Connect with us

Lajme

Taravari: Koha e shkurtër dhe qeveria e paqëndueshme në Bullgari, pengesa për ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut

Published

on

Një nga drejtuesit e koalicionit VLEN që bën pjesë në koalicionin qeveritar në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari thotë se ndryshimet kushtetuese lidhur me pakicën bullgare që janë kusht për ecurinë e vendit drejt Bashkimit Evropian , ishin të pamundura të bëheshin brenda 100 ditëve dhe me një qeveri teknike dhe jostabile në Bullgari. Zoti Taravari i bëri komentet pas shkëputjes së Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria në procesin e integrimit në BE, për shkak të mosplotësimit brenda afatit të ndryshimeve, gjë që ka nxitur reagime në Shkup.
Opozita akuzon pushtetin për politikat që ajo thotë se shkaktuan ngecje dhe për mungesë vullneti për ta çuar vendin drejt familjes evropiane, por zoti Taravari, në një intervistë për Zërin e Amerikës, hodhi poshtë këto kritika dhe tha se shpreson që pas zgjedhjeve të 27 tetorit në Bullgari të dalë një qeveri e qëndrueshme dhe të ketë një garanci që rreth Vitit të Ri të votohen ndryshimet kushtetuese dhe të fillojnë negociatat me BE-në. Zoti Taravari konfirmoi angazhimin e koalicionit VLEN për të siguruar të drejtat e shqiptarëve dhe bëri përgjegjëse qeverinë e mëparshme, përfshirë BDI-në për disa probleme që po has vendi dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

VIDEO

Zëri i Amerikës: Zoti Taravari, ngecja e procesit të integrimit në BE e Maqedonisë së Veriut, po kritikohet si dështim me pasoja të rënda i qeverisë suaj. Cili është reagimi juaj?

Arben Taravari: Fatkeqësisht, është e vërtetë se ne dështuam, edhe pse prej vitit 2018 ish-pushteti, flas për BDI-në dhe LSDM-në kanë bërë 5 ose 6 konferenca shtypi se Maqedonia filloi neogociatat me BE-në dhe në fakt tani e shohim se ne nuk i kemi filluar negociatat. Shqipëria i fillon, ndërsa Maqedonia ngec. Ne për 100 ditë nuk mundeshim të bëjmë më shumë. Shqipëria po ecën përpara për arsye se zgjidhën disa probleme; nisën luftën kundër krimit dhe korrupsionit që është shumë e rëndësishme. Të mos harrojmë se Shqipëria në dy vitet e fundit ka bërë një hap të përshpejtuar kundër krimit dhe korrupsionit dhe shumë funksionarë në Shqipëri janë në procese gjyqësore. Në Maqedoni (të Veriut) kishim një Prokurori Speciale e cila u mbyll. Ishte njëfarë shprese se do të luftohej krimi dhe korrupsioni. Domethënë, edhe një prej kushteve të tjera që duhet t’i plotësojë Maqedonia (e Veriut) ishin ndryshimet kushtetuese. Por ndryshimet kushtetuese për njëqind ditë me një qeveri teknike dhe jostabile në Bullgari është e pamundur të bëhen. Prandaj, mendoj se nuk është vetëm ndryshimi i kushtetutës. Ky ishte kusht i domosdoshëm, por edhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit… në Maqedoni kemi ngecje të jashtëzakonshme; kemi lulëzim të krimit dhe korrupsionit në njëzet vitet e kaluara dhe posaçërisht në shtatë vitet e kaluara.

Zëri i Amerikës: Zoti Taravari, gjithsesi është e qartë nga Bashkimi Evropian se pikërisht mungesa e ndyshimeve kushtetuese ishte ajo që nuk do të bënte të mundur ecjen e Maqedonisë së Veriut në krah të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe në fakt koalicioni juaj ka mbrojtur qëndrimin që këto ndryshime kushtetuese duhet të bëheshin dhe duket se është më shumë mungesë vullneti se mungesë kohe e qeverisë suaj. A jeni tërhequr ju nga qëndrimi juaj?

Arben Taravari: Absolutisht, ne mbajmë qëndrimin se nuk ekziston rrugë tjetër për Maqedoninë përveç rrugës evropiane dhe kjo është e pakontestueshme edhe për Kryeminisrtin (Hristijan) Mickovski edhe për koalicionin VLEN. Ne do të bëjmë çmos në këtë periudhë të ardhme që të gjendet njëfarë zgjidhjeje, por besoni se është vështirë të gjendet një zgjidhje në periudhën e pas zgjedhjeve. Ne tani bëjmë njëqind ditë qeveri duke mos pasur një partner në anën e Bullgarisë, e cila së paku Maqedonisë (së Veriut) në këtë periudhë i duhet njëfarë garancie se nuk do të ketë kërkesa të tjera, prej Brukselit apo Uashingtonit. Duhet të gjendet një zgjidhje edhe pse numrat i kemi gati (për ndryshimin e Kushtetutës); numrin prej 80 deputetësh e kemi gati qysh tash, por qeverisë së re i duhet një garanci se nuk do të ketë kushtëzime të tjera. Sepse përvoja e Maqedonisë është shumë e hidhur. Atëherë kur pritej të fillojnë negociatat, pasi e ndryshoi emrin, praktikisht pati veto të ndryshme; njëherë nga Greqia, pastaj Franca e më pas nisi problemi me Bullgarinë. Ne do të mundohemi që menjëherë pas zgjedhjeve të 27 tetorit në Bullgari, urojmë dhe shpresojmë të ketë një qeveri stabile atje, të kemi një garanci që rreth Vitit të Ri të votohen ndryshimet kushtetuese dhe të fillojnë negociatat me BE-në.

Zëri i Amerikës: Para pak ditësh zoti Mickovski u shpreh indiferent ndaj paralajmërimit të një deputeti të partisë tuaj (Halil Snopçe) i cili theksoi se koalicioni VLEN do të largohej nga qeveria nëse do të miratohej një ligj për ish-pjesëtarët e forcave qeveritare të sigurisë – ushtrisë e policisë nga konflikti i armatosur i vitit 2001. Qëndrimi i tij mund të ketë përforcuar zërat se koalicioni juaj është në një pozitë inferiore brenda kolicionit qeveritar dhe kujtojmë këtu se opozita shqiptare, BDI ju ka cilësuar si “vasalë”. Si përgjigjeni ju?

Arben Taravari: Ai është bashkërendues i grupit parlamenttar të koalicionit VLEN dhe një prej deputetëve të Aleancës per Shqitarët dhe me të drejtë e ka thënë. Bëhet fjalë për një ligj, i cili pesë herë është votuar nga BDI-ja, më 2001, 2002, 2005, 2006 e tani edhe një herë. Zoti (Ali) Ahmeti u paska premtuar LSDM-së dhe partive të tjera se menjëherë pas zgjedhjeve të 2024-ës do ta votojë edhe njëherë ligjin e “branitellave” (mbrojtës) dhe ne nuk e lejojmë këtë. Ne do të mundohemi që me metoda demokratike, normalisht parlamentare që ta pengojmë këtë. Zoti Mickovski ashtu ka menduar dhe ne i thamë se duhet kompromis, se ne e shohim qeverinë si partneritet e jo si imponim. Plus, ky ligj nuk është propozuar nga VMRO-DPMNE-ja por është një ligj që provokon nëpërmjet BDI-së dhe LSDM-së.

Zëri i Amerikës: E kisha fjalën më shumë tek dinamika brenda qeverisë…

Arben Taravari: Qeveria është stabile brenda saj dhe këtë mund ta them me plot përgjegjësi. Nëse BDI-ja na thotë “vasalë” unë them se ata janë njerëz që vazhdimisht presin prapa dyerve të qeverisë. Vazhdimisht janë duke bërë presion për të hyrë në qeveri, sepse kjo parti 22 vjet ka qenë në pushtet dhe nuk është mësuar të jetë në opozitë, por i ngjan opozita. Unë mendoj se ata janë burra, të cilët duhet të qëndrojnë në opozitë. Nuk është 100-ditëshi i parë… mendoj se shumë vite do të presin në opozitë dhe mendoj se dalëngadalë duhet të adaptohen në opozitë. Besoni se këto shpifje dhe lajme të rreme që i përhap BDI-ja për të krijuar një bindje se shqiptarët në qeveri janë vasalë, kjo është tërësisht një inxhiniering nëpërmjet mediumeve, ndërsa BDI-ja ka burime të mëdha financiare dhe ditët që vijojnë mendoj se do të jenë të vështira për BDI-në, posaçërisht për krimin të cilin e ka bërë gjatë qeverisjes 22-vjeçare. Kjo është arsyeja kryesore pse ata janë të shqetësuar dhe mundohen të krijojnë imazhe negative për partitë që janë pjesë e qeverisë, aktualisht.

Zëri i Amerikës: Le të kujtojmë që BDI-ja ka mbështetjen e shumë shqiptarëve, megjithatë duket se mosmarrëveshjet mes koalicionit tuaj dhe BDI-së, por edhe brenda forcës suaj politike mund të shkaktojnë një fragmentim që dëmton përmirësimin e pozitës së shqiptarëve, duke pasur parasysh edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin deri në marrjen e vendimit përfundimtar të instrumentit të quajtur “Balancues” që synon punësimin e pjesëtarëve të komuniteteve etnike në bazë të përqindjes që përbëjnë, si edhe shqetësimin për përdorimin e shqipes. Si u përgjigjeni këtyre shqetësimeve?

Arben Taravari: Dua të sqaroj se në Maqedoni jemi dy blloqe: BDI-ja dhe VLEN-i. BDI-ja dhe satelitët, parti më të vogla të cilat ishin pjesë e VLEN-it, por BDI-ja i shkëputi para zgjedhjeve dhe ka parti të pakicave. Pra BDI-ja nuk është opozitë shqiptare…

Zëri i Amerikës: Le të flasim për thelbin e prekjes së interesave të shqiptarëve…

Arben Taravari: Vetëm të sqaroj për opinionin publik, këtu ka parti boshnjake, turke dhe rome. Ka dy, tre probleme. E përmendët ‘balancuesin’ dhe përdorimin e gjuhës shqipe. Dua të them se këto probleme nuk janë ta tanishme. Këto probleme në Gjykatën Kushtetuese janë inicuar në vitin 2018 ose 2019. Praktikisht, këto dy lëndë në Gjykatën Kushtetuese janë mbajtur në sirtarë për pesë vjet dhe tani, paramendoni për 100 ditë qeveri aktivizohen këto lëndë.

Zëri i Amerikës: Jeni ju të aktivizuar mjaftueshëm dhe me forcë të plotë për t’i trajtuar këto probleme?

Arben Taravari: Absolutisht. Fatkeqësisht, në Maqedoni politika ka shumë impakt të jashtëzakonshëm në gjyqësor. Besueshmëria në gjykatat e Maqedonisë është 2 përqind. Këta gjykatës të Gjykatës Kushtetuese kanë ndikim të jashtëzakonshëm nga pushteti i kaluar sepse ata i kanë zgjedhur. Balancuesi ishte një mjet, instrument për përfaqësimin e drejtë jo vetëm të shqiptarëve por të të gjithëve. Por u keqpërdor; një shqiptar deklarohej si maqedonas për t’u punësuar, një maqedonas si shqiptar dhe keqpërdorej… Ne na duhet një ligj për përfaqësimin e drejtë, sepse përfaqësimi i drejtë tashmë është kategori kushtetuese. Dhe përdormi i gjuhës shqipe… nuk bëhet fjalë për përdorimin e gjuhës shqipe, por vetëm për tre pika të përdorimit te gjuhës shqipe: në kartëmonedha, në polici (shenjat e uniformës) dhe nëse do të përdoret në gjykata. Unë jam skeptik lidhur me përdorimin e deritashëm të shqipes në gjykata. Mbase me përkthyes, por seancat në gjuhën shqipe aspak nuk janë mbajtur. Ndryshe, aspak nuk kontestohet përdorimi i gjuhës shqipe; mbetet e njejtë, vetëm se këto tre gjëra, pasi që BDI bashkë me LSDM-në ligjin të cilin e votuan në vitin 2017 për përdorim të gjuhës shqipe pa dëshirën tonë dhe pa miratimin e opozitës e dërguan në Komisionin e Venecies dhe nga atje dhanë tre sugjerime se këto gjëra duhet të rishqyrtohen.

Continue Reading

Lajme

Banorët e Krushevës falënderojnë ambasadorin shqiptar për zgjidhjen e çështjes së shkollës në Nerovë

Published

on

By

Banorët e fshatit Nerovë, në komunën e Krushevës, kanë shprehur mirënjohje publike ndaj ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut për mbështetjen dhe angazhimin e tij konkret në zgjidhjen e problemit të shkollës në këtë zonë.

Siç deklaron përfaqësuesi lokal Bexhet Bablok, ambasadori kishte vizituar më herët objektin e shkollës në gjendje të rënduar dhe kishte premtuar ndërhyrje përmes kanaleve diplomatike. Kjo vizitë rezultoi vendimtare, pasi solli përshpejtim të procesit dhe rikthim të vëmendjes institucionale ndaj një problemi të zvarritur prej kohësh.

Ndërkohë që liderë politikë vendorë, përfshirë Hristijan Mickoskin, janë përpjekur të atribuojnë vetes meritat për zgjidhjen, komuniteti lokal thekson se roli i ambasadorit shqiptar ka qenë thelbësor në finalizimin e këtij procesi.

Nxënësit dhe prindërit kanë përshëndetur rifillimin e punimeve dhe shprehin shpresë që objekti i shkollës të përfundojë sa më parë, duke i dhënë fund kushteve të papërshtatshme për mësim.

Continue Reading

Lajme

Nuk u mbyllen KAZINOT, shtohen edhe shitoret e kredive të shpejta, Rami Mislimi ka një mesazh për liderët e VLEN-it

Published

on

By

Shkruan: Rami Mislimi

„Ти можеш да продаваш пари, ама јас не купувам, вие не ги затворите КАЗИНОТО, ама јас не играм“

Si natyrë që jam, nuk besoj lehtë as në gjëra që nuk i shoh, e aq më pak në ato që nuk i prek me dorë. E në kohë fushate, nuk besoj fare! Sidomos atyre që nuk kanë fuqi të bëjnë ndryshime të mëdha në këtë shtet që tashmë as nuk na llogarisin si njerëz e hiç më pak si shqiptarë.

Të gjithë liderët e partive të koalicionit VLEN, nga Izeti, Bilalli, Zeka po edhe Arbeni i Likovës, aq shumë kanë folur për kazino, bastore dhe kreditë e shpejta, sa mendova se po të vinin në pushtet dhe po të qëndronin 4 vite, do të mbyllnin të paktën një kazino, një bastore, dhe do t’i jepnin fund “kamatashëve” legalë ato që populli i njeh si bankat me mbishkrime të turpshme si: “Prodavam Pari”.

Por tani, pas një viti në pushtet, realiteti është ndryshe. Vetëm në qytetin ku jetoj, në Tetovën e “Hafiz Efendi Bilall Kasamit”, që të premteve falet në tre xhamia për tu dukur më fetarë dhe agjëron të hënë e të ejnte, janë shtuar edhe kazinot, edhe duqanet që shesin para, “Prodaveme PARI”.

Para zyrës së “Hafiz Bilallit” në Tetovë ka një shitore ku shkruan “Prodavame Pari”. Pak më tutje ku pi Bilalli kafe, është “WLT – luaj dhe fito, jep 100 denarë dhe fito 1 milion”. Edhe më tutje ku ha burek është KAZINO-ja “Rrotullo zarin dhe fito 100 mijë euro”.

Dhe kjo gjendje mjeruese nuk është vetëm në Tetovë, por edhe në Çairin e Izet Mexhitit, i cili gjithashtu premtoi se me ardhjen e VLEN-it do të zhdukeshin KAZINOT dhe kreditë e shpejta.

Ata që jetojnë në Çair, Tetovë dhe vise tjera shqiptare, e dinë, jo që janë mbyllur kazinot, por janë shtuar! Dhe më keq akoma kanë infektuar edhe nxënës të shkollave fillore. Kazinot sot janë afër shkollave, xhamive, çerdheve, madje edhe në oborret e shtëpive tona.

Me Llotarinë e Maqedonisë udhëheq një “partiak” i Izet Mexhitit. Tani më thoni, si do të na bind Izeti se kazinot dhe kreditë e shpejta janë mbyllur ose si do të më thotë mua dhe shqiptarëve edhe të VLEN-it i kam mbyllur?

Nëse duan të vërtetën, le të dalin me mua ose dhe vet dhe t’i numërojmë së bashku kazinot që kishte në vitin 2024 dhe ato që ka sot në 2025. Do shohin jo vetëm që janë shtuar, por edhe kanë avancuar janë zbukuruar dhe janë shtuar.

Ata mund të flasin në publik se i kemi mbyllur, por shqiptarët çdo ditë kalojnë pranë kazinove dhe shitoreve që “shesin para”.

Pas gjithë këtij mashtrimi, lind pyetja:

A po financohen liderët e VLEN-it nga kazinot dhe kreditë e shpejta?

Unë mendoj se po, sepse ka bazë të fuqishme për dyshime sepse ata nuk u mbyllën por u shtuan.

Ama unë ju them:

„Ти можеш да продаваш пари, ама јас не купувам, вие не ги затворате КАЗИНОТО, ама јас не играм“

Continue Reading

Lajme

Ambasadori Meidani fiton betejën për shkollën në Nerovë: Qeveria jep dritë jeshile për legalizim

Published

on

By

Angazhimi i drejtpërdrejtë dhe vendosmëria e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, z. Denion Meidani, ka sjellë një fitore konkrete për nxënësit dhe prindërit shqiptarë të fshatit Nerovë të Krushevës, njofton Flaka

Pas vizitës së tij në këtë lokalitet javën e kaluar, ku dëgjoi shqetësimet e banorëve dhe premtoi përkrahje të plotë, ambasadori Meidani veproi menjëherë. Madje, në prani të banorëve, ai komunikoi drejtpërdrejt me zëvendëssekretarin për punë të përgjithshme në Qeveri, duke insistuar që çështja e shkollës të futet në rend dite të mbledhjes së ardhshme të ekzekutivit.

Kjo ndërhyrje ka prodhuar rezultat konkret: Qeveria ka miratuar vendimin që hap rrugën për legalizimin e objekteve shkollore në Nerovë, duke lejuar regjistrimin e pronës shtetërore në të cilën ndodhen objektet arsimore dhe kalimin e saj në pronësi të Komunës së Krushevës.

Si do të vijojë procesi?

Parcela ku ndodhen dy objektet shkollore do të futet në planin urbanistik.
Ajo do të kalojë në pronësi të Komunës së Krushevës.

Pas kësaj, objektet do të legalizohen sipas procedurave përkatëse.

Më pas, Ministria e Arsimit, në koordinim me komunitetin lokal, do të vendosë për mënyrën më të përshtatshme të organizimit të mësimit.
Ky është një zhvillim i rëndësishëm për më shumë se 120 nxënës shqiptarë të shkollës fillore “Nikolla Karev”, të cilët deri tani mësonin në kushte jo të përshtatshme. Kur banorëve iu ndalua ndërtimi i objektit të ri – të ngritur me vetëfinancim – ata protestuan dhe fëmijët bojkotuan mësimin.

“Merita të posaçme i takojnë edhe Ambasadorit të Shqipërisë për përkrahjen dhe vizitën që na bëri në këtë shkollë, vizitë që dha edhe rezultatet e para konkrete,” – u shpreh Bexhet Babloku nga Bashkësia Lokale e Nerovës.

Ambasadori Meidani ka dëshmuar se diplomacia mund të jetë e ndjeshme dhe efikase, kur vendoset në funksion të të drejtave themelore siç është arsimi. Me këtë angazhim konkret, ai jo vetëm ka forcuar besimin e qytetarëve shqiptarë në institucionet, por ka dhënë një shembull pozitiv të përfaqësimit dinjitoz e veprues.

Shkolla në Nerovë nuk është më një ëndërr e bllokuar – falë bashkëpunimit të komunitetit dhe përkrahjes së ambasadorit Meidani, ajo po bëhet realitet. Flaka

Continue Reading

TOP Lajme