Connect with us

Lajme

Kush e paditi Maqedoninë për arratisjen e Blerim Ramadanit? VLEN-i thotë se nënkryetari i BDI-së, Ademi mohon – flet Prokuroria

Published

on

Një kallëzim penal për arratisjen e ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani, tashmë është deponuar në Prokurorinë Themelore Publike të Maqedonisë së Veriut. Padia i vë në shënjestër ministrin e Punëve të Brendshme të shtetit maqedon, Pançe Toshkovski, dhe drejtorin e Byrosë së Sigurisë Publike, Aleksandar Janev, të cilët akuzohen për “organizim kriminal” duke e lejuar arratisjen e Ramadanit për në Kosovë.

VLEN-i, koalicioni shqiptar që e udhëheq, bashkë me VMRO-në, Maqedoninë e Veriut, thotë se kallëzimin penal e ka bërë Arbër Ademi, nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, që drejtohet nga Ali Ahmeti. Megjithatë, në një prononcim për Nacionalen, Ademi ka mohuar se ka dorëzuar kallëzimin penal, duke e quajtur këtë akuzë “gënjeshtër e njerëzve me lidhje të UDB-së”.

Kallëzimi penal – autori në kërkim

Ndonëse ende nuk i dihet autori, kallëzimi penal ekziston dhe është deponuar në Prokurorinë e Maqedonisë së Veriut. Në një përgjigje për Nacionalen, shërbimi për marrëdhënie me publikun i Prokurorisë Themelore Publike të Maqedonisë e ka konfirmuar ekzistencën e kallëzimit penal në lidhje me arratisjen e ish-ushtarit të UÇK-së.

“Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, konfirmon që lidhur me arratisjen e Blerim Ramadanit është krijuar lëndë në bazë të kallëzimit penal të paraqitur dhe në bazë të paraqitjes po veprohet aktivisht në procedurë para hetuese” – ka thënë kjo prokurori, e cila, duke u thirrur në konfidencialitetin e hetimeve paraprake, nuk ka lejuar qasje në kallëzimin penal.

Megjithatë, VLEN-i “e di” autorin e këtij kallëzimi penal. Sipas Rijad Shaqirit, deputet i VLEN-it, autor i kallëzimit penal është Arbër Ademi, zyrtar i lartë i BDI-së dhe ish-funksionar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

“Po, është e vërtetë që ka një kallëzim penal nga ana e Arbër Ademit për Ministrinë e Punëve të Brendshme, kryesisht për personat udhëheqës, gjoja se nuk e kanë ushtruar detyrën zyrtare për ta penguar ish-ushtarin e UÇK-së, që të qëndrojë brenda Maqedonisë së Veriut. Ata brenda ditës krekosen duke thirrur për t’i mbrojtur ish-ushtarët e UÇK-së, ndërsa, në anën tjetër, për poena të ulët politikë bëjnë manovrime të tilla, që nuk u ka hije” – vazhdoi Shaqiri.

Megjithatë, këto akuza i ka mohuar Ademi. Në një prononcim për Nacionalen, Ademi i ka cilësuar “gënjeshtër e kulluar” akuzat, duke theksuar se vetë ai e kishte kërkuar lirimin e Ramadanit nga arresti.

“Lajm i rrejshëm është. Gënjeshtër e kulluar. Ju falënderoj shumë dhe mirë që po i verifikoni gjërat. Kjo është shpifje e kulluar. Përkundrazi, unë kam mbajtur presse [konferenca për shtyp] dhe paraqitje publike, ku kam thënë që ai duhet të lirohet, siç janë liruar të gjithë ushtarët e UÇK-së gjatë kohës sonë në pushtet” – tha Ademi.

I pyetur nëse qëndron prapa një e-maili të siguruar nga Nacionale dhe kallëzimit penal, Ademi mohoi se është email-i tij.

“Nuk është e-maili im. Kjo është gënjeshtër e njerëzve me lidhje të UDB-së. Unë jam kritikues i nacionalizmit maqedonas. Shërbëtorët e tyre mund të vazhdojnë të merren me konstruksione të tilla. As që bëhet fjalë. Është gënjeshtër e pastër” – ka shtuar Ademi.

Në e-mailin e siguruar nga Nacionale, të cilin e ka mohuar Ademi, ushtrohej kallëzim penal ndaj dy zyrtarëve maqedonas “për planifikim, organizim dhe asistencë në arratisjen e personit të lidhur me terrorizëm dhe organizata terroriste, i cili kërkohet me urdhër arrest ndërkombëtar, pasi të njëjtit kanë krijuar organizim kriminal dhe kanë lejuar që personi Blerim Ramadani të arratiset nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës”.

Shaqiri nuk heq dorë nga qëndrimi i tij, duke vlerësuar se BDI-ja e ka bërë këtë padi për “akrobacionet e tyre politike”.

“Padinë e kanë bërë për akrobacionet e tyre politike, sepse në anën e tyre duhet të demonstrohet se gjoja se koalicioni VLEN nuk është i interesuar t’i bëjë punët në favor të shqiptarëve, gjoja se veç ata janë të interesuar për shqiptarët. Ka një retorikë që nuk është e mirë që e shfrytëzojnë. Sigurisht se është për t’u befasuar nga ana e një shqiptari, kur paraqitet një padi e tillë, mirëpo për njerëz të llojit të tij, besoj se janë të njohura veprimet e tyre politike. Në të kaluarën kanë bërë veprime edhe më të poshtra, duke burgosur shqiptarë, duke montuar raste të caktuara politike, kur sot e kësaj dite ende kemi njerëz që vuajnë burgje padrejtësisht” – tha ai.

Sjellim ndër mend që Blerim Ramadani, ish-ushtar i UÇK-së, ishte arratisur nga Maqedonia e Veriut muaj më parë, pasi ishte ndaluar për shkak të një urdhërarresti ndërkombëtar, i lëshuar nga Serbia. Arratisja e tij ishte bërë temë e madhe në Maqedoni të Veriut, duke i përplasur opozitën dhe pushtetin./Nacionale.com/

Continue Reading

Lajme

MPB: Leje për udhëtim jashtë vendit për të mitur do të jepen nga ora 8 deri në 18:00

Published

on

By

Për shkak të rritjes së numrit të kërkesave, sporteli në Departamentin për Çështje Administrative – Shkup (në ndërtesën e RTVM-së) për lëshimin e “Lejeve për udhëtim jashtë vendit për të mitur” (fëmijë nën 14 vjeç) do të punojë nga ora 08:00 deri në orën 18:00, njoftoi sot Ministria e Punëve të Brendshme.

Continue Reading

Lajme

Instalacione të “Botës Serbe” brenda Qeverisë

Published

on

By

Ditë më parë, Ivan Stoilkoviqi mori pjesë në kremtimin e Ditës së Rusisë, për të cilën reagoi Bashkimi Demokratik për Integrim, që siç tha, në mënyrë publike dhe me kapacitet të plotë institucional, në emër të vetë Qeverisë, promovojnë dhe mbrojnë narrativat ruse në Maqedoni. BDI tha se këto veprime janë në kundërshtim me qëndrimet e NATO-s.

“Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ashpër ndaj veprimeve të fundit hibride të instalacioneve të “Botës Serbe” brenda Qeverisë, të cilat në mënyrë publike dhe me kapacitet të plotë institucional, në emër të vetë Qeverisë, promovojnë dhe mbrojnë narrativat ruse në vend. Ky precedent përbën një përplasje të drejtpërdrejtë me qëndrimet e NATO-s dhe me drejtimet e qarta të përcaktuara në deklaratat e miratuara me konsensus nga Këshilli i Aleancës Veri-Atlantike, për të cilat deri më sot kanë votuar rregullisht edhe përfaqësuesit tanë. Në fakt, mbrojtja nga manipulimet dhe ndikimet malinje ruse është identifikuar, verifikuar dhe vlerësuar nga vetë NATO si kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj procesit të vendimmarrjes politike në vendet anëtare, dhe si rrezik serioz për unitetin e Aleancës”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Republika e Maqedonisë së Veriut, vijon më tej reagimi, është zotuar ndaj aleatëve të saj që do të vërë në dispozicion të gjitha kapacitetet dhe mekanizmat në mbrojtje nga këto ndikime, jo vetëm brenda territorit të vet, por edhe si partnere aktive në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Zëvendëskryeministri, i cili në mënyrë ironike është përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, dhe që urdhëron shkarkimin e shqiptarëve nga pozita të larta në administratë, gëzon qartazi mbështetjen e Kryeministrit Hristijan Mickoski për të gjitha veprimet e tij , diçka që e kemi parë më herët kur ndante ‘kartonë të verdhë’ për shqiptarët që i kishte shënjestruar Stoilkovik si ‘të pjekur’ për t’u shkarkuar. Por në incidentin e fundit, Stoilkovik paraqiti Qeverinë duke qëndruar krah për krah me ambasadorët e Rusisë, Kinës dhe vendeve të tjera partnere strategjike të tyre, por edhe me një numër të madh të instalacioneve vendore të botës serbe dhe ruse, në mbrojtje të agresionit rus ndaj Ukrainës”, thuhet në reagim.

Edhe në këtë rast, sipas BDI-së, Kryeministri u shfaq në rolin e relativizuesit të këtij trendi të rrezikshëm, duke u vënë sërish në mbrojtje të të preferuarit të tij në Qeveri. “Qëndrimi aktual i Qeverisë paraqet një precedent të rrezikshëm, përmes të cilit po tentohet ‘normalizimi’ i një ndryshimi të politikës zyrtare të shtetit , me synimin për t’u larguar nga orientimi i qartë euroatlantik dhe për t’iu afruar qendrave alternative të fuqisë politike, të udhëhequra nga Pekini dhe Moska”, tha BDI.

Continue Reading

Lajme

Komuna e Çairit jep mijëra euro për kafiterinë në pronë të zëvendësministres Kaltrina Zekolli Shaqiri, pa shpallje publike dhe transparencë

Published

on

By

Mijëra euro nga Komuna e Çairit i janë ndarë në mënyrë sistematike kafiterisë ‘1sh’ në pronësi të zëvendësministres së Transportit dhe ndër njerëzve më të afërm të Izet Mexhitit, Kaltrina Zekolli Shaqirit. Mjetet janë ndarë pa shpallje publike dhe me marrëveshje sy-më-sy. Afër 9 mijë euro i janë lëshuar kësaj kafiterie që kur Zekolli-Shaqiri është zëvendësministre, për më pak se 1 vit. Fqinjët e intervistuar nga Portalb-i thanë se kafiteria më së shpeshti frekuentohet nga aktivistë të Lëvizjes Demokratike. Komuna e Çairit s’i komenton transaksionet e vjetra, thotë se në vitin 2025 aty janë ushqyer sportistët e Çairit kur kanë pasur gara, gjithashtu nuk përgjigjet se pse vetëm ky lokal ndër vite kryen këtë ‘shërbim’ për ata, pa ju dhënë mundësi bizneseve tjera, shkruan Portalb.mk.

Kompania “NEAR 2015” ka pranuar në mënyrë të vazhdueshme transaksione parash nga 110 mijë deri në 130 mijë denarë nga Komuna e Çairit. Portalb-i zbuloi se në fakt pas kësaj kompanie qëndron kafiteria në Çair që shërben edhe ushqim të shpejtë, e njohur si “1sh”, që është në pronësi të Kaltrina Zekolli Shaqiri, zëvendësministre nga radhët e Lëvizjes Demokratike.

Klienti më i rregullt i këtij lokali në vitet e fundit ka qenë stafi nga Komuna e Çairit. Shuma të mëdha parash janë harxhuar në “1sh” nën arsyetimin e shërbimeve me kafe dhe ushqim të shpejtë, por në mënyrë jotransparente dhe pa konkurrencë.

Afërsisht 30 mijë euro apo 1 milion e 800 mijë denarë ka inkasuar kjo kafiteri nga taksapaguesit e Çairit për katër vite e gjysmë. Portalb-i grumbulloi dhe kalkuloi të gjitha këto transaksione.

Marrëveshje sy-më-sy: Çfarë thotë ligji?

Pagesat për këtë kafiteri, Komuna e Çairit i ka kryer nga kontoja për reprezentacion, mjete të cilat planifikohen për çdo vit në buxhetin bazë.

Ligji për prokurime publike zbatohet vetëm nëse vlera e shërbimit tejkalon disa pragje. Sipas nenit 40, paragrafi 1 i këtij ligji, në sektorin publik klasik (ku hynë edhe komunat), dispozitat e ligjit duhet të zbatohen në procedura për shërbime vlera e të cilave është 1 mijë euro apo më e lartë.

Kjo do të thotë se përderisa vlera e shërbimeve për reprezentacion (katering, shërbime të restorantit) për një vit apo për një marrëveshje tejkalon shumën prej 1 mijë euro, komuna është e obliguar që të zbatojë procedurë për prokurim publik, sipas ligjit.

Vetëm gjatë vitit 2024, Komuna e Çairit ka ndarë 825.410 denarë apo 14.416 euro për këtë kafiteri. Përpos kësaj, ka pasur raste kur vlera e parave të lëshuara për një ditë ka tejkaluar vlerën prej 1 mijë eurove, edhe atë 2 mijë euro për një ditë.

Ligji gjitashtu, në nenin 40, paragrafi 3 në mënyrë decide ndalon ndarjen e prokurimeve, “Organi nënshkrues nuk mund të bëje ndarje të porosive në disa të posaçme, në mënyrë që të ulet vlera e porosisë dhe të mos zbatohet ky ligj”. Nëse ekziston nevojë e vazhdueshme për një shërbim, komuna duhet ta vlerësojë shumën vjetore dhe në bazë të asaj të zbatojë procedurë përkatëse të prokurimit publik.

Sipas kësaj, Komuna e Çairit ka vepruar në kundërshtim të dispozitave të këtij ligji si dhe parimeve bazë të cilat janë transparenca, konkurenca, trajtimi i barabartë dhe mosdiskriminimi i operatorëve ekonomik, në këtë formë, pamundësohet që bizneset tjera të konkurojnë për ofrimin e shërbimeve.

Pronarja e “1sh”, zëvendësministre, bashkëpartiake e kryetarit të komunës dhe njeri i afërt i Izet Mexhitit

Kaltrina Zekolli Shaqiri është pronare e kafiterisë me ushqim të shpejtë ‘1sh’. Ajo fitoi pronësinë e plotë pasi bashkëshorti i ndërroi jetë në vitin 2022 ndërsa aktualisht është zëvendësministre e Transportit, e propozuar nga Lëvizja Demokratike.

Zekolli Shaqiri në rrjetet-sociale shihet vazhdimisht pranë kryetarit të kësaj partie, Izet Mexhitit ndërsa vazhdimisht shpërndan njoftime nga Komuna e Çairit.

Mjete financiare i janë lëshuar kafiterisë “1sh” edhe pas emërimit të Zekolli-Shaqirit si zëvendësministre në Ministrinë për Transport dhe Lidhje. Ajo në këtë detyrë është nga muaji korrik i vitit 2024, që atëherë, për këtë kafiteri Komuna e Çairit ka lëshuar gjithsej 539.690 denarë apo 8.770 euro.

Kaltrina Zekolli Shaqiri ka qenë ndër mbështetëset më të mëdha të fushatës së Visar Ganiut për kryetar të Komunës së Çairit dhe aktive në fushatë. Së fundmi ajo ka realizuar disa takime me Visar Ganiun, të cilat i ka shpërndarë në rrjetet-sociale.

“Aty vazhdimisht rrinë aktivist të LD-së dhe njerëz të komunës”

Portalb-i ishte në Çair dhe bisedoi me disa qytetarë që ndodheshin në afërsi të këtij lokali, pjesa më e madhe prej tyre lokalin e njihnin si ‘pronë e Lëvizjes Demokratike’ apo ‘lokal i Izet Mexhitit’.

“Unë s’kam qenë kurrë, por kur kaloj aty shoh njerëz të partisë së Mexhitit, është lokal i atyre, ata rrinë aty” tha një qytetar, që deshi të qëndrojë anonim.

“Këtu mblidhen krejt këta të komunës, aty rrinë gjithë ditën dhe pinë kafe” tha një qytetar tjetër.

Komuna e Çairit: Aty në vitin 2025 janë organizuar vakte për sportistët

Komuna e Çairit për Portalb.mk tha se këtij lokali gjatë vitit 2025 i janë lëshuar 59 mijë denarë, pasi sportistët dhe shkollarët e mesëm kanë ngrënë vakte ushqimore gjatë garave.

“Komuna e Çairit në vazhdimësi është në mbështetje të klubeve sportive dhe manifestimeve sportive. Për vitin 2025 ndaj kompanisë në fjalë komuna ka realizuar dy pagesa në vlerë totale prej 59.000 denarëve. Në këtë shpenzim hynë mbulesa e shpenzimeve ushqimore të klubeve sportive të cilat janë pjesë e Komunës tonë dhe që garojnë në disciplina të ndryshme si basketboll, volejboll, hendboll dhe ngjashëm. Po ashtu, në këtë pagesë hynë edhe shpenzimet e turneut tradicional që realizohet me nxënës të shkollave fillore të komunës tonë të cilëve gjatë turnesë u organizohen vakte.” thanë nga Komuna e Çairit.

Megjithatë, nga Komuna e Çairit vendosën të mos japin përgjigje për transaksionet e vjetra si dhe në lidhje me atë se pse ky lokal është favorizuar në mënyrë të vazhdueshme, duke mos publikuar shpallje publike.

Kaltrina Zekolli Shaqiri: Unë jam pronare, por nuk merrem me çështjet e pagesave

Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri për Portalb-in theksoi se bashkëpunimin me komunën e Çairit kryesisht e kanë në shërbim të klubeve sportive komunale.

“Është lokal që ka qenë pronë e bashkëshortit tim, edhe në procedurë trashëgimore e kam trashëguar unë, pas vdekjes së tij, kemi administrator që e menaxhon. Me komunën e Çairit bashkëpunimin e kemi me klubet sportive, ata zakonisht atë pjesën e ushqimeve gjatë turneve e marrin te ne.” tha Zekolli-Shaqiri.

Ajo megjithatë nuk ishte shumë e informuar për transaksione konkrete.

“Unë jam vetëm pronare aty, nuk jam shumë e informuar, më mirë të kontaktoni me dikënd prej komunës apo me menaxhmentin e lokalit, sepse unë nuk merrem me këtë çështen e pagesave që bëhen” tha Zekolli-Shaqiri.

Përpos kësaj, Kaltrina Zekolli Shaqiri gjithashtu është pronare e kompanisë ‘Paviman’ të cilën gjithashtu e ka trashëguar nga bashkëshorti i saj. Kompania akutalisht nuk është aktive por në kohën që ka funksionuar, klient të vazhdueshëm dhe të vetëm prej institucioneve publike e ka pasur komunën e Çairit.

Më herët, Qendra për Komunikime Qytetare që i monitoron prokurimet publike ka alarmuar se ka rritje të lidhjes së kontratave pa shpallje publike paraprakisht, ata kishin konstatuar se kjo tashmë është bërë praktikë në Maqedoninë e Veriut./portalb.mk/

Continue Reading

TOP Lajme