Lajme
Frika nga sallat bosh: VLEN dhe Nevzat Bejta pa tubim përmbyllës në Gostivar
VLEN dhe kandidati i saj për kryetar komune, Nevzat Bejta, e kanë mbyllur fushatën zgjedhore në Gostivar pa organizuar tubim përmbyllës.
Edhe pse sipas informatave zyrtare ishte rezervuar palestra sportive e shkollës fillore “Bashkimi” në Gostivar, rezervimi është anuluar në momentet e fundit. Burime të afërta me kampin e VLEN-it në Gostivar bëjnë të ditur se tubimi është anuluar nga frika e dështimit dhe pamundësisë për të mbushur edhe një sallë sportive shkolle.
Gjatë ditëve të fundit, Bejta ka zhvilluar disa aktivitete në terren, të shoqëruara edhe nga liderë të VLEN-it për t’i dhënë mbështetje. Megjithatë, në asnjërin prej këtyre aktiviteteve nuk është arritur të grumbullohen më shumë se pesë banorë në secilin vendbanim.
Sonte në mesnatë përfundon zyrtarisht fushata zgjedhore, ndërsa të dielën, më 11 janar, qytetarët e Gostivarit do t’u drejtohen kutive të votimit në zgjedhjet e përsëritura për kryetar komune.
Në raundin e parë të zgjedhjeve, VLEN arriti të sigurojë rreth 4.000 vota, ndërsa AKI dhe kandidati i saj, Valbon Limani, fituan rreth 17.000 vota. Po ashtu, AKI siguroi mbi 50 për qind të votave për këshilltarë, duke nxjerrë 12 këshilltarë komunalë, ndërsa VLEN vetëm 3.
