Lajme
Eufori dhe mobilizim qytetar në Forinë për Valbon Limanin
Një atmosferë entuziazmi dhe mobilizimi qytetar ka shoqëruar mbrëmë vizitën e kandidatit për kryetar të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, në fshatin Forinë, në kuadër të aktiviteteve parazgjedhore të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për zgjedhjet e 11 janarit.
Banorë të Forinës u mblodhën për të pritur kandidatin Limani dhe strukturat drejtuese të koalicionit, duke e shndërruar këtë takim në një manifestim mbështetjeje politike dhe qytetare. Pritja u karakterizua me mesazhe mbështetëse dhe një frymë optimizmi për fitoren e radhës në Gostivar.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe kryeministri i parë shqiptar, Talat Xhaferi, i cili nga fshati i tij i lindjes përcolli një mesazh të fuqishëm politik, duke theksuar se Forina do të jetë epiqendra e fitores së Valbon Limanit dhe e Aleancës Kombëtare për Integrim në Gostivar.
Aktivitetet nisën në shtabin e përbashkët të AKI-së në Forinë, pastaj në takime të drejtpërdrjeta me banorët ku u shpalosën prioritetet programore dhe projektet zhvillimore të planifikuara për katërvjeçarin e ardhshëm, me fokus të veçantë në infrastrukturë dhe zhvillim ekonomik lokal për Forinën.
Valbon Limani në këtë aktivitet shoqërohej nga kryesuesi i Këshillit Komunal të Gostivarit, Valdet Xhaferi, deputetë të AKI-së, drejtues të shtabeve zgjedhore dhe përfaqësues të strukturave lokale, të cilët theksuan unitetin dhe vendosmërinë për një fitore bindëse më 11 janar.
Mesazhi i përcjellë ishte i qartë: mbështetja e gjerë qytetare dhe mobilizimi i strukturave politike e bëjnë fitoren e AKI-së në Gostivar të sigurt dhe të pakthyeshme, duke synuar konfirmimin e suksesit të arritur më 19 tetor.




