Lajme
Taravari: SHBA-ja mbetet shtylla e lirisë dhe demokracisë, pavarësisht krizave momentale
Gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, kryeministri kanadez Mark Carney deklaroi hapur se rendi shumëvjeçar ndërkombëtar i bazuar në rregulla është një “iluzion”. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump, sipas vlerësimeve, ka dëmtuar lidhjet që Shtetet e Bashkuara kanë ndërtuar me Evropën për dekada me radhë. Kjo ka hapur dilemën nëse presidenti i ardhshëm amerikan do të jetë në gjendje t’i riparojë këto marrëdhënie, apo nëse kjo qasje do të shndërrohet në normalitet të ri në politikën e jashtme të SHBA-së.
Duke komentuar këtë çështje në një intervistë për portalin “Llokallno”, lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, shprehet optimist se marrëdhëniet transatlantike nuk do të pësojnë dëme afatgjata.
“Sipas mendimit tim, po, ato do të riparohen. Pavarësisht simpative të mia për z. Carney, nuk e shoh situatën kaq të errët”, thekson Taravari.
Ai nënvizon se roli historik i Shteteve të Bashkuara nuk mund të zhbëhet nga zhvillime të përkohshme politike.
“Edhe sikur të ishte kështu, Amerika nuk është një shaka pa kripë. Ajo mbetet një djep shekullor i lirisë dhe demokracisë”, përfundon Taravari.
