Pavarësisht retorikës boshe për “luftë kundër bixhozit”, Izet Mexhiti po del të jetë jo armiku, por mbrojtësi më besnik i industrisë së lojërave të fatit në Maqedoninë e Veriut. Në çdo hallkë të kësaj skeme – nga Lotaria Shtetërore te bastoret e njohura, nga pyjet e shkatërruara në Kozhuf, e deri te koncesionet në Çair – del emri i tij.
Aleanca për Shqiptarët sjell para opinionit publik një panoramë të qartë të lidhjeve të rrezikshme të ministrit Mexhiti me industrinë e bixhozit dhe paralajmëron për rrezikun real të krijimit të një monopoli shtetëror të bixhozit, nën kontrollin e strukturave të kapura politike.
Është pikërisht Izet Mexhiti – ai që me zë të lartë premtonte luftë kundër bixhozit – që sot është shndërruar në garantuesin më të heshtur të tij. Në vend që të mbrojë qytetarët, Mexhiti e ka kthyer Lotarinë Shtetërore në një vegël të pastër klienteliste dhe partiake.
Vetëm pak muaj më parë, ai emëroi Ahmet Miftarin si zëvendësdrejtor të Lotarisë Shtetërore, duke e prezantuar si “kuadër të VMRO-DPMNE-së”. Por faktet tregojnë se Miftari është bashkëpunëtor i ngushtë i vetë Mexhitit dhe kuadër i Lëvizjes Demokratike. Për më tepër, përfshirja e familjarëve të tij në Bordin e Lotarisë dëshmon për një kapje flagrante të këtij institucioni në funksion të interesave personale dhe politike.
Një tjetër skandal që thellon lidhjet e Mexhitit me industrinë e bixhozit është rasti në malin Kozhuf, ku kompania e Gjoko Sterjoskit – pronar i rrjetit të kazinove dhe bastoreve “Sportlife” – po shkatërron sipërfaqe të mëdha pyjore, duke dëmtuar rëndë biodiversitetin dhe ekosistemin lokal. E gjithë kjo po ndodh me heshtjen e ministrit të Ekologjisë, Izet Mexhiti. Dhe kjo heshtje nuk është pasivitet – është kompromis.
Mexhiti nuk është i ri në këtë lojë. Biznesmeni kontravers Rafet Muminoviç, një figurë qendrore e industrisë së bixhozit në vend, është parë shpesh publikisht pranë Mexhitit. Kujtojmë se gjatë mandatit të tij si kryetar i Komunës së Çairit, Muminoviç përfitoi koncesione për kazino, bastore dhe pika kredish të shpejta në hapësira publike, përfshirë edhe stadiumin e Çairit. Ky nuk është rastësi – është bashkëpunim i strukturuar.
Në vend të reformave të thella dhe të sinqerta, qeveria FLEN – ku Mexhiti ka rol kyç – po ndërton një sistem që favorizon krijimin e një monopoli shtetëror të bixhozit. Projektligji i hartuar nga VMRO-DPMNE dhe i përqafuar pa kushte nga partnerët shqiptarë, e përqendron vendimmarrjen për licencat vetëm në duart e Qeverisë, duke përjashtuar çdo mekanizëm real të kontrollit publik, konkurrencës së ndershme apo transparencës institucionale.
Një shqetësim i madh është edhe përmbajtja e nenit 24 të këtij projektligji, i cili dëshmon qartë se nuk ka asnjë vullnet për mbylljen e lojërave të fatit pranë shkollave. Ky nen parasheh:
• Kazinot dhe klubet e automatëve të funksionojnë në hapësira të veçanta (paragrafi 1);
• Distanca 500 metra nga shkollat vlen vetëm për kazinot dhe lojërat elektronike (paragrafi 2);
• Bastoret janë përjashtuar nga ky kusht dhe mund të operojnë pranë shkollave (paragrafi 3);
• Në bastoret afër shkollave ndalohen vetëm pajisjet elektronike, jo vetë aktiviteti i bastit (paragrafi 4);
• Distanca matet nga kompani private, duke hapur rrugë për manipulime (paragrafi 5);
• Vendimmarrja për distancën i lihet Agjencisë për Kadastër, jo institucioneve arsimore apo komunave (paragrafi 6).
Ky është një ligj që nuk synon mbylljen, por riorganizimin dhe zgjatjen e jetës së industrisë së bixhozit në një formë të rregulluar dhe të mbikëqyrur nga strukturat që sot janë të kapura. – thekson Aleanca për Shqiptarët.
Për këtë arsye, ASH kërkon mbyllje reale, të pakushtëzuar dhe të menjëhershme të të gjitha formave të bixhozit në afërsi të institucioneve arsimore dhe zonave të banuara, pa asnjë përjashtim dhe pa asnjë hapësirë për interpretim klientelist.
Lufta kundër bixhozit nuk bëhet me statuse në Facebook dhe me deklarata boshe. Bëhet me ligje të qarta, kontrolle të rrepta dhe vullnet politik të sinqertë – jo me ministra që shërbejnë si paravan i interesave të industrisë së bixhozit.
Në vend të transparencës dhe reformës, kemi klientelizëm dhe heshtje të blerë. Në vend të mbrojtjes së interesit publik, kemi riciklimin e po të njëjtave figura që prej vitesh bashkëpunojnë me oligarkë dhe e shkatërrojnë çdo nocion të shtetit ligjor.
Aleanca për Shqiptarët