Lajme
“Pitarnica” dhe “Hekurudha” sinjalizojnë vazhdimësinë: Mobilizim për fitoren e Valbon Limanit!
Lagjjet “Pitarnica” dhe “Hekurudha” e Gostivarit mirëpriti mbrëmjen e sotme strukturat e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), në kuadër të aktiviteteve politike që po zhvillohen në prag të zgjedhjeve lokale të 11 janarit.
Në takimin me banorët e këtyre lagjeje morën pjesë kandidati për kryetar të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, kryesuesi i Këshillit Komunal, Valdet Xhaferi, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, si dhe drejtuesit e shtabeve zgjedhore.
Gjatë fjalës së tij, kandidati Limani prezantoi programin qeverisës për mandatin katërvjeçar, me fokus të veçantë në zhvillimin e lagjes “Pitarnica” dhe “Hekurudha” dhe të qytetit të Gostivarit në tërësi. Programi përfshin projekte konkrete infrastrukturore, sociale dhe zhvillimore, të cilat synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës dhe krijimin e kushteve të qëndrueshme për mirëqenie afatgjatë të qytetarëve.
Banorët e “Pitarnicës” dhe “Hekurudhës” shprehën mbështetjen e tyre të fuqishme, duke u zotuar se më 11 janar do të konfirmohet fitorja e thellë dhe do të ripërsëritet rezultati i zgjedhjeve të 19 tetorit, në mbështetje të kandidaturës së Valbon Limanit për kryetar komune të Gostivarit.



