Rreth 1000 gra nga Gostivari iu bashkuan sonte Besëlidhjes së koalicionit shqiptar Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), në një takim madhështor të organizuar nga Forumi i Gruas në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale të 19 tetorit. Ky aktivitet shënoi një nga momentet më të rëndësishme të fushatës elektorale, duke vënë në qendër rolin vendimtar të grave në jetën politike dhe shoqërore të qytetit.
Kryetari aktual i Komunës së Gostivarit dhe kandidati për një mandat të dytë nga AKI, dr. Valbon Limani, theksoi rëndësinë e rritjes së përfaqësimit të grave në pozita drejtuese.
> “Një nga vendimet më të rëndësishme gjatë mandatit tim ka qenë emërimi i një gruaje në krye të një ndërmarrjeje publike – për herë të parë në historinë e Gostivarit – dhe ajo po e menaxhon me sukses të plotë. Në mandatin e ardhshëm, do të angazhohem që edhe më shumë gra të jenë pjesë e strukturave drejtuese,” – u shpreh Limani, duke nënvizuar vendosmërinë e AKI-së për të arritur një fitore bindëse më 19 tetor me përkrahjen e fortë të grave.
Ai gjithashtu vuri në pah rëndësinë e bashkimit politik të shqiptarëve, duke i cilësuar këto zgjedhje si një moment historik për qytetin dhe për të ardhmen politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Valdet Xhaferi, bartës i listës së këshilltarëve për Komunën e Gostivarit nga AKI, u bëri thirrje qytetarëve për përkrahje masive ndaj kandidaturës së Valbon Limanit.
> “Vota për Valbonin është votë për barazi, ndershmëri, mirëqenie dhe përparim shoqëror. 19 tetori nuk është vetëm një datë zgjedhjesh – është një thirrje për bashkim dhe emancipim,” – theksoi Xhaferi.
Në takim mori pjesë edhe znj. Arta Bilalli Zendeli, Sekretare për Mundësi të Barabarta pranë BDI-së, e cila nënvizoi nevojën që kërkesat dhe prioritetet e grave të pasqyrohen në politikat lokale.
> “Pushteti lokal prek çdo aspekt të jetës së grave – nga arsimi, shëndetësia, çerdhet, deri te shërbimet publike. Ju ftoj të bëheni arkitektet e një Gostivari të ri, duke dëgjuar dhe përfaqësuar zërin e çdo nëne, gruaje dhe motre,” – u shpreh ajo.
Ndërkohë, Elfete Ismaili, Kryetare e Asamblesë së Gruas pranë ASH-së, vlerësoi lart mobilizimin e grave si një faktor vendimtar për fitoren e AKI-së në Gostivar, ndërsa sipas saj, në këtë qytet fitorja do të jetë me rezultat 3:1.
> “Energjia që po sjellin gratë në këtë fushatë është e jashtëzakonshme. Jemi të përkushtuara, të organizuara dhe të gatshme për të trokitur në çdo derë për të çuar përpara këtë frymë bashkimi dhe fitoreje,” – deklaroi Ismaili.
Kryetari i ASH-së dhe njëherësh një nga liderët kryesorë të koalicionit AKI, z. Arben Taravari, e cilësoi këtë garë elektorale si një plebishit për të ardhmen politike të shqiptarëve dhe për drejtësinë sociale.
> “Votat nuk duhet të shpërdorohen për dy kandidatë të dalë nga strukturat e VMRO-së në Gostivar. Ato duhet të orientohen aty ku janë vlerat e mirëfillta dhe përfaqësimi real i shqiptarëve – te Aleanca Kombëtare për Integrim, për Valbonin dhe Valdetin,” – tha Taravari.
Takimi u organizua nga forumet e grave të partive përbërëse të koalicionit AKI në Gostivar. Vlen të theksohet se nga 23 kandidatët për këshilltarë në Këshillin Komunal, gjysma janë gra – një dëshmi e qartë e përkushtimit të AKI-së për barazi gjinore dhe përfshirje aktive të grave në proceset vendimmarrëse.