Kaloi një muaj e gjysmë dhe statusi i punës së infermierëve në Tetovë nuk u zgjidh siç premtoi ministri i Shëndetësisë Azir Aliu. Ndonëse konkursi u hap para disa ditëve, procedura është pezulluar për shkak të zgjedhjeve lokale. Kritikuan nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, shkruan Portalb.mk.
Procedura e punësimeve në Spitalin e Tetovës është pezulluar për shkak të zgjedhjeve lokale.
Ndonëse ministri i Shëndetësisë Azir Aliu në qershor me shumë bindje premtoi se brenda një muaji e gjysmë pritet të zgjidhet statusi i punës së personelit mjekësor të Tetovës, kjo nuk u bë brenda kësaj kohe.
Për këtë kanë reaguar edhe nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, ata thonë se Azir Aliu ka mashtruar publikisht.
Genc Selmani nga ASh-ja tha se procesi është në kundërshtim të plotë me legjislacionin në fuqi.
“Ligji është i qartë – pas shpalljes së zgjedhjeve nuk mund të ketë punësime të reja përveç rasteve urgjente dhe të pashmangshme. Punësimi i stafit mjekësor nuk është urgjencë ligjore kur ekziston personel me kontrata aktive,” theksoi Selmani.
Ai e akuzoi ministrin se e ka përdorur situatën për qëllime elektorale.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se procedura e punësimeve është pezulluar për shkak të shpalljes së zgjedhjeve lokale dhe menjëherë pas përfundimit të tyre, i gjithë procesi do të përfundojë dhe të gjithë do të marrin vendime.
“Me njoftime të pabazuara dhe duke përdorur informacione të rreme, po i shkaktohet dëm Ministrisë së Shëndetësisë si institucion dhe, për fat të keq, po krijohet panik dhe shqetësim te punonjësit e Spitalit Klinik të Tetovës, të cilët ditë e natë kujdesen për shëndetin e bashkëqytetarëve tanë”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë.
Pas shumë zvarritjeve, protestave, polemikave dhe përplasjeve politike, Spitali i Tetovës më më 24 korrik e hapi konkursin për pranimin e personelit mjekësor.
Kujtojmë se në muajin qershor punonjësit shëndetësorë në Spitalin e Tetovës me kontrata, të cilët janë rreth 140, protestuan pasi nuk kishin marrë rroga ndërsa kërkuan edhe vendime pune.
Pas protestave, nga Spitali Klinik i Tetovës u premtuan se do tu paguhen pagat e prapambetura si dhe kontrata në vepër deri në fund të vitit.
Po atë muaj ministri i ri i Shëndetësisë Azir Aliu tha se brenda një muaji e gjysmë pritet të zgjidhet statusi i punës së personelit mjekësor të Tetovës.
Ndryshe, lëvizjet në Shëndetësi kanë bërë që ky sektor të mos gjejë “qetësi”. Nga ana tjetër, sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut po zbrazet dita ditës.