Lajme
Snopçe: VLEN kontribuoi drejtpërdrejt në përjashtimin e diasporës nga proceset zgjedhore
Deputeti i ASH-së, Halil Snopçe, akuzon VLEN-in për heshtje të vazhdueshme ndaj vendimeve që, sipas tij, kanë përjashtuar diasporën nga përllogaritja e këshilltarëve komunalë dhe nga shpërndarja e mjeteve financiare për komunat shqiptare. Ai thotë se VLEN nuk reagoi as ndaj shkeljeve në zgjedhjet e përsëritura në Gostivar dhe Vrapçisht, as ndaj listave zgjedhore me persona të vdekur.
Sipas Snopçes, me mungesën e reagimit institucional, VLEN ka kontribuar drejtpërdrejt në mospërfshirjen e diasporës, ndërsa akuzat ndaj të tjerëve për këtë çështje i cilëson si të paturpshme dhe imorale.
Shkrimi i plotë
Disa herë kemi ushtruar trysni ndaj Mickoskit dhe kemi kërkuar që qeveria të ndryshojë vendimin për heqjen e diasporës nga përllogaritja e numrit të këshilltarëve. Në të gjitha këto raste, VLEN ka heshtur.
VLEN asnjëherë nuk e ngriti zërin për uljen e numrit të këshilltarëve në komunat kryesisht shqiptare, si pasojë e heqjes së diasporës nga kjo përllogaritje.
Heqja e diasporës nga ana e qeverisë ka pasur ndikim negativ për komunat shqiptare edhe në aspektin ekonomik, pasi në shpërndarjen e mjeteve financiare nga qeveria diaspora nuk merret parasysh. Edhe në këtë rast, VLEN vazhdoi të heshtë.
Në zgjedhjet e përsëritura në Gostivar dhe Vrapçisht u shkel ligji, duke mos u lejuar votimi më 28 dhjetor, kur mërgata ishte në vendlindje. Zgjedhjet u shtynë për më 11 janar me qëllim që të pengohej votimi i diasporës. Edhe këtu, VLEN heshti. Ne ushtruam disa herë trysni ndaj ministrit të Drejtësisë, Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit, por VLEN vazhdoi me heshtje totale.
Në Kuvend lexuam emrat e 130 personave të vdekur (aq sa na lejonte koha), të cilët ende figuronin në listat zgjedhore dhe nuk ishin fshirë. Kërkuam sqarime, por VLEN vazhdoi me heshtjen totale.
Si përfundim, VLEN është ai që e fshiu diasporën nga llogaritjet, që nuk e mori atë në konsideratë dhe që nuk tregoi asnjë interes për përfshirjen e saj. Me heshtjen e tij totale, VLEN kontribuoi drejtpërdrejt në mospërfshirjen e diasporës. Prandaj, është paturpësi dhe imoralitet të akuzohen të tjerët për çështjen e diasporës.
