për ta mbytur atë përbën sulm ndaj qytetarëve dhe së drejtës së tyre për informim.
Çështja e dyshimeve për përgjime të kryeministrit Hristijan Mickoskit, gazetarëve dhe bizinismenëve edhe sot ka vazhduar me reagime dhe akuza në mes pushtetit dhe opozitës. Nga LSDM thonë se deklaratat e kryeministrit dhe drejtorit aktual të Agjencisë për Siguri Kombëtare Bojan Hristovskit janë kontradiktore. Zëdhënësja e LSDM-së Bogdanka Kuzeska tha se LSDM kërkon deklasifikimin e menjëhershëm të të gjithë dokumentacionit që lidhet me akuzat për përgjime të paligjshme.
BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË
“Mickoski thotë se dyshohet se është përgjuar, ndërsa drejtori i ASK-së e mohon dhe thotë diqka tjetër, se bëhet fjalë për mbledhjen e informacioneve rreth individëve të targetuar. Kush po gënjen këtu? Nëse ASK- ja nuk e sqaron rastin, do të bëhet e qartë se kjo është një tjetër përpjekje e dështuar për manipulim nga qeveria dhe keqpërdorim parazgjedhor. Ashtu si në rastet e destabilizimit të supozuar, përpjekjes për ryshfet nga kompanitë e huaja dhe një sërë historish të tjera të sajuara që përfunduan pa asnjë provë dhe pa një zgjidhje”.
Ndërkaq nga VMRO-DPMNE sot kanë deklaruar se LSDM ka përgjuar kryeministrin Hristijan Mickoskin, gazetarët dhe biznesmenët për të qëndruar në pushtet, duke i përdorur shërbimet për qëllime partiake. Deputeti i kësaj partie Brane Petrushevski tha se Mickoski, si kryetar i partisë më të madhe opozitare në atë kohë, u monitorua për pesë vite. Ai kërkoi nga prokuroria hetim gjithpërfshirës.
BRANE PETRUSHEVSKI, DEPUTET I VMRO-DPMNE-SË
“Është tragjedi se si LSDM-ja I keqpërdori shërbimet, të cilat në vend që t’i shërbenin shtetit, sigurisë dhe inteligjencës së tij u përdorën për të mbajtur në pushtet Zaevin, Filipçen dhe klikën e ngushtë rreth tyre. Për të gjitha këto, ata u ndihmuan nga kryeprokurori aktual Kocevski, i cili ishte përgjegjës për monitorimin e lëshimit të masave të veçanta hetuese. Kocevski është hallka kryesore në zinxhirin e LSDM-së për monitorimin dhe përgjimin e Mickoskit, gazetarëve dhe biznesmenëve”.
Prokuroria Themelore Publike ditën e djeshme ka hapur lëndë për sa i përket rastit për dyshimet e ngritura nga drejtori aktual i ASK-së Bojan Hristovski dhe kryeministri Hristijan Mickoski për përgjime të paligjshme ndaj Mickoskit./SHENJA/