Connect with us

Lajme

Komuna e Gostivarit dhe Komuna e Gjilanit lidhën marrëveshje për zbatimin e përbashkët të një projekti nga programi IPA 3

Published

on

Kryetari i Komunës së Gostivarit Valbon Limani dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, zhvilluan sot një takim të rëndësishëm për të forcuar bashkëpunimin ndërkufitar në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Në këtë takim, dy palët arritën marrëveshje për zbatimin e përbashkët të një projekti të financuar nga programi IPA 3, i cili synon përmirësimin e qëndrueshmërisë mjedisore, reduktimin e ndikimit të ndryshimeve klimatike dhe ngritjen e cilësisë së jetës për qytetarët e dy komunave.

Projektet kryesore të kësaj nisme përfshin zhvillimin e infrastrukturës së gjelbër dhe miqësore me mjedisin – Komuna e Gostivarit do të nisë një tranzicion nga sistemet tradicionale të ngrohjes me lëndë djegëse fosile drejt përdorimit të pompave të nxehtësisë, duke reduktuar ndotjen e ajrit. Ndërkohë, në Komunën e Gjilanit do të krijohen hapësira të gjelbra urbane për të përmirësuar cilësinë e ajrit dhe jetesës.

Limani theksoi se kjo marrëveshje, apo ky bashkëpunim është hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe bashkëpunimit rajonal.

“Ky projekt është një dëshmi e përkushtimit tonë për një të ardhme më të pastër dhe më të shëndetshme për qytetarët tanë. Bashkëpunimi me Gjilanin do të sjellë ndryshime reale në cilësinë e jetës dhe do të vendosë një model të suksesshëm për bashkëpunimin ndërkufitar”, u shpreh Limani.

Nga ana e tij, Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, theksoi rëndësinë e projekteve të përbashkëta për ruajtjen e mjedisit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.

“Kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm drejt një mjedisi më të shëndetshëm për të gjithë ne. Jemi të përkushtuar që, përmes këtij bashkëpunimi, të krijojmë kushte më të mira për qytetarët tanë dhe të kontribuojmë në ndërtimin e një komuniteti më të qëndrueshëm,” tha Hyseni.

Projekti i përbashkët Gostivar-Gjilan është një iniciativë e rëndësishme brenda programit IPA 3, duke reflektuar vizionin e dy komunave për një të ardhme më të gjelbër dhe të qëndrueshme për rajonin ndërkufitar. Zbatimi i tij pritet të nisë në muajt e ardhshëm, me përfitime të drejtpërdrejta për komunitetet lokale.

Continue Reading

Lajme ditore

Le Figaro rendit Shqipërinë në mesin e 5 destinacioneve kulturore më të rëndësishme në botë

Published

on

By

Gazeta prestigjioze franceze “Le Figaro” ka renditur Shqipërinë në mesin e pesë destinacioneve kulturore më të rëndësishme në botë për udhëtime të organizuara, përkrah Uashingtonit, Salzburgut, Firencës dhe madhështive të Saksonisë gjermane.

Artikulli përshkruan Shqipërinë si një perlë të fshehur të Ballkanit, me pasuri të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, duke nisur nga Gjirokastra, Berati e Butrinti, e cila josh me historinë e saj të pasur dhe diversitetin e peizazheve të saj.

Midis maleve madhështore, liqeneve vezulluese dhe qyteteve të lashta, Shqipëria zbulon thesaret e saj në çdo fazë. Tirana, dinamike dhe plot ngjyra, dëshmon evolucionin e një vendi në zhvillim të plotë. Berati, “qyteti i një mijë dritareve”, magjeps me shtëpitë e tij dhe kështjellën e tij në majë të kodrës.

Në Gjirokastër, rrugët me kalldrëm dhe ndërtesat prej guri tregojnë për një të kaluar të pasur. Butrinti, një vend arkeologjik i jashtëzakonshëm, zbulon trashëgiminë e një qyteti të lashtë me histori mijëvjeçare. Çdo zbulim është një zhytje në një trashëgimi me diversitet të habitshëm.

Shqipëria nuk zbulohet vetëm përmes monumenteve të saj. Ajo jeton në mirësinë e banorëve të saj, në pasurinë e traditave të saj dhe në shijet e gastronomisë së saj.

Shëtitja nëpër rrugët e ngushta të Krujës, pjesëmarrja në një demonstrim vallesh popullore ose zbulimi i vreshtave lokale janë të gjitha momente që dëshmojnë për autenticitetin dhe ngrohtësinë e kësaj toke mikpritëse, shkruan gazeta prestigjioze franceze.

Continue Reading

Lajme

Flaka thumbon: Ku ka më shumë vlerë se të japësh zemrën për veten?

Published

on

By

Në një lajm që na erdhi si befasi, zëvendëskryeministri Arben Fetai ka shpallur se zemra e parë dhe e vetme që beson në qeverisjen e mirë në qeverinë Mickoski është… zemra e tij!

Po, po, e dëgjuat mirë — ai ia dha vetes një zemër, si për të treguar se askush tjetër nuk ka guximin, dëshirën apo ndoshta luksin të besojë në këtë qeveri.

Në Flaka nuk na pëlqejnë lajmet e tilla, por ky është padyshim një lajm komik që s’mund ta lëmë pa thumbuar!

Ndonjëherë më mirë të qeshësh sesa të qash, prandaj Arben, zemra jote është më e veçanta në këtë lojë politike — e vetmja që i thotë “po” qeverisë Mickoski!

Flaka thumbon me humor dhe përqafon këtë moment… sepse kur vetja të jep zemër, atëherë gjithçka është e mundur!

Shënim i redaksisë: Ky është vërtet lajmi që s’na duhej. Po nuk na vjen turp që po e botojmë.

“Lajmi që s’na duhej” është rubrikë satirike. Çdo ngjashmëri me realitetin është më shumë reale se satirike. Qëndrimet janë të autorit, jo të redaksisë – të paktën deri në emërimet e reja.”

(Çdo ngjashmëri me realitetin është më shumë reale se satirike. Qëndrimet janë të autorit, jo të redaksisë – të paktën deri në emërimet e reja). /Flaka/

Continue Reading

Lajme

Zgjedhjet lokale në Maqedoni do të mbahen më 19 tetor

Published

on

By

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot shpalli zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 19 tetor.

Gashi nënshkroi Vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të teta lokale në përputhje me nenin 12, paragrafi 4 i Kodit Zgjedhor, duke respektuar afatin prej 70 deri në 90 ditë nga shpallja deri në mbajtjen e zgjedhjeve.

Me shpalljen e zgjedhjeve, fillojnë të ecin afatet për zbatimin e aktiviteteve zgjedhore, në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe sipas kalendarit që do të miratohet nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Continue Reading

TOP Lajme